Bizneset, me kontrata të reja shitblerjeje mallrash
Bizneset shqiptare do të duhen të aplikojnë një model krejt të ri kontrate për shitjen dhe blerjen e mallrave, përfshi edhe shërbimet, nisur nga fakti se Shqipëria është anëtarësuar në Konventën e Shitjes Ndërkombëtare të Mallrave-CISG. Specialistët sqarojnë se përparësitë e anëtarësimit në CISG, parë nga këndvështrimi i bizneseve janë të ndryshme. Kështu, partnerët e biznesit mund të mbështeten në një tekst i cili është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë (megjithatë, nëse disa palë duan ta përjashtojnë aplikimin, kjo mbetet e mundshme, kështu që CISG nuk pengon zgjidhjet kontraktuale individuale). CISG ka 74 shtete anëtare, mes të cilave janë edhe partneret e mëdha të biznesit për Shqipërinë, siç janë Kina, Italia, Greqia dhe vendet e rajonit (vendet anëtare të CEFTA-s). Tregtia e bërë nga këta vende përbën 3/4 e tregtisë botërore. Dhe nga kjo 80% e shkëmbimeve tregtare (shitblerjeve të mallrave, eksporteve dhe importeve) i referohen si bazë ligjore Konventës. Sipas Konventës, në rastin e lidhjes së një kontrate mes një biznesi shqiptar dhe një biznesi nga një vend anëtar i Konventës CISG, ka shumë të ngjarë që kontrata në fjalë t‘i nënshtrohet Konventës CISG. Pra, edhe më parë biznesi shqiptar ka qenë i prekur nga CISG, pa e ditur një gjë të tillë. Zyra e GTZ-së në Tiranë shpjegon për "Shqip" faktin se marrëveshja për kontratat e reja sjellin ulje të ndjeshme të kostove të transaksioneve, sepse nuk ka nevojë të mësohet në lidhje me një sistem ligjor të një vendi tjetër, nuk ka nevojë të përkthehen tekstet ligjore, të kërkohet këshillim ligjor për një kuadër ligjor të panjohur, dhe nuk ka nevojë për të respektuar një formë precize për lidhjen e kontratës (gjë që do të thotë se nuk ekzistojnë kërkesa ligjore të tjera shtesë të cilat duhen respektuar). Kjo vlen, sidomos, në rastin e SME-ve, të cilat nuk kanë as kohë as para për të përgatitur kontrata shumë precize të përshtatura për çdo rast.