Raporti i KKRT, Doda debaton me socialistët
• Ka nisur me debate të ashpra mbledhja e Komisionit parlamentar të Medias, ku kishte në fokus raportimin e kreut të KKRT-së, Mesila Doda, për punën e kryer gjatë vitit 2007.Debatet kanë nisur gjatë kohës së pyetjeve të drejtuara në adresë të saj nga ana e deputetit të PS-së, Musa Ulqini. Duke diskutuar në lidhje me Këshillin e Etikës, Ulqini ndërpreu Dodën duke i thënë se, “duhej të mos i shmangej pyetjeve duke i anashkaluar në përgjigjet e saj”. “Unë e di vetë se si përgjigjem, prandaj mos më ndërhy”, ka reaguar Doda, duke u ngritur në këmbë. Më pas Ulqini i është drejtuar “se ti nuk njeh ligjin dhe për këtë duhet të shkosh në burg”. Ndërsa kreu i KKRT-së, Doda, ka tentuar të lërë mbledhjen duke u ndjerë e ofenduar nga fjalët e deputetit. Më pas kanë qenë deputetët e maxhorancës që kanë frenuar Dodën që të braktisë mbledhjen e komisionit. Më pas situata është normalizuar, duke bërë që tonet e diskutimeve të jenë më të qeta se më parë. Në fjalën e saj, Doda kërkoi më shumë kompetenca nga ana e institucionit të saj, në mënyrë që të rrisë cilësinë e punës. Në raportin e KKRT-së jepen mënyra e dhënies së licencës së këtij institucioni, gjobat dhe masat në kuadër të moszbatimit të planit të frekuencave.