Gjikondi: Legalizimet, kaos me ligjin e ri
• Sekretarja organizative e LSI-së, Brizida Gjikondi, tha dje se me ligjin e ri të legalizimeve të paraqitur nga qeveria “janë fshirë të gjitha afatet kohore që përcaktoninkompensimin e subjekteve private, të cilëve iu ishin zënë pronat nga ndërtimet pa leje duke i reduktuar ato në afate kaotike të paqarta, ndaj të pazbatueshme”. “Dje nga ana e maxhorancës në pushtet në Komisionin Parlamentar të Prodhimtarisë, në mënyrë jo demokratike pa prezencën e opozitës është ndryshuar rreth 70% e ligjit ‘Për legalizimin, Urbanizimin e zonave informate’ duke i ndryshuar këtij ligji strukturat thelbësore të tij”, tha Gjikondi. Sipas saj, “drafti mënjanon krejtësisht strukturat dhe kompetencat e Pushtetit Lokal dhe këto kompetenca ia kalon ALUIZNI-t, duke shkelur kështu një sërë aktesh ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për decentralizimin e pushteteve”. “Një ndryshim tjetër që prek thelbin e ligjit është procedura antisens dhe antiligjore kur ALUIZNI-t i jepet kompetenca që për objekte që mendohet se bëjnë pjesë në planin rregullues të territorit (brenda vijës së verdhë) mos të legalizohen dhe të prishen, ç’ka bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit legalizim e më pas urbanizim”, tha Gjikondi. LSI përmes sekretares së saj tërheq vëmendjen se jo vetëm ky ligj i ndryshuar totalisht, por mbarë sistemi i pronave udhëhiqet nga politika kaotike dhe antikushtetuese nga ana e mazhorancës në pushtet, duke filluar që nga konceptet që ka kjo qeveri për fitimin, kompensimin deri dhe regjistrimin e pronave.