Bizneset greke ulin pagat e punonjesve
Presidenti i BQE, Mario Draghi sugjeron se Greqia duhet të heqë dorë nga mirëqënia sociale për të dalë nga kriza. Për Draghin kjo do të thotë se është e nevojshme një reduktim i pagave në të gjithë sektorët. Gjithashtu kreu i institutit të Frankfurtit ka vlerësuar reformat e marra nga qeveria greke kryesisht ato fiskale, si një sinjal i mirë për të punuar më shumë në nxitjen e rritjes ekonomike. Nga të dhënat më të fundit të inspektorëve të ministrisë së Punës, bëhet me dije se në vijim të krizës ekonomike, të masave të ashpra të qeverisë ndaj saj, tregu i punës ka pësuar një ndryshim të madh kryesisht pas uljes së pagave në minimum. Duke filluar që nga 14 shkurti i këtij viti shumë biznese greke kanë nisur uljet e pagave deri në 20% të punonjësve duke aplikuar kontrata individuale. Shifrat e ministrisë së Punës, tregojnë se në 45 kompani që punësojnë më shumë se 50 punëtorë janë aplikuar kontrata të reja me një reduktim mesatar të rrogave në mbi 20.95%. Në harkun kohor të një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit që parashikon një ulje të pagave deri në 22%, një kusht ky i vendosur nga qeveria dhe kreditorët ndërkombëtarë, janë firmosur jo më pak se 45 kontrata të reja në Athinë dhe Selanik, ndërsa nga tetori deri në shkurt janë rregjistruar vetëm 65 kontratat të reja në të gjithë Greqinë. Nga mesi i muajit shkurt 3.231 biznese të vogla që punësojnë në më pak se 5 punëtorë kanë paraqitur detajet e kontratave individuale të punonjësve të tyre nga të cilët rezulton një ulje e pagave me 20.063%. Një ulje e tillë e pagave ka prekur rreth 15 mijë punëtorë. Ndërkohë ministria e Punës po paraqet në Parlament një ligj të ri që do të vlerësojë ato biznese që derdhin rregullisht kontributet shoqërore të punonjësve, duke filluar nga muaji tetor kompanitë e rregullta do të paguajnë më pak për pjesën e sigurimeve të detyruara.