E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet politike në 4 rrethe

Me marrjen e pushtetit nga koalicioni i djathtë në vitin 2005, brenda pak muajve u spastrua e gjithë administrata në rrethe. Qindra persona, në çdo qytet, u hoqën nga puna, duke u zëvendësuar me militantë të Partisë Demokratike apo partive të tjera anëtare të koalicionit.

Pogradec

Në Pogradec, në krye të garës së spastrimeve qëndron Zyra Arsimore. Drejtoresha e kësaj zyre, Sofika Binishi, aktiviste e PD-së në këtë qytet, ka firmosur heqjen nga puna të të gjithë drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave të Pogradecit, por edhe të një pjese të madhe të mësuesve. Gjithçka u zhvillua nën petkun e një reforme, por që u zbatua vetëm për mësuesit e majtë. Në total, në Pogradec janë larguar nga puna rreth 120 mësues.

Në sektorin e Shëndetësisë, drejtori aktual Artan Pilinci, gjithashtu aktivist i PD-së, ka hequr nga puna deri edhe shoferët e ambulancave, sanitarë e kaldajistë. Ai ka firmosur reformën për afro 30 punonjës.

Në Ndërmarrjen e Ujërave, drejtori Namir Çela, për katër ditë ka hequr të gjithë administratën e ndërmarrjes deri te punëtorët e thjeshtë. Gjithsej, 35 punonjës. Ndërkaq, në Ndërmarrjen Rruga-Ura, drejtori Spartak Kuqo ka hequr 80 punonjës.

Të gjithë drejtuesit e sipërcituar të institucioneve shtetërore në Pogradec janë anëtarë të Kryesisë së PD-së së këtij qyteti.

Partive të vogla u janë lënë pozicione të tjera. P.sh., Partia Demokristiane ka postin e nëndrejtorit të spitalit dhe maternitetit. Z. Sokol Vako është nëndrejtor i spitalit dhe z. Refki Pere është drejtor i maternitetit. Zyrën e Punës e ka sigurisht PBDNJ, me drejtues z. Lefter Tanellari.

Ndërsa drejtor i Shtëpisë së Oficerëve në Pogradec ka qenë kryetari i Partisë Republikane të këtij qyteti, z. Robert Sadikaj. Ai doli në pension dhe në vend të tij është emëruar z. Roland Vangjeli, i cili duket se ka një lidhje me PR-në, pasi vjehrri i tij është aktivist i kësaj partie.

Korçë

Në Korçë, Drejtoria e Arsimit i është lënë Partisë Demokrate të Re, meqë edhe ministër i Arsimit është kryetari i saj. Pra, z. Andrea Mano, aktivist i PDR është emëruar në këtë detyrë. Drejtori i spitalit të Korçës është z. Ilia Jatagani, përfaqësues i Partisë Demokristiane. Inspektorati i Punës, Qendra e Rehabilitimit (që është në varësi të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta), Drejtoria e Shërbimeve Sociale Rajonale dhe Zyra e Punës në Korçë drejtohen nga aktivistë të PBDNJ-së, përkatësisht z. Edmond Tole, Manol Lena, Thanas Koroveshi dhe Gjergji Tane.

Ndërsa drejtori i Pyjeve është kandidati për deputet i Partisë Agrare Ambientaliste, z. Gëzim Hadri.

Librazhd

Në emër të partisë janë larguar nga puna edhe punonjësit e administratës shtetërore në Librazhd dhe janë zëvendësuar me aktivistë të denjë të koalicionit partiak që mori pushtetin. Si në të gjithë Shqipërinë, PDK, edhe në Librazhd ka postin e drejtorit të spitalit me drejtor z. Agron Gega. Duhet përmendur se këtë post deri para emërimit të zotit Nard Ndoka ministër i Shëndetësisë, e kishte PDR-ja.

Drejtore e Zyrës së Punës është bashkëshortja e kryetarit të PBDNJ-së së këtij qyteti, zonja Jorgjeta Sulollari, ndërsa në krye të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit është përfaqësuesi i PAA-së në këtë qytet, z. Mylazim Tusku.

Durrës

E njëjta panoramë është edhe në administratën e Durrësit. Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës drejtohet nga oficeri i karrierës, zoti Qemal Lika, i cili është aktivist i PR-së. Drejtimin e spitalit të qytetit e ka PDK-ja, me përfaqësuesin e saj, z. Bashkim Shehu, i cili me profesion është ekonomist dhe ka punuar më parë në degën e Tatim-Taksave të qytetit. Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe ajo e Pyjeve i është lënë Partisë Agrare Ambientaliste, kryetar i së cilës është ministri i Mjedisit, z. Lufter Xhuveli, dhe nga i cili kanë varësi direkte këto drejtori.

Emërimet politike në rrethe

Pogradec

- Drejtor i spitalit, Artan Pilinci - PD (Ka hequr nga puna deri në shoferë ambulancash, pastrues dhe kaldaistë, rreth 30 punonjës)

- Nëndrejtor i spitalit, Sokol Vako - PDK

- Drejtor i maternitetit, Refki Pere - PDK

- Drejtor i Arsimit, Sofika Binishi - PD (Janë hequr të gjithë drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave, por dhe një pjesë e madhe e mësuesve, nen petkun e një reforme, që u zbatua vetëm për mësuesit e majtë, duke u zëvendësuar me mësues jokompetentë. Në total janë larguar nga puna rreth 120 mësues)

- Zyra e Punës, Lefter Tanellari - PBDNJ

- Drejtor i Shtëpisë së Oficerëve në Pogradec ka qenë kryetari i Partisë Republikane të këtij qyteti, z. Robert Sadikaj. Ai doli në pension dhe në vend të tij është emëruar z. Roland Vangjeli, vjehrri i të cilit është aktivist i PR-së)

Korçë

- Lulzim Hoxha, drejtor i Bordit të Kullimit - PDK

- Andrea Mano, drejtor i Arsimit - PDR

- Ilia Jatagani, drejtor i spitalit - PDK

- Manol Lena, drejtor i Qendrës së Rehabilitimit (në varësi të

Ministrisë së Punëve) - PBDNJ

Gjergji Tane, drejtor i Zyrës së Punësimit - PBDNJ

- Edmond Tole, Inspektorati i Punës - PBDNJ

- Drejtoria e Shërbimeve Sociale Rajonale, Thanas Koroveshi - PBDNJ

Drejtor i Pyjores, Gëzim Hadri - PAA (është kandiduar nga kjo forcë politike në Podgorie)

Durrës

- Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Plepa, Qemal Lika, oficer karriere - PR

- Drejtor i Spitalit, Bashkim Shehu - PDK (ekonomist, inspektor në degën e Tatim-Taksave)

- Drejtor i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu - PD (inxhinier mekanik, pronar autoshkolle)

- Drejtor i Arsimit, Vaso Papaj - mësues (ka qenë pa punë, vetëm një vit ka punuar në arsim)

- Drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Agim Shtama - PAA

- Drejtor i Pyjeve, Enver Maloku - PAA

Librazhd

- Albtelekom, Luan Hasa - PD

- Drejtoria Arsimore, Ferid Hysa - PD

- Drejtoria e Shëndetit Publik, e kishte PDR, por e mori PDK - Agron Gega

- Zyra e Punës, Jorgjeta Sulollari - bashkëshortja e kryetarit të PBDNJ-së

- Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Mylazim Tusku - PAA

(Të gjithë të larguarit nga puna kanë fituar gjyqet dhe të drejtën e rikthimit në punë)

(Të gjitha komunat e PD-së, Hotlisht, Qukës, Polis, Stravaj, Steblevë kanë bërë spastrime në administratë)

Deklarata

Deputetët për të punësuarit partiakë

Sali Shehu - PD

Administrata duhet të jetë me specialistë. Unë shpresoj që partitë e koalicionit të kenë punësuar specialistë. Nëse kanë bërë të kundërtën, mendoj që kanë bërë gabim të rëndë

Arben Isaraj - PS

Edhe në raportimin e Avokatit të Popullit provohet ajo që keni provuar edhe ju. Pra që nuk bëhet fjalë për administratë publike, por bëhet fjalë thjesht për administratë politike. Ajo që është më interesante është se kjo administratë politike nuk pyet më as për Kushtetutën, as për ligjin, por merr vetëm urdhra. Këto varen nga vëllezërit e vegjël, që sot janë para drejtësisë, por edhe nga "Big Brother", vëllai i madh, që urdhëron në çdo kohë dhe ai vendos për administratën sot në vend

Arjan Madhi - PR

Nuk e di në ç‘këndvështrim e ka analizuar "Fiks Fare" këtë, por nëse ne themi që të administrojmë një pushtet të përbashkët në koalicion, unë nuk kuptoj që koalicioni të nënkuptonte vetëm kontributin e një ministri dhe nuk duhet të ketë figura të tjera, personalitete të tjera, të cilat mund t‘i kontribuojnë pushtetit. Në këtë këndvështrim, do të thosha që është krejt normale të jenë të punësuar figura në poste, ku ata e justifikojnë me profesionalizmin e tyre, me angazhimin e tyre. Nuk di pse nuk duhet të jenë republikanët apo dikush tjetër në qeverisje

Nikoll Lesi - PDK

Kësaj i bie që, sapo bëhesh ministër, të marrësh të gjithë administratën e partisë dhe ta kalosh në ministri. Unë këtë e kam thënë me kohë që kjo është krejtësisht e kundërligjshme, amorale dhe duhet ndaluar. Duhet ndaluar njëherë me ndryshimet e reja qeveritare. Duhet të vendoset një kusht në Parlament ose të bëhet me ligj apo me vendim nuk e di

Luan Skuqi - PD

Kam mendimin që administrata nuk është partiake

Ylli Bufi - PS

Reforma e sistemit zgjedhor duhet të garantojë këtë që, të jetë një koalicion qeverisës i qëndrueshëm, që të mos ketë nevojë që ky koalicion i qëndrueshëm të bazohet në një ndarje të tillë, në parcelizim të tillë partiak të administratës. Është një nga gjërat më të shëmtuara të këtij tranzicioni

Erion Brace - PS

Është më mirë kështu si e kemi qeverinë, është më e këndshme. Çdo fundjavë do të kemi rreth 15 milionë lekë që t‘i shpenzojmë me koncerte me "Elita 5", argëtim pa fund. Kështu që është më mirë kështu si e kemi, me këta specialistë që kemi, madje të jenë të partisë

Taulant Balla - PS

Unë e kuptoj që administrimi i pushtetit është një çështje shumë e vështirë, por pikësëpari nuk mund të konsiderohet si një byrek, ku secili nga anëtarët e familjes brenda koalicionit të mundohet të hajë copën e vet dhe harrojnë që ky byrek u takon shqiptarëve

Leonard Solis - PBDNJ

Administrata duhet mbrojtur. Ministrat janë tepër të përkohshëm, por dëmet i bëjnë të përhershme në administratë. Administrata është një pasuri kombëtare, që duhet të ketë kritere strikte dhe këta persona duhet të mbrohen me ligj, ashtu siç është dhe ligji. Është detyrë gjithashtu e Kryeministrit, që të ndjekë edhe këtë proces të rekrutimit ose të shkarkimit të punonjësve në administratë. Dëmet shkaktohen kollaj dhe janë të pariparueshme e afatgjata



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›