E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, studim i ri për tre lumenj

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shpenzuar 1 milion euro për të pasur një studim të ri mbi mundësinë e shfrytëzimit të tre lumenjve të rëndësishëm për prodhim të energjisë elektrike, njoftoi dje drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Studimi kreu matje hidrike dhe vlerësime gjeologjike, sizmike dhe mjedisore, në lumenjtë Vjosë, Drin i Zi dhe Seman, dhe vlerësoi se këta lumenj mund të japin rreth 3 miliardë kWh energji elektrike në vit, prodhim që ka një vlerë tregtare prej rreth 150 milionë eurosh me çmimet aktuale të importit të energjisë në Shqipëri. Lumenjtë e mësipërm qenë studiuar më herët gjatë kohës së komunizmit, por sipas Bojaxhiut, "studimet e sotme marrin parasysh edhe pasojat mjedisore të ndërhyrjeve të tilla si dhe vlerat e humbura bujqësore nga përmbytja e tokave me liqene".

Studimi vlerëson ndërtimin e hidrocentraleve të reja me fuqi të instaluar prej 460 MW në lumin Vjosë, hidrocentrale që mund të prodhojnë rreth 1.9 miliardë kWh në vit. Në Drinin e Zi, pra segmenti nga liqeni i Fierzës deri në kufirin tokësor me Maqedoninë, vlerësohet se mund të ndërtohen hidrocentrale me fuqi 168 MW dhe me prodhim vjetor prej 656 milionë kWh. Në lumin Seman mund të instalohen 93 MW hidrocentrale, ndërsa prodhimi vjetor vlerësohet në 380 milionë kWh në vit. Skema e re kombinon hidrocentralet me digë me ato me kanale me rrjedhje të lirë, kryesisht për të shmangur përmbytjen e tokave dhe zhvendosjen e fshatrave. Studimi i ri i KESH-it nuk ka përcaktuar ende numrin e hidrocentraleve që mund të ndërtohen në këta tre lumenj.

Gjatë viteve të fundit, projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja kanë ndryshuar shpesh skemat e shfrytëzimit të përcaktuara dekada më parë, gjë që sipas një pjese të ekspertëve, ka ulur rëndësinë strategjike të burimeve natyrore. Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin Drin fillimisht qe projektuar me digë, me synim që të shërbente edhe si basen ujëmbledhës, por një projekt i ri, i hartuar nga një kompani private, ka hequr digën dhe e ka zëvendësuar me tunele, gjë që rrit përfitueshmërinë e hidrocentralit si njësi më vete, por ul vlerën e tij në sistemin energjetik kombëtar.

Shqipëria ka burime ujore të mjaftueshme për të prodhuar teorikisht deri në 12 miliardë kilovat/orë energji në vit, shifër kjo dy herë më e lartë sesa konsumi aktual dhe tre-katër herë më e lartë sesa prodhimi aktual. Por në praktikë, Shqipëria nuk ka arritur të ndërtojë asnjë hidrocentral me përmasa të konsiderueshme që nga viti 1986.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›