Bizneset, si ti llogarisin kontributet e sigurimeve për deklarim në tatime
Ervin KOÇI
Të gjithë subjektet e biznesit kanë të drejtën e ligjshme që të informohen në lidhje me pagesat që ata duhet të kryejnë për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Administrata tatimore ka nxierë dhe bërë publike gjatë muajit gusht dhe më saktë në datën 25 gusht 2009, një material i cili sqaron të gjitha subjektet private se si ata të orientohen për të përllogaritur pagesën për kontributet e sigurimeve. Për të vepruar në mënyrë, lidhur me llogaritjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, DPT-ja me anë të këtij materiali udhëzues i sqaron subjektet si më poshtë: Punëdhënësi bën sigurimin e punëmarrësit, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës apo në aktin e emërimit dhe vazhdon të paguajë kontribute gjatë gjithë kohës, që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. Kur fillimi dhe ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës bëhen gjatë muajit, kontributet llogariten e paguhen në bazë të pagës së realizuar gjatë ditëve të punës. Pra kontributet llogariten në bazë të pagës së realizuar nga punonjësi gjatë ditëve të punës të muajit, e cila mund të jetë edhe më e ulët nga paga minimale mbi të cilën llogariten kontributet, vetëm në rastet e fillimit të punës gjatë muajit mbi bazën e një kontrate ligjore të re punësimi, si dhe të rasteve të ndërprerjes përfundimtare, gjatë muajit, të marrëdhënieve të punësimit midis punëdhënësit dhe punëmarrësit përkatës.
Llogaritja e kontributeve
Llogaritja e kontributeve për punëmarrësit, të cilët gjatë muajit punojnë te subjekti
përkatës me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj bëhet si më poshtë: Për qëllimet e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, masa
e kontributit për t’u paguar për punëmarrësit me kohë të pjesshme përcaktohet nga VKM-ja Nr.1114, datë 30.7.2008 e ndryshuar. Në zbatim të këtij vendimi, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që janë me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore e shëndetësore, llogaritet për degët e sigurimit, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor, në përqindjet përkatëse, mbi pagën bruto mujore sipas listëpagesës, por jo më pak se niveli i pagës bruto të përcaktuar në VKM-në nr.995, datë 02.7.2008, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve, edhe për këta të punësuar, do të jetë ajo e përcaktuar në VKM-në nr.1114, datë 30.7.2008.
Sigurimi i detyruar
Punëdhënësi ka detyrimin ligjor të bëjë sigurimin e punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës apo në aktin e emërimit dhe vazhdon të paguajë kontribute gjatë gjithë kohës, që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. Kur fillimi dhe ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës bëhen gjatë muajit, kontributet llogariten e paguhen në bazë të pagës së realizuar gjatë ditëve të punës. Në mbështetje të Kreut V të Kodit të Punës, personi juridik dhe personi fizik punëdhënës janë të detyruar të nënshkruajnë kontratë pune me punëmarrësit e tyre, me kohë të plotë ose të pjesshme. Gjithashtu në mbështetje të nenit 15 të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, i ndryshuar dhe të VKM-së nr. 594, datë 22.12.1997 “Për regjistrin që mban punëdhënësi për punëmarrësit e tij, i ndryshuar”, ata janë të detyruar të mbajnë regjistrime për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara (në të holla ose si përfitime në natyrë) për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesshme. Si më sipër veprohet dhe për llogaritjen e kontributeve për punëmarrësit, të cilët gjatë muajit punojnë me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, si dhe për rastet e ndërprerjes së punës për disa ditë të plota gjatë muajit, por që koha e punuar në ditët e tjera të muajit është më pak se 87 orë dhe punëmarrësi nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet e punësimit me punëdhënësin përkatës pra vazhdon të jetë në fuqi kontrata egzistuese e lidhur midis tyre.
Subjektet, sigurim të detyruar për punonjësit me kontratë
Të gjitha subjektet private janë të detyruara me ligj që të bëjnë sigurimin e atyre punonjësve të cilët janë të punësuar në to në bazë të një kontrate pune. Në këto raste, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, duke filluar nga data 01 maj 2009, është 26,7 për qind të pagës bruto sipas listëpagesës, por jo më pak se niveli i pagës 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë. Kur paga bruto mujore, për kohën apo ditët e punuara gjatë muajit, sipas listëpagesës, është më e madhe se paga minimale mujore 18.000 lekë atëherë llogaritja e tyre do të bëhet mbi nivelin e pagës reale sipas listëpagesës deri në kufirin e pagës maksimale mbi të cilën llogariten kontributet 80.600 lekë.
Si bëhet llogaritja e kontributeve për punëmarrësit
Llogaritja e kontributeve për punëmarrësit, të cilët gjatë muajit punojnë te subjekti
përkatës me kohë, të plotë ose të pjesshme, që zgjat më shumë se 87 orë në muaj bëhet si më poshtë: Të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë, të plotë ose të pjesshme, për më shumë se 87 orë në muaj, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor. Mbështetur në këtë vendim, kontributet për gjithë degët e sigurimit shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, duke filluar nga data 01 maj 2009, llogariten me 27,9 për qind të pagës bruto sipas listëpagesës duke mbajtur parasysh: 1) Kur paga bruto mujore, për kohën apo ditët e punuara gjatë muajit, sipas listëpagesës, është më e ulët se paga minimale mujore mbi të cilën llogariten kontributet atëherë llogaritja e tyre do të bëhet mbi nivelin e pagës minimale 18.000 lekë. 2) Kur paga bruto mujore, për kohën apo ditët e punuara gjatë muajit, sipas listëpagesës, është më e madhe se paga minimale mujore 18.000 lekë atëherë llogaritja e tyre do të bëhet mbi nivelin e pagës reale sipas listëpagesës deri në kufirin e pagës maksimale mbi të cilën llogariten kontributet 80.600 lekë. Si më sipër veprohet për llogaritjen e kontributeve për punëmarrësit, të cilët gjatë muajit, pavarësisht nga ditët e punuara, punojnë më shumë se 87 orë në muaj, si dhe për rastet e ndërprerjes së punës për disa ditë të plota gjatë muajit por që koha e punuar në ditët e tjera të muajit është më shumë se 87 orë dhe punëmarrësi nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet e punësimit me punëdhënësin përkatës pra vazhdon të jetë në fuqi kontrata egzistuese e lidhur midis tyre.
Si bëhet sigurimi në bazë të pagës minimale
Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore
e shëndetësore përcaktohet si më poshtë: Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga data 1.5.2009 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 16.120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80.600 (tetëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekë. Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur, e cila nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale, e përcaktuar në paragrafin e parë, të kësaj pike. Për sa më sipër, mbështetur në VKM-në Nr.522, datë 13.5.2009, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, mbështetur në nenin 111, të Ligjit Nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve për gjithë punëmarrësit (jo të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët ata punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht) nga data 01 maj 2009 është 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë. Në këtë kuptim, paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore prej 16.120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë zbatohet vetëm nga personat fizikë (të vetëpunësuar, me ose pa punëmarrës) dhe vetëm për të vetëpunësuarin, si dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht, pavarësisht nga orët apo ditët e punës të punuara gjatë muajit nga ana e tyre.
1 Shtator 2009