Bizneset:Politika po zvarrit Gjykatën Administrative
Bizneset kërkojnë nga politika që të shmangin debatet dhe të marrin seriozisht angazhimin për të miratuar projektligjin "Për gjykatën administrative". Grupe të ndryshme biznesi, të pranishëm dje në Komisionin e Ligjeve, theksuan rëndësinë që ka miratimi sa më shpejt i ligjit, për hartimin e të cilit ka kontribuar edhe USAID. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias, duke folur edhe në emër të 11 shoqatash biznesi, përfshirë edhe dhomat e tregtisë, tha para deputetëve që të gjendet konsensusi për të miratuar projektligjin, i cili shkurton afatin për gjykimin e çështjeve administrative, kryesisht ato subjekteve private. "Në parim, forcat politike kanë rënë dakord për miratimin e projektligjit, por për probleme të tyre, procesi është shtyrë disa herë, duke krijuar vonesa në dëm të biznesit", tha Buxhuku. Në komision ishin edhe përfaqësues të USAID-it, të cilët ndihen të shqetësuar për zvarritjen e miratimit të "gjykatës administrative" nga Kuvendi i Shqipërisë. Projekti ka mbërritur në komision që në muajin janar dhe ende nuk ka marrë formën e plotë. Ndërkaq, agjencia amerikane USAID do të jetë institucioni kryesor për zbatimin e prefektit, ku falë fondit 2 milionë dollarë, parashikohet ngritja nga e para e ambienteve, trajnimin e gjykatësve, si dhe rritje të shërbimit. Bizneset kërkuan nga deputetët e Komisionit të Ligjeve që të miratohen një propozim i ri, që lidhet me faktin se gjykatësit duhet të jenë të profilizuar vetëm me natyrën e çështjeve administrative, pra të merren vetëm me proceset që lidhen me ankesat e biznesit apo dhe të tatimorëve. Komisioni e pranoi sugjerimin, duke vijuar punën për diskutimin e projektligjit nen për nen. Gjykatat Administrative, projekt i hartuar edhe me ndihmën e ekspertëve austriakë, synon thelb shkurtimin e afatit të procesit gjyqësor, duke e kushtëzuar me kohën për 30 ditësh.