E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Ekonomia po bie në krizë, qeveria të ndërhyjë menjëherë

Nga Fitim Zekthi

Përfaqësues të rëndësishëm të biznesit shqiptar i kërkuan dje qeverisë të hartojë një paketë masash për të ndihmuar sektorin privat dhe sidomos atë të biznesit prodhues. Kriza ekonomike botërore ka dhënë efektet të para edhe në ekonominë shqiptare dhe shumë biznese kanë nisur të përballen me vështirësitë e para. “Ky është një vit, në të cilin ne po punojmë me kontratat e përpiluara më herët, ndërsa vitin që vjen ne do të duhet të nënshkruajmë kontrata të reja, çka do ta bëjë shumë më të vështirë gjetjen e tregut për produktet tona”, - tha Edmond Rusmali përfaqësues i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve. Në të vërtetë shitjet në sektorin privat kanë rënë dukshëm gjatë tremujorit të tretë. Niveli i shitjeve ka qenë rreth 14 për qind më i ulët se ai i tremujorit të dytë dhe kahja është duke u bërë gjithnjë e më e pjerrët. Prodhuesit me fason duken më pesimistët në këtë situatë, pasi ata janë pjesë e biznesit më delikat. Prodhimet e tyre shiten në tregun e huaj dhe shiten në bazë të kontratave që nisin që në krye të vitit. Rënia e shitjeve, rënia në krizë ekonomike e disa prej vendeve kryesore ekonomike të Evropës, në të cilat prodhimet e tyre shiten, do të bëjnë që ata të ulin qartë prodhimin, shitjet e për pasojë edhe numrin e punonjësve. Ulja e kostove që mund të bëhet me anë të ndërhyrjes së qeverisë mund të jetë një zgjidhje që mund t’i mbajë ata ende në nivelin e tashëm të punës dhe të prodhimit. Ky sektor punëson rreth 100 mijë punonjës. Edhe grupimi tjetër i biznesit prodhues, Konfindustria, ishte po ashtu e shqetësuar nga mosndërhyrja e qeverisë dhe madje nga mospranimi prej saj i faktit që ekonomia e vendit po kalon një periudhë rënieje dhe vështirësish të mëdha. Rënia e eksporteve është një nga efektet e para të krizës ekonomike në Shqipëri. Gjithashtu, edhe rënia e dërgesave të emigrantëve ka nisur të jetë dhe do të vijë duke u bërë gjithnjë e më tepër një fakt rëndues për ekonominë tonë. Kriza ekonomike në vendet e Evropës dhe në vende të tjera do të bëjë që emigrantët shqiptarë në ato vende të kenë vështirësitë e tyre dhe kësisoj paratë që ata do të sjellin në Shqipëri të ulen. Kjo do të rëndojë edhe fuqinë blerëse në vend duke ulur shitjet, prodhimin dhe numrin e punonjësve. Biznesi shqiptar dje ishte i qartë për nevojën që ka ekonomia për masa qeveritare në ndihmë të zbutjes së efekteve të para të kësaj krize ekonomike. Ende efektet janë shumë të vogla, por ato premtojnë se do të thellohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›