Saranda ka etje, dy familje grinden për radhën e ujit, plagosen tre persona
Sarandë – Tingëllon si e shkuar në kohë, por është e vërtetë që ka qytete ku banorët qëndrojnë me orë të tëra në radhë për ujë të pijshëm. Jo në pak raste radha e ujit bëhet shkak i sherreve mes banorëve, madje ndonjëherë mosmarrëveshjet kanë degjeneruar në dhunë. Një ngjarje e tillë është shënuar dje në Sarandë dhe ka pasur për protagoniste dy familje të këtij qyteti, që njihet për mungesën e ujit, sidomos gjatë verës, edhe pse është piku i sezonit të plazhit.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në Lagjen Nr. 4, në kompleksin e pallateve “Joni” në Sarandë, kur mes dy familjeve ka nisur një sherr për radhën e ujit. Pas fjalëve të ndërsjella, pjesëtarët e dy familjeve, të cilat kishin pasur konflikte edhe më parë për këtë motiv, janë konfrontuar me mjete të forta duke shkaktuar tre të plagosur. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se shtetasit Harallamp e Spiro Dhaja fillimisht kanë hedhur fjalë ndaj Kaso Sulës, për të mbërritur deri aty sa të grinden duke përdorur madje edhe mjete të forta, aq sa pas sherrit të tre personat e përfshirë në të u transportuan për në spitalin e qytetit.
Hetimi
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për të zbardhur rrethanat. Sipas policisë, të plagosurit janë nga të dyja familjet dhe aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat personat e tjerë për të sqaruar me detaje ngjarjen. Sipas burimeve nga uniformat blu të Sarandës, dy familjet kanë pasur edhe më parë probleme me njëra-tjetrën për shkak të ujit, i cili mungonte në këtë zonë, ndërsa vinte me orar të paktë, duke shkaktuar kështu edhe radhë te banorët, të cilët duket se janë mësuar tashmë dhe nuk mund të bëjnë pa të.
Durrës, arrestohet italiani, kërkohej për trafikim makinash
Durrës - Një 33-vjeçar italian është arrestuar në Durrës pasi ishte shpallur në kërkim për trafikim të mjeteve motorike. Burime nga policia thanë për gazetën “Albania” se forcat e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit kryen kapjen e personit në kërkim Alessandro Lattanzi, lindur dhe banues në Teramo, i dënuar për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Sipas policisë, shtetasi italian ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar atë me 5 vjet burg për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.
Gjendet i vdekur 23-vjeçari nga Fieri, u flijua për dashurinë me lazaratasen
Gjirokastër – Një djalë nga Fieri ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri dhe dyshimet e policisë të çojnë në një vetëflijim për shkak të dashurisë së parealizuar me një vajzë nga Lazarati. I riu punonte prej pesë vjetësh si çoban. Sipas policisë, Klodian Alushi, 23 vjeç, lindur në fshatin Belishovë të rrethit Fier dhe banues në Seman të Fierit, ka humbur jetën si pasojë e plagës që kishte marrë në zemër nga një armë zjarri pushkë njëzetëshe, model 63. I ndjeri u gjet nga një person i rastësishëm dy ditë më parë rreth orës 20:00 dhe ishte ai që njoftoi edhe Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër. Forcat policore shkuan në vendngjarje, në fshatin Shtëpëz i Vjetër, të komunës Picar Gjirokastër, ku gjetën të riun e vrarë me armë zjarri. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër konkluduan pasi kryen hetimet e para, se i riu fierak, për shkaqe ende të paqarta, ka shkuar në një shtëpi të braktisur në fshatin Shtëpëz të vjetër të Komunës Picar të rrethit Gjirokastër dhe atje është shtrirë në një shtrat të sajuar, ku edhe ka bërë qitje duke i dhënë fund jetës. Pasi u kryen veprimet e para hetimore kufoma u dërgua në morgun e Spitalit Gjirokastër për veprime të mëtejshme nga eksperti mjeko - ligjor, ndërsa vendi i ngjarjes u ruajt me forca policie deri në orën 06:00 të ditës së djeshme, pasi nuk mund të kryheshin veprime për shkak të errësirës. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se u mblodhën dhe dëshmi të marra në vendin e ngjarjes dhe tha se rezultoi që Klodian Alushi, si pasojë e depresionit, është vetëvrarë me një plumb në zemër, me një armë zjarri pushkë njëzetëshe, të cilën sipas dëshmitarëve e kishte gjetur në një shtëpi të braktisur atë ditë. Shkaku i vetëvrasjes ishte depresioni për një lidhje dashurore me një vajzë nga fshati Lazarat pranë rrethit Gjirokastër. Në të vërtetë i riu kishte rreth 5 vjet që punonte me ndërprerje (punonte 6 muaj, ikte, pastaj vinte prapë) si çoban në këtë fshat dhe së fundi kishte rreth 5 muaj që kishte ardhur përsëri.
18 Gusht 2009