Topi dhe Berisha i dërgojnë letër urimi Barak Obamës për Festën e Pavarësisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha i kanë dërguar dje letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Që të dy krerët e shtetit kanë nënvizuar marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve si dhe bashkëpunimin si partnerë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Populli shqiptar, zoti President, zgjodhi me vendosmëri të qëndrojë në krah të popullit amerikan dhe vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i bindur se kjo është rruga e vetme drejt stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit afatgjatë, kombëtar dhe rajonal dhe prova dinjitoze për t’iu bashkuar përpjekjeve për një botë më të mirë dhe më të sigurt. Duke ju siguruar për ndjenjat e thella të miqësisë së popullit shqiptar dhe me përshëndetjet më të sinqerta, ju lutem, pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” - shkruhet në mesazhin e presidentit Topi.
Ndërsa kryeministri Berisha ka nënvizuar në letër se takimi me presidentin Obama në Samitin e Strasburgut, kur Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plota në NATO, do të mbetet historike. “Si kryeministër i Shqipërisë, që pata rastin të përfaqësoj vendin tim në Samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Këhl, si anëtar i denjë në Aleancën më të madhe të familjes së kombeve të lira. Takimi me Ju dhe dorëzimi nga Ju i Traktatit të Uashingtonit do të mbeten për mua dhe të gjithë shqiptarët një çast historik i paharrueshëm. Ndaj, në emër të të gjithë shqiptarëve, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin t’Ju shpreh mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen e mbështetjen e çmuar që Ju, administrata Juaj dhe kombi i madh amerikan, miku më i madh e më i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të vendit tim, për të qenë anëtar i NATO-s”, - shkruan Berisha në mesazhin e tij.
Kryeministri gjithashtu falënderon presidentin Obama për kontributin e dhënë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. “Gjithashtu, gjej rastin t’Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë për kontributin vendimtar e të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e pavarësimin e Kosovës”, - shkruan Berisha në letrën e urimit dërguar Obamës.
4 Korrik 2009