E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, procedurat e reja për tatimet

• Këtë vit bizneset do të pajisen me kasa regjistruese dhe për pasojë çdo transaksion shitblerje do të shoqërohet me faturë tatimore. Kjo vlen edhe për bizneset e vogla. Sipas projektligjit të ri shitësi është i detyruar që çdo mall që shet ta regjistrojë në kasë dhe për çdo shitje që ai kryen, blerësit duhet të marrin kuponin tatimor. Në fakt procesi i vendosjes së kasave ka nisur vite më parë, por që për fat të keq dështoi. Në këto kushte ekspertët e Ministrisë së Financave vendosën që ky proces t’i fillonte sërish. Në projektligjin e ri “Për procedurat tatimore” është parashikuar që brenda këtij viti çdo biznes do të jetë i pajisur me kasa regjistruese. Referencat Tatimorët kanë të drejtë të vendosin çmime reference për shitjet e mallrave me pakicë apo shumicë. Sipas projektligjit të ri, nëse tatimpaguesi nuk dorëzon deklaratën tatimore sipas afatit të përcaktuar atëherë inspektorët tatimorë mund të përdorin mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor që duhet të paguajë subjekti. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe në rastet kur tatimpaguesi nuk mban ose kur nuk i ruan regjistrimet e sakta të transaksioneve të tij, kur nuk bashkëpunon me tatimorët si edhe kur nuk përdor rregullisht pajisjen fiskale. Në rastet kur bizneset që hyjnë në transaksione shitblerje me para në dorë që tejkalojnë shumën 300 mijë lekë atëherë edhe në këtë rast tatimorët do të përdorin mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor që duhet të paguajë ky sipërmarrës. Në projektligjin e ri është përcaktuar se çmimet e referencës në shitjet me pakicë do të përdoren edhe në ato raste kur tatimpaguesit e TVSH-së nuk lëshojnë ose nuk mbajnë fatura tatimore.Kamatëvonesa Biznesi është i detyruar që t’i paguajë në kohë detyrimet e tij tatimore pasi në të kundërt ndaj tij do të marren masa. Projektligji i ri përcakton, se kur detyrimi tatimor nuk paguhet në afat, tatimpaguesi është i detyruar që për periudhën nga afati i pagesës deri në datën e pagesës së tatimit të paguajë kamatëvonesë për këtë shumë. Masa e kamatëvonesës është 120 për qind e interesit të bonove të thesarit që përcaktohen çdo 3-mujor nga Banka e Shqipërisë. Vlera e interesit përcaktohet në bazë të shkallës mesatare të tremujorit paraardhës. Sipas projektligjit kamatëvonesa paguhet në çdo rrethanë dhe nuk ka asnjë shans që ajo të hiqet nga administrata tatimore dhe as të ankimohet. Këtu mund të bëjnë përjashtim vetëm ato raste kur ka gabime në llogaritje ose kur detyrimi tatimor për të cilin zbatohet ndryshon. KontrolliTatimorët gëzojnë çdo të drejtë për të kryer kontroll tek bizneset. Administrata tatimore kontrollon deklaratat tatimore, llogaritë, librat dhe regjistrimet tatimore të tatimpaguesit, përfshi këtu të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me të ardhurat, shpenzimet aktive dhe marrëdhëniet financiare me palët e treta. Zgjidhja e tatimpaguesve që kontrollohen bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut të kryer nga administrata tatimore për të identifikuar tatimpaguesin, i cili është i prirur për të shkelur legjislacionin tatimor. Ministri i Financave do të jetë ai që do miratojë procedurat për kryerjen e kontrolleve tatimore. Forca Tatimorët kanë të drejtë të mbledhin taksat edhe më anë të forcës dhe këtë të drejtë tani ia jep projektligji i ri “Për procedurat tatimore”. Sa herë që administrata tatimore gjykon se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata i dërgon me postë rekomande një njoftim me shkrim ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve që ka subjekti. Por nëse tatimpaguesi nuk përdor të drejtën e tij të ankimit dhe nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore duhet ta mbledhë tatimin me çdo kusht, duke përdorur disa mënyra. Tatimorët kanë të drejtë t’i ndalojnë sipërmarrësit të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo masë do të merret ndaj të gjithë atyre personave që kanë detyrime të papaguara. Por nuk mbaron me kaq. Tatimorët kanë të drejtë që të ndalojnë transferimin jashtë shtetit të shumave të depozituara në llogaritë bankare në emër të individit tregtar apo të shoqërive tregtare që ka detyrime të papaguara. SekuestrimiNëse sipërmarrësit nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre atëherë tatimorët kanë të drejtë që të sekuestrojnë pasuritë e këtij tatimpaguesi. Administrata tatimore mund ta sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë dhe vetëm kur kanë kaluar 30 ditë, nga data kur është marrë urdhri i sekuestrimit. Pasuria e sekuestruar shitet në ankand. Të ardhurat që do të përfitohen nga shitja në ankand e pasurisë së këtij tatimpaguesi do të përdoren për të paguar shpenzimet e shitjes si dhe për të paguar koston administrative, gjobat, interesin dhe tatimin. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve nga data e përfundimit të ankandit.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›