Bizneset “spiunë”, si bëhet denoncimi për tatimorët që kërkojnë ryshfet
Ervin KOÇI
Të gjithë subjektet e biznesit në vend kanë të drejtën dhe mundësinë që këtej e tutje të denoncojnë të gjitha rastet e abuzimit kur ndaj tyre kërkohet ryshfet nga punonjësit tatimor. Kjo gjë është bërë e mundur falë një projekti bashkëkohor të mundësuar nga USAID-i, i cili ka nisur të zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për të luftuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën në radhët e saj. Në bazë të këtij projekti i jepet mundësia të gjitha subjekteve private që nëpërmjet mënyrave të sofistikuara dhe anonime të bëjnë denoncimin e çdo rasti korruptiv ose të atyre fenomeneve kur punonjës të ndryshëm tatimor u bëjnë presion atyre me synim marrjen e ryshfetit. Për këtë qëllim në DPT-ë është ngritur edhe një drejtori e posaçme e njohur si Drejtoria e Investigimit të Brendshëm e cila merret në mënyrë direkte me fenomenet e korrupsionit ose shkeljeve nga ana e punonjësve tatimorë kundrejt subjekteve të biznesit. Kjo strukturë e re, u vjen në ndihmë të gjithë subjekteve të biznesit duke i mbështetur që të denoncojnë në mënyrë të saktë dhe anonime të gjitha rastet e korrupsionit ose të ryshfetit nga ana e punonjësve të tatimeve. Sqarimet për çdo subjekt privat dhe mënyrat se si ata të procedojnë për të kryer denoncimet janë transparente dhe të publikuara dhe në faqen e internetit të DPT-së. Në një nën-faqe të posaçme brenda asaj zyrtare të DPT-së subjektet kanë mundësinë të denoncojnë aktet korruptive, apo sjelljet jo etike të punonjësve të Administratës Tatimore, si dhe evazionin fiskal apo shkeljen e ligjeve tatimore.
Denoncimi
Çdo subjekt privat biznesi i ndodhur nën trysni apo presionin e një zyrtari të tatimeve ka të drejtën ta denoncojë këtë të fundit, por tani në një formë të sofistikuar dhe duke ruajtur anonimatin. Subjekti mund t’i paraqes shqetësimet e tij dhe mund t’i denoncojë fenomenet korruptive pranë Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm në disa forma. Denoncimi mund të bëhet së pari duke telefonuar pa pagesë nga një numër telefoni fiks në numrin “0800 14 14” ku gjatë orarit zyrtar të punës (08:00-16:00, nga e hëna në të premte) një punonjës i DPT-së u përgjigjet atyre dhe u shërben duke ruajtur konfidencialitetin. Në ditët e pushimit zyrtar dhe jashtë orarit zyrtar të punës (nga ora 16:00 - 08:00) subjektet mund të lënë një mesazh në këtë numër telefoni, duke paraqitur shqetësimin apo denoncimin e tyre. Po kështu ata kanë mundësinë që të dërgojnë edhe mesazhe në adresën e postës elektronike denoncime@tatime.gov.al.
Formulari
Për çdo rast denoncimi ndaj tatimorëve, subjektet e biznesit mund të ndjekin disa procedura specifike që kanë për synim jo vetëm ruajtjen e anonimatit të denoncuesit, por dhe bërjen e rastit sa më evident dhe konkret. Kjo gjë bëhet duke përdorur formularin "Informacion për Akte Abuzive", që për herë të parë përdoret në Administratën Tatimore shqiptare i ardhur sipas eksperiencës amerikane. Çdo individ apo subjekt mund ta shkarkojë këtë formular fare thjeshtë nga faqja e internetit të DPT-së. Në këtë formular subjekti denoncues duhet të plotësojë disa elementë siç janë të dhënat identifikuese të zyrtarit tatimor që ka kryer shkelje, apo ka abuzuar me detyrën. Denoncuesi mund të shënojë edhe të dhëna shtesë për zyrtarin tatimor siç janë: adresa e punës së zyrtarit, funksionin që ai ka, etj. Formularin e plotësuar, subjekti mund ta dërgojë me postë në adresën: Sektori i Informacionit “Call Center”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ose duke e dorëzuar dorazi në Sektorin e Informacionit po në të njëjtën adresë.
Tatimi mbi fitimin, të ardhurat 1.7 miliardë lekë më pak
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 7-mujorin arritën në rreth 10.4 miliardë lekë nga 12 miliardë të planifikuara: rreth 1.7 miliardë lekë më pak se parashikimi për periudhën. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga ky tatim kanë pësuar një ulje prej 519 milionë lekë, ose 4.78 për qind. "Tatimi mbi fitimin e kompanive parapaguhet në bazë të fitimeve të realizuara gjatë periudhave të mëparshme të aktivitetit të tyre, prandaj ky tregues është reflektim i ecurisë së sektorit privat për vitin paraardhës", shprehet Ministria e Financave. Megjithatë, parashikimet e kompanive për fitimin e vitit 2009 mund të jenë rivlerësuar në rënie, duke marrë në konsideratë efektet e mundshme të krizës ekonomike dhe financiare në vendet me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie ekonomike dhe tregtare, vijon sqarimin ministria.
1 Shtator 2009