E Diel, 1 Nëntor 2026

Pulla fiskale, Jaupllari: Këtë vit ilaçet 20% më të shtrenjta

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-01-2012 12:49

Çmimet e ilaçeve këtë vit do të rriten me 20%, për shkak të pullës së re fiskale që do të shtohet në ambalazhet e tyre. Deklarata vjen nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arjan Jaupllari, i cili ka bërë të ditur se vendosja e pullës së dyfishtë në barna do të ndikojë në rritjen e çmimit, që do të përballohet nga pacientët, një fakt ky që është mohuar nga drejtuesit e Shëndetësisë, si dhe nga deputetët e mazhorancës gjatë diskutimit të kësaj çështjeje në Komisionin e Shëndetësisë. Kështu, ndërsa kompania koncesionare ka nisur tashmë prodhimin e pullave të reja për medikamentet, ndërkohë që vendimi për kohën e aplikimit të saj do të merret nga qeveria, kreu i Farmacistëve deklaron se pulla fiskale do të rrisë çmimin për vitin 2012 me rreth 20 për qind më shumë sesa pulla e sotme. “Është vendosur TVSH-ja e barnave. Është vendosur një pullë, e cila do të jetë pulla fiskale, që do të rrisë çmimin për vitin 2012, rreth 20 për qind më shumë se sa pulla e sotme, që është vendosur në kutitë e barnave”, - pohoi Arjan Jaupllari, në konferencën kombëtare të farmaceutikës që është mbajtur dje në Tiranë, ku janë ngritur dhe një sërë problemesh që hasen në këtë shërbim. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë të pranishëm në takim, pulla fiskale do të vendoset në ilaç dhe në recetën që sjell pacienti nga mjeku. Në këtë mënyrë arrihet të kontrollohet shitja e medikamenteve për të evituar abuzimet nga ana e farmacistëve. Lidhur me problemet në tregun e ilaçeve, Jaupllari ka deklaruar se sistemi farmaceutik në Shqipëri po shkon drejt greminës dhe fajtor i drejtpërdrejtë për këtë, sipas tij, është Ministria e Shëndetësisë. Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve ka radhitur të gjitha problemet e tregut farmaceutik, duke nisur që nga heqja e kritereve për hapjen e një farmacie, çka, sipas tij, lë pa shërbim shumë zona rurale për shkak të ngritjes së shumë farmacive në të njëjtën zonë. Një problem tjetër i ngritur nga Sindikata e Urdhrit të Farmacistëve ka qenë dhe ai i hapjes pa kriter të universiteteve që ofrojnë diploma në këtë fushë, dhe që realisht të sapodiplomuarit nuk janë profesionistë. “Sistemi farmaceutik në këto pesë vite ka bërë vetëm hapa prapa dhe jo përpara. Sistemi farmaceutik po i drejtohet greminës dhe ne bëjmë apel, që ky sistem duhet ndalur nga tatëpjeta që ka marrë. Hapat prapa janë që në legjislacion, me heqjen e konceptit të negocimit për çmimin e barnave që ka çuar në rritjen e çmimeve të barnave, heqjen e komisionit të çmimeve të barnave dhe përjashtimin e Urdhrit të Farmacistëve nga ky komision, heqjen e distancës dhe kritereve teknike për hapjen e farmacive, hapjen e universiteteve pa kriter dhe diplomave të pamerituara që marrin në këto universitete”, - theksoi Jaupllari. Sindikata e Urdhrit të Farmacistëve, ndërsa ka kundërshtuar vendosjen e pullës së re fiskale mbi barnat, ka kërkuar që farmacitë të kenë sërish një distancë të caktuar nga njëra-tjetra, ndërkohë që mbi to duhet të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme, përsa i përket çmimeve të ilaçeve që ato disponojnë. Në listën e problemeve të ngritura, Jaupllari nuk ka lënë pa përmendur edhe njëherë shqetësimin se në shumë farmaci këtë shërbim e ofrojnë veterinerët. Në përfundim të konferencës së farmaceutikës u nënshkrua edhe një rezolutë me të gjitha këto shqetësime, që i drejtohet organeve qeveritare, nga të cilat kërkohet që të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e problemeve me të cilat po përballet tregu farmaceutik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›