Bizneset, frikë nga pagesa e taksave online
Tatimpaguesit e mëdhenj kanë shprehur dyshime rreth mënyrës sesi veprohet me shkarkimin e deklaratave tatimore nga faqja e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave (DPT). Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të bizneseve VIP, në kuadër të strategjisë për të rritur transparencën fiskale, kreu i DPT-së, Arben Sefgjini, tha se, për të zvogëluar barrën e burokracisë për komunitetin e biznesit, administrata tatimore është fokusuar në trajtimin e paanshëm të tatimpaguesve, duke iu dedikuar shërbimit transparent dhe efikas në zbatimin e legjislacionit tatimor. Sipas tij, administrata tatimore është e angazhuar në përmirësimin e klimës me tatimpaguesit, si dhe për të siguruar partneritet e bashkëpunim të ndërsjellë dhe në këtë kuadër ka implementuar teknologji të reja për shkëmbimin e informacionit, nëpërmjet shërbimeve elektronike të ofruara në faqen e internetit të kësaj drejtorie. Për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar pranë degëve të tatimeve: Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Fier, Lezhë, Shkodër, Berat dhe Lushnjë, tashmë mundësohet shkarkimi i formularëve të deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, tatimit mbi të ardhurat nga punësimi dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, online. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit kërkuan përmirësimin e shërbimit të internetit për pagimin online të tatimeve. Një tjetër problem i ngritur nga biznesi, ishte dhe ofrimi i pagesave online edhe në bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë. Sipas tyre, nga 17 banka që operojnë në vend, vetëm 3 prej tyre ofrojnë pagesën e deklarimit elektronik. Kontabilisti i njohur, njëkohësisht pedagog në Fakultetin Ekonomik të UT, Sotiraq Dhamo, ngriti një shqetësim serioz lidhur me keqpërdorimin e deklaratave tatimore të shkarkuara nga interneti i DPT. "Çdokush mund t‘i shkarkojë këto deklarata dhe t‘i plotësojë sipas dëshirës keqdashëse, duke vendosur niptin e subjektit tjetër konkurrent. Në këtë mënyrë, ekziston frika e manipulimit, sidomos nga subjektet që operojnë në tenderë", tha Dhamo. Të tjera biznese e mbështetën shqetësimin e tij, duke kërkuar që shkarkimi i PDF-ve të ofrohet me kod sekret (password), për çdo subjekt që është i interesuar.