E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, moshat që dalin deri më 30 qershor 2012

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-01-2012 12:46

Rritet e mosha për kategorinë e dytë, shtohet vjetërsia për të parën

Nga 1 korriku vitit aktual do të rritet me 6 muaj mosha e pensionit për kategorinë e dytë, ndërsa do të shtohet 1 vit vjetërsia e punës për të parën. Barazohet mosha për kategorinë e tretë, nga viti aktual e në vazhdim burrat do të dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe gratë 60 vjeçe

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar se cilat do të jenë kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë deri më 30 qershor 2012, vit në të cilin do të arrihet edhe barazimi i parë i moshës së pensionit për punët e kategorisë së tretë. Kështu, duke filluar që nga viti aktual e në vazhdim, mosha e daljes në pension do të jetë 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë, ndërsa duhen plotësuar 35 vite pune të sigurara për të dyja gjinitë, për të përfituar pension të plotë pleqërie, dhe 20 vite për pension të pjesshëm. Për kategorinë e dytë të punëve kjo moshë do të arrihet në vitin 2014 për të dyja gjinitë, të cilat nga korriku i këtij viti e në vazhdim do të marrin pension të plotë kur të mbushin moshën 65 vjeç meshkujt dhe 60 femrat, si dhe të kenë 35 vite pune të siguruara. Për punët e kategorisë së parë mosha e pensionit do të shkojë 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë, duke nisur që nga viti 2023 e në vazhdim.

Për vitin aktual, kushtet ligjore, sipas kategorive, të përcaktuara nga ekspertët e ISSH-së, për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 59 vjeç dhe për gratë 54 vjeç. Kurse periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 32 vjet të siguruara. Për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 64 vjeç për burrat dhe 59 vjeçe për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Për kategorinë e tretë, mosha e daljes në pension për burrat është 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeçe, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar mbetet 35 vite punë. Kushti i moshës për kategorinë e mësipërme plotësohet nga burrat që kanë lindur nga data 1 janar e vitit 1947, dhe gratë që e kanë datëlindjen nga data 1 janar e vitit 1952.

Kushtet e mësipërme do të jenë të vlefshme për të dalë në pension deri në ditën e fundit të muajit qershor, pasi duke filluar që nga data 1 korrik e vitit 2012 hyjnë në fuqi kriteret e reja të përfitimit. Nga data 1 korrik e vitit aktual mosha e pensionit do të rritet me 6 muaj vetëm për punët e kategorisë së dytë, ndërkohë që nuk do të pësojë asnjë ndryshim për të të parën dhe të tretën. Po kështu, nga data 1 korrik 2012 do të shtohet me një vit edhe vjetërsia e punës për kategorinë e parë ku bëjnë pjesë profesionet e vështira, duke shkuar nga 32 vite të siguruara në 33. Më konkretisht, duke filluar që nga data 1 korrik e vitit 2012 e deri më 30 qershor 2013, kushtet e daljes në pension sipas kategorive do të jenë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, burrat do të dalin në pension kur të mbushin moshën 59 vjeç, kurse gratë 54 vjeçe, ndërkohë që vitet e punës që do të kërkohen janë 33 për të dyja gjinitë. Për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit do të jetë 64 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe 59 vjeç e 6 muaj për femrat, ndërsa periudha e sigurimit do të jetë 35 vite pune. Për punët e kategorisë së tretë, burrat do të dalin në pension kur të kenë mbushur moshën 65 vjeç, ndërsa gratë 60 vjeçe. Përveç kushteve të mësipërme, specialistët e pensioneve shpjegojnë se për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithësej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jetë e kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime.

Profesionet e ndara në tri kategoritë e pensioneve

Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.

Kategoria e parë

Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.

Kategoria e dytë

Në punë të kategorisë së dytë, për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.

Kategoria e tretë

Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.

Kushtet deri më 30 qershor 2012

Kushtet për të përfituar një pension pleqërie deri më 30.6.2012, janë si me poshtë:

1.Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1952-30.6.1953 1.7.1957-30.6.1958

Mosha vjeç 59 54

Periudha e sigurimit vite 32 32

2.Për punë të kategorisë së dytë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1947-30.6.1948 1.7.1952-30.6.1953

Mosha vjeç 64 59

Periudha e sigurimit vite 35 35

3.Për punë të kategorisë së tretë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1947-30.6.1948 1.7.1951-30.6.1952

Mosha vjeç 65 60

Periudha e sigurimit vite 35 35

4.Për nënat me shumë fëmijë: Gruaja

Datëlindja 1.7.1961-30.6.1962 Mosha vjeç 50 Periudha e sigurimit vite 30

Kushtet 1 korrik 2012-30 qershor 2013

Kushtet për të përfituar një pension pleqërie, duke filluar nga 1.7.2012 deri më 30.6.2013, janë si me poshtë:

1.Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1953-30.6.1954 1.7.1958-30.6.1959

Mosha vjeç 59 54

Periudha e sigurimit vite 33 33

2.Për punë të kategorisë së dytë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1948-30.6.1949 1.7.1953-30.6.1954

Mosha vjeç 64 e 6 muaj 59 e 6 muaj

Periudha e sigurimit vite 35 35

3.Për punë të kategorisë së tretë: Burri Gruaja

Datëlindja 1.7.1947-30.6.1948 1.7.1952-30.6.1953

Mosha vjeç 65 60

Periudha e sigurimit vite 35 35

4.Për nënat me shumë fëmijë: Gruaja

Datëlindja 1.7.1959-30.6.1960

Mosha vjeç 50 Periudha e sigurimit vite 30

Kërkesa paraprake, dokumentet që duhen

Të gjithë personat që janë afër plotësimit të kushteve të për pension duhet që patjetër të bëjnë kërkesën gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të përfitojnë masën e pensionit që ditën e parë të mbushjes së moshës. Sipas rregullores, për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë personi i interesuar, fillimisht 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH), tek inspektori pritës. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; certifikatë lindje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›