E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria tenton te vere ne kontroll Gjykaten e Larte

Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë hartojnë draftin për funksionin e kësaj gjykate. Qeveria kërkon të mbajë nën presion Gjykatën që nuk zgjidh vetëm çështjet e Gjyqësorit, por dhe të politikës

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë duhet të kontrollohet nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë njësoj si gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit. Ky rregull i ri është përfshirë në draftin që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë mbi ndryshimet që duhet të pësojë ligji “Për funksionimin e Gjykatës së Lartë”. Kësisoj, nëse ky projektligj arrin të marrë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë nuk do të ketë më asnjë gjykatë të pakontrolluar, pavarësish nivelit që ajo përfaqëson. Burime nga Gjykata e Lartë shpjeguan dje për gazetën “Albania” se një ndryshim i tillë për këtë gjykatë do të vendoste shumë pikëpyetje mbi pavarësinë e Gjyqësorit ndaj presioneve politike. Sipas ligjit që është në fuqi, kjo gjykatë është e vetmja që ka kompetencë për të gjykuar mbi imunitetet e ministrave apo deputetëve, të cilët kanë probleme me drejtësinë. Deri tani vendimet e Gjykatës së Lartë kanë qenë të pakontestueshme dhe të zbatueshme për çdo institucion tjetër shtetëror.
Projektligji
Reformat e qeverisë në pushtetin gjyqësor pritet të sjellin sërish debate mes aktorëve kryesorë që preken nga kjo reformë. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se në planin e Drejtorisë së Kodifikimit është përfshirë hartimi i projektligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë. Të njëjtat burime sqaruan se ky draft duhet të përfundojë në fund të këtij viti. Aktualisht drafti ka marrë formën e tij të parë, duke grumbulluar fillimisht materialet ekzistuese mbi këtë shtyllë kryesore të Gjyqësorit si dhe duke vendosur pikat ku do të pësojë ndryshime. Zyrtarisht mësohet se Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” do të synojë përmirësimin e ligjit ekzistues
për ta përputhur me zhvillimet e sjella me ligjet e draftuara deri tani në ligjet për operatorët e sistemit të Drejtësisë. Megjithatë, në rrugë jozyrtare flitet se qëllimet janë krejt të kundërta. Vendosja e kontrollit të kësaj gjykate do të sillte dorë më të hekurt ndaj Gjyqësorit duke qenë se inspektorët që do të kontrollojnë gjyqtarët do të jenë vartës të Ministrit të Drejtësisë.
Funksionimi
Gjykata e Lartë funksionon aktualisht mbi ligjin që u miratua në prill të vitit 2000 me dekret të ish-presidentit Rexhep Meidani. Sipas këtij ligji, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë morën status të veçantë. Paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është e barabartë me pagën e ministrit, ndërsa ajo e kryetarit të Gjykatës së Lartë, 20 për qind më e lartë se paga e gjyqtarit të kësaj gjykate. Përveç përfitimeve, gjyqtarët në Gjykatën e Lartë kishin dhe avantazhin për të mos u kontrolluar nga inspektoratet qoftë të Ministrisë së Drejtësisë, ashtu dhe nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pikërisht ky moment ligjor pritet të ndryshojë në projektligjin e ri, i cili, me sa duket, do të përfshijë nën vëzhgimin e ministrit të Drejtësisë edhe këta gjyqtarë që deri sot janë të paprekshëm për të.

Nenet që pritet të pësojnë ndryshime

Neni 145
1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
2. Kur gjyqtarë çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Neni 140

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore e fizike dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra.

Neni 141
1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
2. Për njehsimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›