Bizneset: Çmimin e karburanteve e rriti qeveria
Për kompanitë e karburanteve ka vetëm një shkak për rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës dhe benzinës gjatë ditëve të fundit. Përmes një sqarimi për publikun, Shoqata e Hidrokarbureve thekson se taksat e reja të qeverisë janë shkaku për rritjen e çmimeve. Reagimi sqaron se për rritjen e çmimit të karburanteve ka ndikuar ndërhyrja e qeverisë e cila nga 1 janari i këtij viti ka nisur të vjelë taksën e qarkullimit. Kjo taksë, thekson deklarata për shtyp, kap vlerën e 2 lekëve për litër. Taksa e cila deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas arrinte në 5 lekë për litër tashme llogaritet të arrijë në 7 lekë/litër ndërkohë që kjo do të thotë së çdo litër karburant i shitur arkëton në mënyrë të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit 8.4 lekë duke përfshirë edhe TVSH-në. Sipërmarrësit theksojnë se kjo rritje e çmimeve nuk ka asnjë ndikim në arkat e kompanive të karburante dhe nuk shton fitimet e tyre por shkon në arkën e shtetit. Rritja reale e çmimit të hidrokarbureve është ajo që vjen nga konjuktura ndërkombëtare si dhe nga kursi i këmbimit të monedhës amerikane me lekun theksojnë në deklaratë përfaqësuesit e biznesit të hidrokarbureve. Ata theksojnë gjithashtu se pavarësisht ndryshimeve në bursën ndërkombëtare, rritja nuk është reflektuar ende në tregun e brendshëm të shitjes së pakicës së karburanteve.
