E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospagesa e taksave, Tatimet hartojnë “listën e zezë” të bizneseve debitore

Rregullorja e re u imponon strukturave në rrethe nisjen e procedurave hetimore. Subjektet me rrezikshmëri më të lartë do tu nënshtrohen kontrolleve tatimore

Ervin KOÇI

Subjektet private që iu shmangën gjatë muajve të fundit pagesës së taksave dhe tatimeve duke përfituar nga rrëmuja elektorale, nuk do të tolerohen në asnjë moment. Tatimet kanë intensifikuar këto ditë kontrollet mbi bizneset, në një kohë që burime nga kjo administratë deklarojnë për gazetën “Albania” se është hartuar tashmë edhe “lista e zezë” e subjekteve borxhlie. Kreu i Tatimeve, Artur Papajani, ka firmosur së fundi një rregullore të re, e cila ndryshon metodikën e kontrolleve sistematike mbi bizneset e dyshimta. “Bëhet fjalë për një rregullore që imponon procedura inovative, duke zgjedhur bizneset me rrezikshmëri më të lartë, të cilët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve tatimore”,- shtojnë burimet e mësipërme. Sipas tyre, rregullorja “Mbi procedurat e zgjedhjes për kontroll” përcakton rregullat dhe procedurat për zgjedhjen e deklaratave tatimore dhe tatimpaguesit për t’u kontrolluar. Procesi i zgjedhjes për kontroll do të përdorë analizën e riskut për identifikimin e atyre deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve me rrezik më të lartë potencial për fshehjen e detyrimeve tatimore. Kjo rregullore i shtrin efektet që nga 1 maji i vitit 2009. Me aplikimin e saj, nuk do të përdoret më kontrolli dhe praktikat ekzistuese. Kështu, praktika e kontrollimit të çdo tatimpaguesi për të gjithë llojet e tatimeve dhe taksave deri nga kontrolli i fundit, pra mbulimi me kontroll i të gjithave periudhave dhe të gjithë tatimeve, nuk duhet të vazhdojë të aplikohet. Sipas drejtuesve të Tatimeve, është e pamundur që të kontrollohen me efikasitet të gjithë tatimpaguesit për të gjithë tatimet dhe periudhat tatimore. Prandaj, ky institucion ka vendosur të zgjedhë deklaratat, periudhat dhe tatimpaguesit “me rrezik” më të lartë në fshehje dhe nëpërmjet kontrolleve të sakta profesionale ndaj këtyre deklaratave, periudha tatimore dhe tatimpagueseve, do të jepet mesazhi se fshehja e detyrimeve tatimore do të zbulohet dhe do të dënohet sipas ligjit.

Përzgjedhja e subjekteve

Rregullorja e re e kontrollit tatimor, përveç krijimit të mundësive për përzgjedhjen e deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve me risk të lartë në fshehjen tatimeve, i garanton tatimpaguesit se zgjedhja e tyre për kontroll bazohet në një sistem të kompjuterizuar. Sipas rregullores së re, të dalë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kontrolli do të bazohet: 1) në analizën e riskut; 2) sipas të dhënave kompjuterike shumë konfidenciale; 3) në propozimet e bëra nga drejtoritë rajonale; 4) nga informacionet e marra nga palët e treta (si KLSH etj.). Duke u bazuar në këto të dhëna, sipas rregullores në fjalë, drejtoritë rajonale dhe sektori i Analizës së Riskut pranë Tatimeve do të bëjnë listat përfundimtare të deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve që do të kontrollohen. Informacionet, kriteret dhe formula e përdorur për zgjedhjen automatike do të përmirësohen në vazhdimisht, duke u bazuar në mbledhjen e informacioneve shtesë dhe në rezultatet nga kontrollet faktike të deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve të zgjedhur.

Subjektet

Subjekt i zgjedhjes automatike për kontroll janë të gjithë tatimpaguesit, të cilët janë objekt i ligjit “Për TVSH”, si dhe tatimpaguesit që janë objekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në këtë kontekst, sistemi i analizës së riskut analizon dhe përzgjedh automatikisht deklarata tatimore me risk më të lartë, duke u bazuar në të dhënat që përmbajnë: a) formularët e deklarimit dhe pagesave për TVSH-në; b) formularët e deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi fitimin; c) formularët e deklarimit dhe pagesës së kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore; d) formularët e deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat nga punësimi e të tjera informacione nga bilancet kontabël, listë-pagesat apo burime të tjera nga palët e treta. Po ashtu, subjekt i zgjedhjes për kontroll do të jenë edhe propozimet e bëra nga drejtoritë rajonale, të cilat bazohen në eksperiencën e tyre dhe në informacionin që disponojnë nga pasqyrat, nga borderotë apo informacione të marra nga palët e treta, si bankat, zyrat noteriale, doganat, median e shkruar etj.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›