Bizneset shqiptare prezantojnë kapacitetet e tyre në Forumin e Kroacisë
Zhvillimet ekonomike të vendit tonë, interesi në rritje për të tërhequr investitorë të huaj, krijimi i klimës shumë të favorshme për biznes me anë të reformave fiskale dhe strukturore, janë bërë të njohura për biznesmenët kroatë nga delegacioni shqiptar i biznesit, i pranishëm ditët e fundit gjatë Forumit të biznesit kroato-shqiptar. Burime nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës bënë të ditur se në këtë forum u theksua nga pala shqiptare se, "Shqipëria i mirëpret të gjithë investitorët e huaj dhe jep garanci të plota për ta, për të zhvilluar biznese konkurruese dhe të ndershme. Fushat ku mund të bashkëpunohet janë të shumta dhe mundësitë për të bashkëpunuar janë të madha". Në përshëndetjen e tij, presidenti kroat, Mesiç, pasi ka sjellë në vëmendje rrugën e përbashkët e cila është finalizuar me sukses, pranimin e të dy vendeve tona përkrah në NATO, vuri në dukje se rruga e përbashkët sapo ka nisur. Ai ka vlerësuar në mënyrë të veçantë zhvillimet e investimet në infrastrukturë. Sipas tij, ajo që dikur dukej si një ëndërr e pakapshme, autostrada adriatiko-joniane, është sot më shumë se kurrë një realitet i prekshëm. Ai ka uruar që atë që tashmë Kroacia po e çon drejt fundit, ndërtimin e një infrastrukture moderne, shumë shpejt ta realizojë edhe Shqipëria. Vetëm kështu, sipas tij, ne do të jemi së bashku në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Në vazhdim të forumit, Dunja Konjevud nga Dhoma Kroate e Tregtisë dhe Teuta Xhindi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, kanë dhënë për të pranishmit më shumë detaje për mundësitë e biznesit mes dy vendet tona, janë ndalur në sistemet fiskale dhe format e funksionimit ligjor të bizneseve në Shqipëri e Kroaci etj.
4 Korrik 2009