“Durrës-Kukës” zhvlerësoi lekun, financimi në euro tronditi tregun valutor
Përdorimi i euros në tregun e brendshëm për financimin e rrugës “Durrës-Kukës” po shkund fort tregun e këmbimit valutor, duke sjellë edhe zhvlerësimin e monedhës vendase. Burime jozyrtare nga Banka e Shqipërisë kanë bërë të ditur se gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë marrë të paktën 190 milionë euro përmes financimit të brendshëm, gjë që ka ndikuar jo pak në tharjen e tregut për monedhën europiane. Por, qeveria e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke u shprehur se fondet për projektin gjigant janë marrë nga kreditë e huaja ose nga të ardhurat e siguruara nga privatizimet. Duke iu referuar të dhënave të buxhetit të shtetit rezulton se gjatë kësaj periudhe janë marrë euro nga qarkullimi i brendshëm. Burimet zyrtare pohojnë se çdo muaj dalin nga buxheti i shtetit 25 milionë euro për ndërtimin e segmentit “Rrëshen-Kalimash”. Të dhëna jozyrtare flasin se kjo shumë mund të ketë qenë më e madhe gjatë kësaj periudhe edhe për shkak të presionit që qeveria ka ushtruar ndaj firmës për përfundimin e shpejtë të rrugës.
Tharja e euros
Prej rreth 1 viti ata që ndjekin tregun e këmbimit valutor kanë parë se ka mungesë të madhe të euros, gjë që ka sjellë vlerësimin e saj. Për pasojë, leku duket se ka marrë tatëpjetën, duke u zhvlerësuar me të paktën 5.7 pikë përqindje brenda një viti. Të dhënat flasin qartë: Në tetor të vitit të kaluar 1 euro këmbehej me 123 lekë, ndërsa sot ajo ka arritur të paktën 132. Një fenomen i tillë ka vazhduar edhe në ditët kur pritet futja e një sasie të konsiderueshme të euros në qarkullim. Me mijëra emigrantë kanë ardhur për pushime pranë familjeve të tyre. Ndërkaq, sezoni turistik nuk flet për shenja të këqija dhe monedha europiane vazhdon të rritet. Në anën tjetër, ashtu siç ka ulje të eksporteve, është vënë re edhe ulje e ndjeshme e importeve, gjë që tregon se nuk ka rrjedhje masive të euros jashtë vendit për blerje mallrash dhe shërbimesh. Gjithsesi, ekspertët janë përpjekur që të gjejnë shkaqet e zhvlerësimit të vazhdueshëm të lekut, sidomos me euron, monedhë e cila tashmë përdoret masivisht nga shqiptarët në blerjen e mallrave dhe pasurive të patundshme.
Ku rrjedh euroja?
E përjavshmja ekonomike, “Monitor”, thotë: “Aktorët e tregut kanë vënë re se pas përfundimit të ankandeve të bonove të thesarit, ditën tjetër vihet re përgjithësisht një zhvlerësim i lekut, që ata e lidhin me mundësinë se këto para kthehen në valutë për të paguar faturat e shpenzimeve publike, që këtë vit kanë qenë tepër të larta, kryesisht për shkak të rrugës ‘Durrës-Kukës’, por dhe si rrjedhojë e përqendrimit të shpenzimeve publike në pjesën e parë të vitit, para zgjedhjeve elektorale të qershorit”. Por, burimet zyrtare të Ministrisë së Financave e mohojnë zyrtarisht një fakt të tillë. Gjithsesi, ata pohojnë se faturat e kompanisë “Bechtel&Enka” paguhen në euro. Zoti Ridvan Bode ka pohuar zyrtarisht se të ardhurat për këtë rrugë janë marrë nga kredia 230 milionëshe dhe të ardhurat e siguruara nga privatizimi i pasurive shtetërore. Qeveria ka mohuar faktin se valuta e përdorur për financimin e rrugës “Durrës-Kukës” të jetë marrë në tregun e brendshëm.
Por, të dhënat e buxhetit tregojnë se gjatë periudhës janar-maj 2009, nga buxheti i shtetit janë përdorur rreth 24.6 miliardë lekë për rrugën ‘Durrës-Kukës‘ (rreth 190 milionë euro), të cilat janë siguruar nga financimi i brendshëm, një shumë kjo e barabartë me rreth 15% të totalit të shpenzimeve të kryera nga buxhetit i shtetit për 6 muajt e parë të vitit. Kaq ka mjaftuar që të prishen ekuilibrat mes lekut dhe monedhave të huaja. Deri para një viti leku ka shfaqur një qëndrueshmëri të pashpjeguar, por kanë qenë të paktë ata që janë shprehur se një ditë leku do të “dorëzohet” përballë valutës. Thellimi i deficitit tregtar deri tani është mbuluar nga të ardhurat e emigrantëve, të cilat kanë rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Veç kësaj, fitimi i kompanive të huaja në Shqipëri del jashtë sërish në formë valute. Po ashtu, është ulur ndjeshëm edhe sasia e kredisë në euro nga sistemi bankar për shkak të rritjes së normës së interesit. Së fundi, që të dorëzohet leku ka mjaftuar ndërhyrja e qeverisë nga tregu i brendshëm, duke marrë së paku 25 milionë euro çdo muaj që të thyejë brishtësinë e monedhës tonë dhe forcojë artificialisht monedhën europiane. Për pasojë, ne e blejmë thuajse çdo mall 6-8 për qind më shtrenjtë sesa një vit më parë.
1 Shtator 2009