E Diel, 1 Nëntor 2026

Reduktimi i ndotjes, Mediu: Mbetjet, në krye të listës

Ministri i Mjedisit: Një sfidë shumë e madhe për ne do të jenë negocimet me Komisionin Europian përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku mjedisi zë 80% të paketës

Trajtimi i mbetjeve dhe reduktimi i ndotjes do të jenë sfidat e vitit 2012 për Ministrinë e Mjedisit. Gjatë një interviste për AS, kreu i Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh se mbetjet dhe implementimi i ligjit ashtu si duhet, duke u mbështetur dhe në kriteret e Bashkimit Europian, do të jetë detyra e parë për t’u realizuar jo vetëm nga institucioni që ai drejton, por edhe nga hallkat e tjera. “Për ta bërë të implementueshëm si në kuptimin që duhet të ketë çdo qytetar me sjelljen dhe detyrimet e tij, pushteti vendor me të gjitha detyrimet që ai ka si administrator i territorit ku ai ushtron autoritetin dhe qeverisja vendore në bashkëpunimet që duhet të krijojë pikërisht për të bërë investime të qenësishme për trajtimin e kësaj çështjeje, për të ecur në përputhje dhe me politikën europiane, sidomos të trajtimit të mbetjeve. Me idenë që ne të përfitojmë nga këto mbetje, që mund të shikohen si burime ekonomike për përfitimin e energjive apo dhe faktorëve të tjerë të cilët bëhen të rëndësishëm në tendencat e zhvillimit ekonomik”, - u shpreh ministri Mediu. Ai ka pranuar se problemet me mjedisin në vend janë të një shkalle të lartë, por nga ana tjetër shprehet optimist në zgjidhjen e tyre në sajë të projekteve që do të zbatohen. “Absolutisht si ministër Mjedisi nuk jam i kënaqur me situatën mjedisore që është në Shqipëri. Unë besoj që kemi probleme të cilat duhet t’i shikojmë me atë sy të realitetit që duhet. Një sfidë shumë e madhe për ne do të jenë negocimet me Komisionin Europian përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku paketa mjedisore është 80 për qind e paketës, agrikomunitar. Duhet patjetër jo vetëm një përfshirje e legjislacionit në kuadër të BE-së, por dhe implementimi i kostuar i tij. Kostoja është jashtëzakonisht e madhe”, - deklaroi Mediu. Kreu i Mjedisit u shpreh optimist edhe për Ligjin e ri të Peshkimit, i cili pritet të marrë së shpejti miratim nga Parlamenti. Ai tha se është një draft që parashikon reduktimin e abuzimeve që bëhen me peshkimin në vend, ndërkohë që prioritet do t’i jepet edhe mbrojtjes së pyjeve e shtimit të hapësirave të gjelbra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›