Kongresi "rrëzon" paketën "Blushi"
Propozimi i Blushit për të përfshirë në rendin e ditës ndryshimet statutore, ka marrë vetëm 31 vota nga 1458 delegatë
TIRANË - Paketa e propozuar nga deputeti socialist, Ben Blushi dhe mbështetësit e tij për ndryshime në statutin e Partisë Socialiste, është rrëzuar dje edhe nga forumi më i lartë vendimmarrës i kësaj force, Kongresi i jashtëzakonshëm, duke marrë vetëm 31 vota nga 1458 delegatë që ishin në sallë.
Që në çelje të mbledhjes së kongresit të djeshëm Ben Blushi në emër edhe të 300 delegatëve që pretendonte se përfaqësonte, i ka bërë kongresit dy propozime: njëra kishte të bënte me ndryshimin e rendit të ditës për të përfshirë në të edhe një pikë të tretë për diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve statutore dhe tjetra për t'i zhvilluar punimet me dyer të hapura për median.
Por të dyja propozimet janë kundërshtuar nga delegatë të tjerë, të cilët kanë argumentuar se e mira e PS-së e kërkon që së pari punimet të zhvillohen me dyer të mbyllura për hapësirën kur do të zhvillohej debati për zgjedhjet dhe se për realizimin e ndryshimeve statutore duhej hapur një proces i tërë gjithëpërfshirës.
Ka qenë Dokle ai që i ka bërë një kundërpropozim kongresit për t'i zhvilluar punimet ashtu me të njëjtin rend dite që kishte miratuar Asambleja Kombëtare.
Pasi ka dëgjuar të dyja palët kreu i ASK-së, Gramoz Ruçi, i hodhi propozimet e bëra në votim të hapur, pavarësisht se Blushi kishte kërkuar që votimit të ishte i mbyllur. Në përfundim të këtij votimi dy propozimet e bëra prej tij rezultuan të gjenin një mbështetje fare të papërfillshme nga delegatët.
Kështu propozimi për ndryshimin e rendit të ditës ka marrë vetëm 31 vota pro, ndërsa ai për zhvillimin e mbledhjes me praninë e medias 27.
Pas këtij vendimi, Ben Blushi deklaroi për mediat se mos futja në rend të ditës e ndryshimeve statutore ishte humbje e një standardi. "Rrëzuam një standard që kemi prezantuar vetë dhe kemi thënë se PS-ja është e hapur, demokratike dhe mirëpret ata që duan ta reformojnë.
Humbja e zgjedhjeve nuk është e PS-së , por e Edi Ramës. Rama ka humbur zgjedhjet dhe duhet të dalë para delegatëve e të kërkojë falje.", deklaroi Blushi.
Ndërkaq anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, dhe një nga anëtarët e grupit të punës së ndryshimeve statutore disa vite më parë, Servet Pëllumbi, lidhur me ndryshimet në statut tha se Blushi i propozoi vonë ndryshimet.
Pëllumbi vuri në dukje se kryesia ka mbledhur komision dhe brenda vitit, si dhe ndryshimet do të miratohen në një Kongres tjetër, ndërsa deklaroi votën e tij pro rikandidimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama.
Paketa e bërë publike nga Blushi parashikonte që të përcaktohej në statut detyrimi i kryetarit të PSSH për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare; të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të Partisë Socialiste në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme.
Në platformë, sanksionohej edhe heqja e së drejtës së kryesisë së kësaj partie për të shkarkuar drejtuesit e strukturave vendore. Kjo platformë propozonte në të njëjtën kohë edhe forcimin e rolit të kongresit të PS-së. Paketa e paraqitur nga "Blushi" dhe mbështetësit e tij u "rrëzua" në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste tre ditë më parë.
Bardhi Quku
Meksi: Nuk do ta njohim rezultatin e zgjedhjeve
Deputetja socialiste Ermelinda Meksi i është bashkuar linjës së kryetarit Rama për të mos njohur zgjedhjet e 28
Qershorit. Meksi shprehu qëndrimin e saj pro mosnjohjes së zgjedhjeve në një prononcim për mediat gjatë punimeve të kongresit. Sipas saj, nisur edhe nga faktet e publikuara në në fillimin e punimeve, Partia Socialiste dhe të gjithë elektorati i saj janë të bindur tashmë se procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar dhe me shumë probleme thelbësore të cilat cenojnë rëndë legjitimitetin e tij.
"Shembull konkret i dështimit të të gjithë procesi është qarku i Fierit", - tha ajo duke qënë edhe vete e mandatuar nga ky qark. Prej shumë vitesh deputete e Partisë Socialiste, Meksi komentoi edhe Kongresin e Jashtëzakonshëm të kësaj partie që u zhvillua dje. Sipas saj, ky është një kongres që është nxitur nga një grup njerëzish të cilët janë pakicë në Partinë Socialiste.
"Ky Kongres ishte i nxituar, nga një grusht njerëzish", - tha ajo duke shtuar se debatet e zhvilluara dëshmojnë qartësisht për një frymë demokratike në Partinë Socialiste. "Debati është për të forcuar partinë, për përgatitjen tonë dhe për t'i ballafaquar socialistët për fushatën e ardhshme elektorale", - tha ajo.
Braçe: Ja pse nuk i njohim zgjedhjet
Deputeti i qarkut të Beratit, Erjon Braçe, i njohur si një nga përkrahësit e linjës së Kryetarit Rama argumenton se faktet e paraqitura nëpërmjet dokumentarit të publikuar, justifikojnë qartësisht nismën e Partisë Socialiste për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Sipas tij, fakti që fitorja ka devijuar në krahun tjetër vetëm me një numër të vogël votash dëshmon qartë manipulimin e bërë. "Janë argumentet të mjaftueshme që dëshmojnë se pse nuk duhen njohur zgjedhjet.
Theksojmë se fitorja lëviz në favor të PD-së vetëm për një grusht votash, kjo bën që rezultati të ketë devijuar për një shkak, ndërkohë që ne kemi plot fakte që tregojnë presionin që u është bërë votuesve", - tha Braçe, duke shtuar se janë pikërisht këto fakte që e bëjnë rezultatin e zgjedhjeve të papranueshëm për Partinë Socialiste.
Ndër të tjera Braçe theksoi, mosnjohja e zgjedhjeve bëhet shkak për mos njohjen e legjitimitetit të parlamentit dhe të qeverisë që parashikohet të ndërtohet.
Pëllumbi: Jam pro rikandidimit të Edi Ramës
Servet Pëllumbi, anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste shprehet në favor të kandidaturës së Edi Ramës për kreun e saj. Po ashtu ai mban qëndrim pro edhe ndaj ndryshimeve të kërkuara nga Ben Blushi në statutin e PS-së, ndërsa kujton se tashmë nuk është momenti i nevojshëm për kryerjen e tyre.
"Ndryshimet në statut janë të
domosdoshme. Duhet një hapësirë më e gjerë për debatet dhe idetë në parti por tashmë nuk është momenti i duhur për realizimin e tyre", - tha Pëllumbi.
Krahas kësaj ai shtoi se, propozimet e Blushit erdhen shumë vonë në kohë, ndërsa nuk hodhi poshtë mundësinë e shqyrtimit të tyre në një periudhë tjetër. "Kryesia e Partisë Socialiste ka mbledhur komision edhe Brenda vitit", - tha ai. Për sa i përket kohës se kur mund të miratohen ndryshimet e propozuara në statutin e PS-së, Përllumbi tha se, koha e përshtatshme është në mbledhjen e ardhshme të Kongresit të kësaj partie.
Ruçi: Kongresi të analizojë shkaqet pse nuk fituam zgjedhjet
Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kërkoi nga kongresi gjetjen e shkaqeve që e bën këtë parti të mos dilte fitimtare nga zgjedhjet e 28 Qershorit. Gjatë fjalës së hapjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së, Ruci tha se edhe këtë herë Shqipëria nuk arriti të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.
"Gjatë këtyre dy muajve si deputet i PS-së dhe qytetar i angazhuar kam debatuar gjatë dhe e përbashkëta e diskutimeve ka qenë vetëm një, se edhe pas datës 28 qershor Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon e Europë që nuk ka arritur të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike",- tha ndër të tjera ai, duke vënë theksin tek fakti se krahas gjetjes së shkaqeve të mos fitimit të zgjedhjeve duhet t'i përgjigjet edhe pyetjeve se përse votat e majta të LSI-së shkuan për të mbajtur përsëri në pushtet Sali Berishën.
"Vendi është marrë sërish peng nga një kastë mediokrish dhe një grup kriminal që pushtetin e kanë të lidhur me babëzinë, që vodhën çka mundën e çka deshën e që po përgatiten të vjedhin atë që ka mbetur nga ky vend.
Pres të identifikojmë se çfarë nuk funksionoi që ne nuk mundëm të përkthejmë në votë, në mënyrë që pushteti të shkonte majtas. Pres të gjejmë përgjegjësitë për pyetjet se pse votat e majta të LSI shkuan për të mbajtur në pushtet mbretin qesharak". Në lidhje me garën për kryetar të PS-së Ruci nënvizoi se fatin e drejtimit të PS-së e ka në dorë vetëm anëtarësia e PS-së.
Debatet
Debati për paketën Blushi
Blushi: E marr fjalën për procedurë në këtë kongres për të shprehur dy kërkesa që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e këtij kongresi.
E para ne duhet të tregojmë se jemi forca më demokratike në vend dhe se nuk kemi frikë që të debatojmë edhe në sytë e publikut. Prandaj është e papranueshme që kamerat dhe mediat në përgjithësi qëndrojnë sot jashtë kësaj salle. Për këtë arsye propozoj që e gjithë mbledhja e sotme e kongresit të zhvillohet e hapur.
Së dyti duke përcjellë dhe mendimin e gati 300 delegatëve kërkoj që të ndryshohet rendi i ditës i miratuar nga Asambleja për të përfshirë në të dhe një pikë që ka të bëjë me ndryshimet statutore. Këto dy propozime kërkoj që të votohen me dyer të mbyllura.
Namik Dokle: Ne kemi diskutuar për këto çështje edhe në kryesi dhe atje kemi vendosur që të mos i pranojmë këto propozime. Për të njëjtat argumente që i kemi thënë jo këtyre propozimeve në kryesi i kërkoj kongresit që të mos i votojë.
Nuk mundet ne që të bëjmë show para mediave, ndërkohë që për sa i përket ndryshimeve statutore ato nuk mund të bëhen në një ditë, por duhet të diskutohen me bazën ashtu siç edhe kemi bërë gjithmonë.
Ruçi: Atëherë hedhim në votim dy propozimet e Blushit.
Do votojmë me karton se kështu e përmban procedura. Me karton kush është pro që ne t'i zhvillojmë punimet me median. Sekretaria të numëojë votat pro pasi janë më pak dhe është më e lehtë të nxjerrim rezultatin. 27 pro, të tjerë kundër, pra nuk miratohet.
Hedhim në votim propozimin e dytë kush është pro ndryshimit të rendit të ditës për të përfshirë në të një pikë që ka të bëjë me ndryshimet në statut. 31 vota pro, të tjerët kundër. Nuk miratohet.
Blushi: Duhet të numërosh dhe votat kundër këtij propozimi.
Debati Gjika-Islami
Ruçi: Fjalën e ka Kastriot Islami
Shpetim Gjika: Kërkoj fjalën për procedurë
Ruçi: fjalën nuk mund ta jap se je jashtë radhe, ndaj ulu në vendin tënd dhe mos na prish mbledhjen
Gjika: Unë nuk dua të jap ndonjë qëndrimin tim por thjesht dua të ndërhyj për procedurë dhe të them se ai personi të cilit ju po i jepni fjalën nuk ka të drejtë morale të flasë pasi është arkitekti i humbjes së PS-së. Nuk mund të vijë një njeri si ai dhe të na japë leksione sepse ne humbëm dhe se fajin e kanë të tjerë njerëz. Ai të na thotë sesi gaboi në përzgjedhjen e sistemi zgjedhor që do ta bënte PS-në parti qeverisëse. Ndaj unë nuk mund të qëndroj në sallë për të dëgjuar broçkulla të tilla.
Islami: Të më falësh për modestinë por të garantojë se zgjedhjet si humbët për fajin tim sikurse ka filluar të flitet shpesh këto kohë por për shkak të disa udhëzimeve politike që vinin nga lart.
Gjika duke u larguar nga salla i drejtohet Islamit: Lëri këto se nuk i ha njeri por trego si gabove në llogaritë e tua, si i humbe zgjedhjet.
Islami: Nuk është faji i sistemit zgjedhor pse Partia Socialiste humbi zgjedhjet. Unë dua të them se tjetërkund qëndron përgjegjësia për këtë dhe ju këtë e dini shumë mirë, por nuk doni ta pranoni.
Ben Blushi (deputet)
"Kush i premtoi Partisë Socialiste se do ta bashkonte të majtën në vitin 2005. Ky njeri nuk ishte as komisioner dhe as numërues por ishte Kryetari i Partisë Socialiste. Njeriu që bëri këtë premtim na dha garanci deri ditën e fundit se ne nuk kishim arsye të kërkonim koalicione më të gjera, sepse votat tona ishin të mjaftueshme. Koha provoi se ai jo vetëm e kishte gabim por se ishte edhe i paaftë për të bërë parashikimin e duhur.
Ky njeri rrëzoi për shkaqe të dobëta të gjitha urat që bashkonin të majtën duke ia bërë të pamundur Partisë Socialiste të kapërcente hendekun e votave që e ndante nga e djathta. Sot ka shumë njerëz që ankohen për këtë gjë nën zë, por kjo është pikërisht dita për ta kthyer zërin tonë në kor.
Unë mendoj se ne nuk fituam edhe për shkak të paqartësisë së programit tonë dhe për cilësinë e tij nuk u zotua asnjë komisioner dhe asnjë numërues. Programin fitues e mori përsiper Kryetari i Partisë Socialiste, i cili takoi popullin për dy vjet rresht duke premtuar të hidhte në letër të gjitha mendimet dhe nevojat e tij. Unë ju pyes sot ku është ky program?"
Olta Xhaçka (deputete)
"Në një moment kaq të vështirë sa ky disa zëra janë nxituar të ngrihen edhe përpara se të përfundonin shqyrtimet e ankesave për zgjedhjet. Këta zëra kanë pranuar humbjen pa përfunduar procesin e vlerësimit të votës.
Më vjen keq ta pohoj se mua më duket se debatet e këtyre iu përngjajnë debateve të stisura që nisin nga kulla mediatike e Berishës dhe e tillë më ka tingëlluar edhe kërkesa për dorëheqje e artikuluar në sinkron me selinë e PD-së dhe LSI-së.
Në këto rrethana më duket shumë e paudhë që të angazhohemi në këtë debat, i cili po i lejon Sali Berishës të mbështetet në një patericë tjetër, e para që është LSI dhe e dyta po bëhemi ne nëpërmjet këtyre debateve"
Ermelinda Meksi (deputete)
"Kemi zhvilluar një proces dialogu në gjithë Shqipërinë si kur më parë dhe sot jemi forca më e madhe në vend. Një pjesë e përpjekjeve tona duhet të shkojë për denoncimin e maskaradës elektorale të Berishës, prandaj unë mbështes rezolutën dhe kërkesën për zgjedhjet e parakohshme.
Unë gjatë garës elektorale jam bërë dëshmitare e manipulimit të zgjedhjeve në qarkun e Fierit. Ndaj si një e përballur direkt me këtë maskaradë shtroj pyetjen pse u nxitua që të pranohej humbja nga disa individë mes nesh, pse u nxitua të fillojë ky debat i pavlerë, ndërkohë që mbledhja e forumeve ishin para. Ndaj unë si përfaqësuese e qarkut të Fierit shpreh mbështetjen për Edi Ramën.
Megjithatë unë them se duhet të forcojmë forumet e partisë për ta bërë atë një strukturë shoqërore dhe jo thjesht elektorale. Duhet të organizojmë punën në fshat dhe duhet të risim punën me njerëzit. Në Asamble dhe kryesi të përzgjidhen përfaqësues me vlera intelektuale".
Rajmonda Stefa (ish-deputete)
"Kjo parti në vend që të ecte përpara ne nuk patëm një mendim të qartë politik. Ne besuam tek Edi Rama sepse ai do korrigjonte gabimet e socialistëve të 2005, por ai nuk e bëri këtë gjë, besonim se ai do gjente kohezionin brenda radhëve të PS-së por ai e përçau më shumë atë, besonim se do të bashkonte opozitën por e thelloi më shumë çarjen e saj, duke shpërfillur vlerat e së majtës duke eksperimentuar me axhami politike.
Unë besoj se kjo parti që është sot nuk është ajo që shumë socialistë besuan shumë vite më parë. Ne s'kishim një program, pavarësisht se shumë herë na servirej se ai kishte shtatë shtylla të tijat që do të shpëtonin Shqipërinë, por që në fund fare rezultuan se ato ishin veçse purteka që u thyen shpejt.
Pra fushata u personalizua në mënyrë të skajshme. Kryetari pruri një shpurë me vete por kjo nuk do ndryshonte PS por vetëm anën figurative, çka do të dëmtonte më shumë se do të ndihmohte atë për të cilën kjo forcë vlerësohet shpirti i PS-së. Ne duhet t'i themi kryetarit ti ri në krye të partisë deri sa Saliun ta vidhisë perëndia"
Pandeli Majko (deputet)
"Koalicioni I PD-së me LSI-në është koalicioni interesave të përkohshme ndaj ne duhet të mendojmë për zgjidhjen që duhet t'i sjellim Shqipërisë. Njëri opinion mendon se shkaku i humbjes është manipulimi i zgjedhjeve dhe tjetri mendon se shkak i mbetjes në opozitë është Edi Rama. PS e ka garantuar jetën e saj të brendshme me statutin e partisë dhe ndaj mendoj se statuti i PS-së nuk mund të bëhet një mekanizëm për të kundërshtuar një vendim politik të saj.
Tek unë qëndron i palëkundur respekti për çdo mendim të ndryshëm, por në asnjë mënyrë kërkimi së drejtës të na kthehet në urrejtje për vetveten. Unë mendoj se demokracia e papërgjegjshme është e dënuar të mbetet shterpë. Ndryshe nga kongresi i vitit 2005 unë kam arsye të mendoj se Edi Rama ka rikuperuar hendekun mes përvojës dhe vizionit, ndaj unë jam për zgjedhjen e Edi Ramës si kryetar të PS-së"
Donika Prifti ( delegate e Fierit)
"E mora fjalën pa leje, se ajo nuk mu dha sipas radhës. Shpresoj që kjo të mos lidhet me firmën që unë kam hedhur në paketën "Blushi". Megjithatë një gjë më bëri përshtypje në këtë kongres, dhe nuk më vjen mirë që ky forum i lartë nuk mbajti një minutë zi për deputetin Fatmir Xhindi, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë dhe kur vrasësit e tij nuk janë gjendur ende" ( Kongresi mbajti më pas një minutë heshtje për tetë delegatët që gjatë këtyre dy viteve janë ndarë nga jeta, përfshi edhe Xhindin)