Polici i Durrësit,SMS në celularin e kunatit të Dajtit ditën e masakrës
Trazhgim Sokolaj
Një inspektor i policisë së Durrësit ka komunikuar me anë të mesazheve telefonike me kunatin e Dritan Dajtit ditën e masakrës, ku u vranë katër efektiva të Policisë së Shtetit në Durrës. Kontrolli i hetuesve në aparatin celular të Erges Xhoxhit, kunati i Dritan Dajtit, ka zbuluar përmbajtjen e mesazhit si dhe numrin telefonik nga i cili është dërguar teksti. Zbulimi është bërë gjatë hetimeve që po zhvillohen në lidhje me masakrën e 7 gushtit 2009 kur katër oficerë të policisë, mbetën të vrarë në tentativën për arrestimin e 38-vjeçarit të shumëkërkuar. Përdoruesi i telefonit nga i cili është dërguar mesazhi, mësohet se është identifikuar. Ai është efektiv i policisë së Durrësit, madje inspektor i atashuar në zonën ku Dritan Dajti kishte marrë një banesë me qira në afërsi të pistës “Iliria” në qytetin bregdetar. Mesazhi i dërguar nga efektivi i policisë, sipas burimeve zyrtare nga hetimi i çështjes, ka mbërritur në telefonin e Erges Xhoxhit, kunati i Dritan Dajtit, të paktën 30 minuta para masakrës. Nisur nga ky fakt, por edhe nga vetë përmbajtja e mesazhit, grupi i hetimit përjashton mundësinë e dekonspirimit të aksionit në këtë rast. “Mesazhi në fjalë është verifikuar imtësisht, ai nuk përmban asgjë në lidhje me aksionin që do të zhvillohej nga Sektori i Operacioneve Speciale. Punonjësi i policisë që ka dërguar SMS-në nuk ka qenë në dijeni të aksionit për kapjen e Dritan Dajtit”, thanë burimet zyrtare nga grupi i hetimit.
Të kërkuarit, “miqësi” me policinë
Sipas hetimeve rezulton se Erges Xhoxhi, marrësi i mesazhit të dërguar nga efektivi i policisë së Durrësit, ka qenë thuajse gjithë ditën e 7 gushtit në shoqërinë e Dritan Dajtit. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë, që kjo mënyrë komunikimi me punonjës të caktuar të policisë, të jetë zgjedhur nga Dritan Dajti me qëllim për të humbur gjurmët. Ai dyshohet se kishte vënë kunatin e tij në kontakt me inspektorin e zonës ku banonte në Durrës, në mënyrë që vetë të mos mbante kontakte direkte me punonjës të policisë. Hetuesit thonë se kontaktet e kunatit të Dajtit me inspektorin e zonës, kanë qenë një masë e të shumëkërkuarit për t’i shpëtuar përpjekjeve të policisë për kapjen e tij. Duke menduar se inspektori i zonës do të vihej në dijeni për çdo ndërhyrje policore aty, Dajti kishte vënë kontakte me punonjësin përkatës të policisë. Ditën e masakrës ndaj katër oficerëve të policisë, nuk ka ndodhur kështu. Inspektori i zonës madje as policia e Durrësit, nuk kanë qenë në dijeni të aksionit që po organizohej nga Tirana për kapjen e Dritan Dajtit. Strukturat lokale të policisë janë vënë në dijeni vetëm pasi Dritan Dajti kishte qëlluar me armë në kokë dy oficerët e policisë, që u vranë të parët në përleshjen e ndodhur pranë pistës “Iliria”.
Pikëpyetjet e mesazhit të policit
Pas zbulimit të mesazhit në telefonin e Erges Xhoxhit, Prokuroria po heton komunikime të tjera të mëparshme mes të kërkuarit dhe punonjësve të tjerë të policisë. Në celularin e kunatit të Dajtit besohet se kanë mbërritur edhe SMS të tjera më parë, por besohet se ato janë fshirë. Mesazhi i zbuluar duket se ka mbetur në telefon, pasi marrësi i tij u përfshi në përleshje me policinë vetëm pak kohë pasi kishte lexuar SMS-në, të cilin e ka “harruar” në telefonin që më pas ra në duart e hetuesve.