Rritja ekonomike për 9-mujorin 3,3 %
Nëntë muajt e parë të 2010-ës kanë shënuar një rritje mesatare ekonomike, prej 3,3 për qind më poshtë se parashikimet e qeverisë, sipas të cilave viti 2010 pritet të mbyllet me një rritje 5 %. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, në maj të vitit 2010, bëri një parashikim se ky vit do të rezultonte me një rritje ekonomike prej 2,3 % për Shqipërinë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, ekonomia shqiptare është rritur me 4.9 %, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2009, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010, u rrit me 1.6 %. Statistikat në fjalë argumentohen me rritjen e eksporteve përgjatë vitit 2010, ku vendin kryesor e kanë zënë eksportet ‘Made in Albania’ dhe energjia elektrike. Gjithashtu, fushat të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ritmet e rritjes ekonomike kanë qenë industria, transportet dhe bujqësia. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, sektori i industrisë rezulton me ndikimin më të madh në rritjen ekonomike të këtij tremujori, me 18.2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010, dega e industrisë u rrit me 1.8 %. Një ndikim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë të 2010-ës dhe të 9 muajve të parë të të njëjtit vit ka ndikuar sektori i transportit. Ky sektor në tremujorin e tretë të vitit 2010 u rrit me 12.9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, dhe me 4.2 % ndaj tremujorit para-ardhës. Duke pasur parasysh sezonin turistik, një peshë të rëndësishme në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë pati dega Tregti, Hotele dhe Restorante, duke shënuar një rritje prej 8.1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.1 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010. Ndërsa, aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2010, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 7.6 % dhe 0.8 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2010. Ajo që është vënë re gjatë tremujorit të tretë të 2010-ës, është stanjacioni në sektorin e ndërtimit. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, ky sektor u ul me 22.0 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009, dhe me 2.5 %, krahasuar me tremujorin para-ardhës. Ngërçi në sektorin e ndërtimit edhe sipas ndërtuesve ka qenë kriza ekonomike globale, e reflektuar tërësisht në vend edhe në formën e frikës psikologjike, duke mosinvestuar në pasuri të paluajtshme. Edhe dega e post-komunikacionit, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, pati një rënie me 7.9 % këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009 dhe një rritje me 3.7 %, përkundrejt tremujorit të dytë të vitit 2010. Në rritjen mesatare ekonomike të 9-mujorit të parë të 2010-ës ka ndikuar grupi i shërbimeve të tjera në tremujorin e tretë të vitit 2010, pati rritje me 12.0 % kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2009 dhe 3.1 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010. Ndërsa Banka e Shqipërisë e ka konsideruar ecurinë e ekonomisë për 2010-ën me rritje, e varur nga sjellja konsumatore konservatore. Ndërsa parashikimet për 2011-ën, nga ky institucion financiar, rezultojnë të varen sërish nga shpenzimet e konsumatorëve shqiptarë dhe besimi i tyre për të ardhmen.