E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon firma: Prishja e banesave sipas vendimit

 

TIRANE – Publikimi në media i konfliktit të zhvilluar pak ditë më parë në kryeqytet mes Përmbarimit dhe anëtarëve të familjes Hysa, në rrugën “Mine Peza”, për prishjen e banesës së tyre ka sjellë dje reagimin e firmës së ndërtimit “Alb Toronto Konstruksion”. Firma e ndërtimit, e cila ka lidhur kontratë me banorët e kësaj lagjeje në vitin 2002 për të ndërtuar një pallat me dy kulla, reagoi dje nëpërmjet avokatit Baftjar Rusi, i cili tha se: “Më datë 26 gusht, përmbaruesi gjyqësor që ndodhej në terren për të ekzekutuar vendimin ka zbatuar vetëm ligjin, pasi kemi qenë para procedurave të zakonshme të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë”. I pyetur pse ekzekutimi ishte lënë në muajin gusht avokati pohoi se bëhej fjalë për një vendim të ekzekutueshëm, i shpallur nga apeli në prill 2009, në të cilin ishte vendosur lirimi dhe dorëzimi i truallit bashkë me shtëpinë për të filluar firma “Alb Toronto” ndërtimin e një pallati me dy kulla shumëkatëshe. Ekzekutimi vullnetar është kërkuar që më 17 korrik 2009, kur ka dalë urdhri i ekzekutimit nga Gjykata e Tiranës. I pyetur pse është tentuar të kryhej me ngutje, aq më tepër në muajin gusht, ekzekutimi i prishjes së banesës së familjes Hysi, avokati Rusi pohoi se: “Sqaroj se vendimet e Apelit janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme. Vendimi i Apelit për rastin në fjalë ka dalë 4 ose 5 muaj më parë, dhe pala debitore që detyrohej të lironte truallin sipas kontratës së vitit 2002, duke qenë mbartës i detyrimit sipas ligjit kishte të drejtë që bashkë me rekursin kundër vendimit të Apelit të paraqiste kërkesë të posaçme për të marrë pezullimin e vendimit të Apelit. Pra ata kanë pasur kohë në dispozicion dhe nuk kishin pse ta bënin tani kur shkoi Përmbarimi për të prishur banesat”.                                                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›