E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, shteti kërkon zhdëmtim

Presidenti i firmës së ndërtimit, që shkaktoi shembjen e pallatit në lagjen "11 Janari" në Gjirokastër, mund të detyrohet t‘i kthejë shtetit 46 milionë lekë, shumë kjo që u dha për zhdëmtimin e banorëve që mbetën të pastrehë pas rrëzimit të pallatit. Gjykata e Rrethit të Gjirokastrës pranoi shqyrtimin e një kërkese në fillim të seancës së radhës për tragjedinë e 9 nëntorit 2008, ku si pasojë e shembjes së pallatit pesëkatësh vdiqën tri persona, shumë të tjerë u plagosën dhe 15 familje mbetën pa strehë.

Kërkesa për ngritjen e padisë civile ndaj Sotiraq Janorës është bërë nga Kryeministria dhe është paraqitur nga avokati i shtetit, Kristaq Kutra. Lidhur me këtë kërkesë, avokati mbrojtës i Janorës ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo kërkesë të mos merret parasysh pasi, sipas ligjit, një akuzë e tillë mund të ngrihet vetëm nga të dëmtuarit, që në këtë rast janë banorët e pallatit dhe jo shteti që ka dhënë paratë si dëmshpërblim për ta, sepse ashtu e ka menduar dhe e ka dashur vetë.

Kërkesa e palës mbrojtëse është mbështetur edhe nga avokatët e tjerë, të cilët kanë kërkuar nga trupi gjykues që në rast se kërkesa e avokatit të shtetit merret parasysh, atëherë çështja civile do ndahet nga çështja penale për të mos vonuar gjykimin e të pandehurve.

Ndërkohë, në fillim të seancës së djeshme është kërkuar nga avokati mbrojtës i të pandehurit, Gjergji Meçe, drejtues teknik i punimeve, për ta ndarë çështjen e tij nga të pandehurit e tjerë, kërkesë kjo që nuk u mor parasysh nga trupi gjykues, i cili kryesohej nga vetë kreu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Desard Avdulaj.

Pas kësaj, seanca ka vijuar me kërkesën e paraqitur nga avokati Kristaq Zharkalli, që mbron të pandehurin Alfred Mamani, i cili ka kërkuar paraqitjen si dëshmitar të kreut të bashkisë, Flamur Bime, pasi, sipas tij, në Bashkinë e Gjirokastrës funksionimi ka qenë vertikal dhe jo paralel, çka do të thotë se një nëpunës nuk jepte llogari te shefi i tij, por te vetë kryetari i bashkisë si drejtues kryesor i institucionit të qeverisjes vendore.

Ndërkohë, të gjitha akuzat e paraqitura nga dy prokurorët janë hedhur poshtë nga të gjithë avokatët e të pandehurve që kanë qenë prezentë në sallë dhe për këtë ata premtuan se në seancat në vazhdim të gjyqit do të provojnë pafajësinë e klientëve të tyre.

Sipas kreut të trupit gjykues, Desard Avdulaj, seanca e radhës e këtij gjyqi që konsiderohet si "gjyqi i vitit", do të zhvillohet në datën 5 maj dhe sipas tij dhe prokurorëve, në këtë proces priten të dëshmojnë dhe dëgjohen 31 dëshmitarë.

Seanca e djeshme ishte e dyta e procesit në ngarkim të shtatë të pandehurve, të cilët akuzohen si shkaktarë të shembjes më 9 nëntor të vitit të kaluar të pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari" të këtij qyteti, ku humbën jetën tre shtetas, u plagosën disa të tjerë dhe mbetën pa strehë 15 familje. Për shkak të numrit të madh të të pandehurve, të akuzave të ndryshme dhe vetë sensibilitetit që ka shoqëruar këtë ngjarje tragjike, prokurorët, gjyqtarët, avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit parashikojnë një "maratonë" të gjatë seancash gjyqësore dhe ky parashikim u vërtetua qysh në seancën e parë, e cila u anulua në datën 5 prill për shkak të mungesës në sallë të të pandehurit Admir Shehaj, i cili ndodhej i shtruar në spitalin e burgut në Tiranë dhe të mungesës së të pandehurit tjetër, Alfred Mamani, i cili sipas vendimit të Gjykatës së Lartë hetohet dhe gjykohet në gjendje sigurie "arrest shtëpie", por që nuk ndodhej në sallë, sepse nuk ishte njoftuar sipas kornizës ligjore.

Gjatë kësaj seance të dytë, ku në sallë ishin prezentë të shtatë të akuzuarit, trupi gjykues i kryesuar nga Desard Avdulaj është njohur zyrtarisht me përfaqësuesit ligjorë që do të marrin pjesë në këtë gjykim. Për dy nga shtatë të pandehurit në sallë kanë munguar avokatët mbrojtës, por gjithsesi, vetë të pandehurit kanë pranuar ta vazhdojnë seancën gjyqësore edhe pa praninë e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›