Borxhe tek Ujësjellësi, paditet "Ital-Krom"
Paditet firma koncensionare, "Ital-Krom". Objekt i padisë kundër firmës italiane kanë qenë borxhet e shumta të akumuluara gjatë viteve të aktivitetit të saj. Ka qenë Ujësjellësi i Burrelit ai që ka depozituar një padi në gjykatë, ku kërkon nga firma "Ital-Krom" shlyerjen e faturave të ujit të pijshëm. Lajmi konfirmohet nga drejtori i shoqërisë aksionere të ujësjellësit, Shemsi Shema, i cili u shpreh se i është drejtuar gjykatës me një padi për të detyruar firmën italiane që të paguajë borxhet e krijuara ndaj ndërmarrjes që ai drejton. "Kemi pritur gjatë, por firma në asnjë rast nuk ka bërë likuidimin e faturave të ujit të konsumuara prej saj. Madje pronari i firmës, Mario Apollon, u largua nga Shqipëria pa u ndjerë fare, duke na lënë të habitur se si firma të tilla fantazmë duken e zhduken në vendin tonë sipas dëshirës së tyre, pa zbatuar detyrimet kontraktore të tyre, duke lënë pas probleme kaq të mëdha", thotë Shema. Mësohet se borxhi i firmës ndaj Ujësjellësit kap shumën e 6.4 milionë lekëve. Ndërkohë, firma ka mbyllur uzinën e Ferrokromit për pamundësi financiare.