E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarqet e fituara nga PD-ja dhe PS-ja, si u nda vota e shqiptarëve

Sistemi proporcional rajonal nuk e zhduku ndarjen Veri-Jug të vendit. Demokratët dhe socialistët fituan në qarqet e tyre tradicionale

Eljona Ballhysa
Sistemi i ri zgjedhor proporcional rajonal nuk arriti të zhdukë votimin në bazë të bastioneve, ku zakonisht qarqet veriore ia kanë dhënë votën Partisë Demokratike dhe ato jugore kanë votuar për Partinë Socialiste. Edhe në këto zgjedhje, madje më e theksuar se në zgjedhjet e kaluara, vota e shqiptarëve e ndau Shqipërinë si me thikë, ku Veriu, si tradicionalisht, ia dha votën PD-së, dhe Jugu PS-së. Dy qarqet që shënojnë atë që cilësohet si Shqipëria e Mesme, konkretisht Tirana dhe Elbasani, dolën me numër të barabartë mandatesh. Ajo që është vënë re në këto zgjedhje është fitorja e katër mandateve të Partisë Socialiste në një bastion tradicional të PD-së, në qarkun e Shkodrës. Po kështu, demokratët kanë arritur të marrin jo pak, po katër mandate në qarkun e Vlorës, që njihet si bastion i së majtës. Gjithsesi, të dyja këto qarqe vazhdojnë të mbeten bastione të njërës apo tjetrës parti.
Veriu
Qarqet e Veriut, si Kukësi, Dibra, Lezha e Shkodra, edhe në këto zgjedhje vërtetuan se janë të djathtë dhe votojnë për PD-në në shumicën e elektoratit. Në bazë të të dhënave paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor rezulton që PD-ja ka korrur një fitore të thellë në qarkun e Kukësit, ku nga katër mandate gjithsej tre i ka marrë PD-ja dhe vetëm 1 PS-ja. Në qarkun e Shkodrës, nga 11 mandate gjithsej, PD-ja ka marrë jo pak, por 7 mandate deputetësh, megjithëse shpresonte për më shumë, kjo mund të cilësohet si një fitore e thellë. Ndërsa PS-ja ndoshta për herë të parë arrin të marrë 4 mandate në qarkun e Shkodrës, duke shënuar shifrën më të lartë. Edhe në qarkun e Lezhës duket se socialistët kanë fituar epërsi dhe janë përpjekur të futen në territorin e PD-së. Në këtë qark, ku mendohet se e djathta do të triumfonte me një numër maksimal mandatesh, PS-ja ka arritur të marrë 3 mandate, ndërsa PD-ja vetëm 5 të tilla nga 7 që janë gjithsej. Edhe qarku i Dibrës ka votuar djathtas, ku nga 6 mandate deputetësh, 4 i ka fituar PD-ja dhe vetëm 2 PD-ja. Ajo që bie në sy është fitorja e PD-së në qarkun e Durrësit. Megjithëse si numër votash e majta dhe e djathta rezultojnë të jenë shumë pranë njëra-tjetrës, me një epërsi të vogël të së djathtës. Ndërsa si mandate rezulton PD-ja dy mandate mbi PS-në dhe një mandat mbi të majtën në përgjithësi. Kjo për faktin se nga 13 mandate që kishte qarku i Durrësit, 7 i ka fituar PD-ja, 5 PS-ja dhe 1 LSI-ja, e cila është një forcë politike që i përket spektrit të majtë.
Jugu
Qarqet e Jugut janë njohur tradicionalisht si bastione të së majtës, ku në krye ka qenë gjithmonë qarku i Vlorës. Por, në këto zgjedhje demokratët kanë arritur të fitojnë një numër të konsiderueshëm mandatesh në këtë qark. Megjithatë, zgjedhësit e Vlorës kanë ditur ta shpërndajnë votën e tyre edhe te parti të vogla, duke mos u përqendruar vetëm te dy forcat e mëdha. Ndaj dhe rezultati i zgjedhjeve paraqitet në këtë qark me më shumë kolorit duke arritur të fusë në Kuvend 4 parti, njëlloj si qarku i Tiranës. Kështu, nga 12 mandate që kishte Vlora, 6 janë fituar nga socialistët, 4 nga demokratët, 1 nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe 1 nga Partia e komunitetit çam, e cila shënoi surprizën e këtij procesi zgjedhor.
Në këto zgjedhje Fieri tregoi se është bastion tradicional i socialistëve. Nga 16 mandate deputetësh që kishte ky qark, 9 u fituan nga socialistët, 6 nga demokratët dhe 1 nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërsa në Berat të dhënat paraprake flasin për një ndarje thuajse të barabarta të votave të së djathtës dhe atyre të së majtës. Nga 8 mandate që kishte ky qark, 3 janë fituar nga PD-ja, 1 nga LSI-ja dhe 4 nga PS-ja. Por socialistët pretendojnë së kanë dhe një mandat të 5-të në Berat, ndaj do të ankimojnë procesin e numërimit të votave në KQZ dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor.
Socialistët kanë arritur të triumfojnë në Gjirokastër duke fituar 3 mandate nga 5 të tilla dhe 2 të tjerat i ka marrë PD-ja. Ndërsa në qarkun e Korçës, të Tiranës dhe Elbasanit mandatet janë ndarë në mënyrë të barabartë, pavarësisht se e majta ka qenë në avantazh në numër votash. Kjo ka qenë e kushtëzuar nga sistemi i ri elektoral, proporcional rajonal, ku numri i votave duhej të arrinte një përqindje të caktuar, të ndryshme për secilin qark, për të fituar mandatin tjetër të deputetit.
Kështu, në qarkun e Korçës, nga 12 mandate gjithsej, PD-ja dhe PS-ja kanë marrë nga 6 mandate secila. Në qarkun e Elbasanit, nga 14 mandate, PD-ja dhe PS-ja kanë marrë nga 7 mandate secila. Ndërsa në Tiranë, nga 32 mandate, PD-ja ka marrë 15, PS-ja 15, PR-ja 1 dhe LSI-ja 1 mandat.

Qarqet dhe ndarja e mandateve
Tirana 32 mandate
15 PD
15 PS
1 PR
1 LSI

Shkodra 11 mandate
7 PD
4 PS

Kukësi 4 mandate
3 PD
1 PS

Lezha 7 mandate
5 PD
3 PS

Dibra 6 mandate
4 PD
2 PS

Durrësi 13 mandate
7 PD
5 PS
1 LSI

Elbasani 14 mandate
7 PD
7 PS

Fieri 16 mandate
9 PS
6 PD
1 LSI

Berati 8 mandate
4 PS
3 PD
1 LSI

Korça 12 mandate
6 PD
6 PS

Gjirokastra 5 mandate
3 PS
2 PD

Vlora 12 mandate
6 PS
4 PD
1 PDI
1 PBDNJ

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›