E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirëserdhët në vitin 1991!

Kush e pranon gabimin, gjysma i falet! Gabimi mund të falet edhe kur merret mësim prej tij dhe nuk përsëritet në të ardhmen. Janë këto dy fjalë të urta, të cilat me sa duket nuk kanë vlerë të madhe për kreun shtetëror të Shqipërisë. Sepse, kreu aktual shqiptar, është në rrugë për të përsëritur gabimin e fillimit të viteve të nëntëdhjeta, kur Shqipëria ishte ndër shtetet e para që e pranoi pavarësinë e Maqedonisë, edhe atë pa asnjë kusht të vetëm. Përfundimisht, ishte ky hap i gabuar i Shqipërisë, për shkak se Maqedoninë e pranoi, në kohën kur në këtë shtet ushtrohej dhunë, përndjekje dhe forma të tjera të presionit ndaj popullatës vendase shqiptare. Hapi i atëhershëm i Shqipërisë, do të mund të arsyetohej në rast se vitet që pasuan do të sillnin përmirësim të kushteve në të cilat jetojnë shqiptarët, në përmasa adekuate me numrin dhe peshën e tyre në Maqedoni. Mirëpo, dy dekada pas pavarësimit të Maqedonisë, maqedonasit edhe më tej kundërshtojnë plotësimin e disa kërkesa elementare të shqiptarëve, të cilat në shumë shtete evropiane me shekuj të tërë i gëzojnë edhe pakica, të cilat përbëjnë vetëm një ose dy për qind të popullatës. Hapin e atëhershëm të Shqipërisë edhe më të gabueshëm e bën fakti se gjatë këtyre dy dekadave, thuajse aspak nuk ka ndryshuar qasja e maqedonasve për shqiptarët në nivel rajonal. Maqedonia po zvarrit edhe më tej njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe pse një hap të këtillë deri tani e kanë ndërmarrë shtete, të cilat kanë pjesë të konsiderueshme të kombit të vet që jeton në Serbi (si Hungaria), apo shtete në të cilat jeton pjesë e konsiderueshme e popullatës serbe (siç është rasti i Kroacisë). Mirëpo për fat të keq, garnitura aktuale shqiptare nuk po tregon kurrfarë shenjash për pranimin, apo për nxjerrje mësimi nga gabimi i bërë në fillim të viteve të ‘90-të kundrejt Maqedonisë. Edhe pse bëhet fjalë thuajse për garniturën e njëjtë, politike edhe atëherë edhe tani, kreu shqiptar është në prag të përsëritjes së një gabimi tjerr, në momentin kur shpreh gatishmëri për të ndërmjetësuar për tejkalimin e një problemi kompleks, siç është çështja e emrit të Maqedonisë. Në çdo rast tjetër, gatishmëria e Shqipërisë për të ndërmjetësuar në kontestin mes Greqisë dhe Maqedonisë, pa asnjë dilemë do të mundej të vlerësohet si eufemizëm, ose edhe gatishmëri për sakrifikim për të mirën e fqinjit. Mirëpo në rastin konkret, ky hap nuk mundet të llogaritet assesi ndryshe, përpos si naivitet. Sepse Shqipëria as për së afërmi nuk posedon kapacitet për të ndërmjetësuar në një kontest, nga i cili ikin edhe organizata të fuqishme ndërkombëtare, si NATO-ja dhe BE-ja. Aq më tepër kur maqedonasit nuk po tregojnë kurrfarë gatishmërie për të ndryshuar politikën e tyre diskriminuese kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë dhe qasjen e përgjithshme ndaj shqiptarëve në Ballkan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›