Zhduket biznesmeni i ndërtimit
VLORE/ Qemal Biraku
Zhduket në rrethana misterioze biznesmeni vlonjat i ndërtimit. Genc Habazaj, 39 vjeç ka humbur kontaktet prej mbrëmjes së të premtes. Vëllezërit e tij thonë se ai ka marrë vetëm çantën e parave, por asnjë dokument me vete. Për shkak të punës që kryente në Itali dhe suksesit prej vitesh ata hedhin dyshimin për një rrëmbim të vëllait të tyre. “Sot kishte ditëlindjen e vajzës dhe do të nisej në Itali. Por, ai nuk është bërë i gjallë prej mbrëmjes së të premtes”, tregojnë ata. Pasi e kanë pritur për dy ditë kanë bërë denoncim në policinë e Vlorës, duke kërkuar ndihmën e saj për të gjetur 39-vjeçarin. Vëllai i tij, Albert Habazaj tregon se prej 18 ditësh Genci ndodhej për pushime në Vlorë. Ai kishte ardhur me vajzën, e cila këto ditë ishte për pushime në Elbasan. Sipas tij, të premten, Genci ndodhej në plazh, në zonën e Radhimës. “Pasdite është takuar me nënën, së cilës i ka thënë se ditën e shtunë do të shkonte për një ngushëllim në Elbasan. Në orën 17:00 i ka telefonuar një shok. I ka treguar nënës se po largohej që të takonte shokun. Në orën 20:00 është parë në zonën e Rivierës në skelë, i shoqëruar me dy persona të tjerë të panjohur”. Alberti thotë se atë ditë, Genci ka këmbyer makinën e tij fuoristradë me të një shoku, i cili punon në Itali me të, pasi donte të shkonte në një fshat të Vlorës. Pas shkëmbimit të makinave nuk dihet se çfarë ka ndodhur, pasi ajo e Gencit është gjetur para pallatit të tij në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku dhe banonte i vetëm Habazaj. Nga kontrolli në shtëpi rezulton se me vete ai ka pasur celularin me kartë shqiptare si dhe çantën e vogël që mbante me para, i veshur me pantallona të shkurtra dhe këmishë të zezë. Dokumentet dhe dy celularë me karta italiane i ka lënë në shtëpi. Rreth orës 21:00 është shkëputur çdo kontakt me të. Vëllai i Gencit thotë se, e kanë pritur dhe të shtunën për t’u nisur për në Elbasan. Kur kjo nuk ka ndodhur, kanë nisur dyshimet dhe shqetësimet për të. Në telefon përgjigjja kompjuterike ishte se “abonenti nuk përgjigjet për momentin, por do të njoftohet”. Më pas i vëllai dhe të afërm kanë kontaktuar dhe me personin që i mori makinën. Ai është përgjigjur se makinën ia kishte kërkuar për në fshat se ishte rruga e keqe dhe nuk ka folur më pas me të. Mbrëmjen e së dielës, familjarët e Habazajt i janë drejtuar policisë, duke denoncuar zhdukjen e njeriut të tyre. Policia ka filluar hetimet, duke marrë fillimisht në pyetje disa shokë dhe të njohur të tij, ndërsa pritet dhe zbardhja e telefonatave të kryera në momentet e fundit.
I vëllai, por dhe të afërm të tjerë, thonë se Genci nuk ka pasur asnjë sherr apo konflikt me njeri. “Genci ishte i zgjuar dhe nuk futej dot kollaj në grackë. Por, nëse ka ndodhur diçka, atë mund t’ia kenë bërë shokët dhe të njohurit e tij, tek të cilët ka pasur besim”, shprehen familjarët. Ata kanë frikë se mund t’i ketë ngjarë ndonjë gjë e keqe që ai nuk ka mundur të lidhet me ta. Dje ishte ditëlindja e vajzës 9-vjeçare të tij dhe sipas planit, do të nisej drejt Italisë, ku jetonte ish-gruaja me djalin e madh. Për zhdukjen e tij është njoftuar dhe ish-bashkëshortja e tij në Itali, e cila është nisur me urgjencë për në Vlorë. Të afërmit e Gencit përjashtojnë mundësinë e një konflikti me njerëzit e bashkëshortes.
Pistat
Prokuroria po heton në disa pista, si:
-largimi i tij nga Vlora me dëshirë për punë personale
-marrja peng për mundësinë e mospagesës së pagave të ndonjë punëtori shqiptar
-rrëmbimi për shkak të parave që ka pasur me vete
Habazaj, ish-punonjës policie
Genc Habazaj që prej vitit 1990 kishte emigruar në Itali. Prej vitesh ai kishte nisur një aktivitet privat, duke krijuar biznes ndërtimi, (kryesisht rikonstruksion), me punëtorë shqiptarë e italianë. Para 1 viti ishte divorcuar nga e shoqja, me të cilën ka 2 fëmijë, Klajdin 14 vjeç dhe Irisin, 9 vjeçe. Ka mbaruar shkollën e pikturës, si dhe të policisë. Për pak kohë ka punuar në policinë e Vlorës, por pas hapjes së kufirit u largua drejt Italisë. Ditën e djeshme ai do të nisej për në Itali, bashkë me të bijën, për të festuar atje ditëlindjen e saj.