Makutëria që fshin pyjet nga faqja e dheut
Nikollaq Neranxi
Dhjetori është shpallur muaji i pyjeve. Si i tillë, veç të tjerave, ka për qëllim të rrisë ndjeshmërinë dhe sensibilitetin e popullatës së mbarë vendit, që të kujdesen, t’i mbrojnë dhe t’i shtojnë sipërfaqet pyjore e ato të gjelbra. Si për çdo fillim dhjetori, pritet që edhe sivjet, ministri Xhuveli, i shoqëruar nga memurët e tij, të ndërmarrë ritualin simbolik: i fokusuar nga kamerat, me vrull djaloshar, do të mbjellë disa fidanë dhe si ministër, me siguri do të thotë ca fjalë mallëngjyese për të na rrëfyer sesa shumë i do dhe sa shumë kujdeset për pyjet. Aferim zoti Ministër! E bëre detyrën tënde ceremoniale edhe për këtë vit. Mbolle një fidan, për të kompensuar mijërat e drurëve të prerë.
Në këtë fillim muaji “të pyjeve”, ndryshe nga vetëbesimi dhe optimizmi yt i rremë, nga këndvështrimi im, i cili bazohet në realitetin e katandisjes së pyjeve, dua të shpall alarmin: pyjet janë në rrezik!
Në pamje të parë, duke gjykuar nga të dhënat statistikore, krijohet përshtypja se ne jemi një vend i pasur me pyje, ngaqë pyjet e kullotat zënë 51 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të tokës në shkallë vendi, ose 0.3 ha për frymë të popullatës. Por po të shqyrtohet sipërfaqja faktike e mbuluar me pyje industrialë dhe shpërndarja e saj, kjo sipërfaqe është dukshëm më e pakët, pasi pjesën më të madhe e zënë shkurrishtet mesdhetare dhe ato të degraduara nga prerjet pa kriter.
Pyjet janë pasuri kombëtare e pazëvendësueshme, ato konsiderohen si mushkëria e gjelbër e vendit, me rol të spikatur mjedisor e klimatik. Me dëmtimin dhe pakësimin e sipërfaqeve pyjore janë evidente veçanërisht varfërimi i atmosferës me oksigjen si dhe shtimi i bioksidit të karbonit, ndryshimi i klimës me pasojë rritjen e temperaturave të verës dhe pakësimin e reshjeve dhe rezervave ujore të burimeve dhe lumenjve si dhe shtimin e gërryerjes së tokës së zhveshur nga bimësia pyjore. Këto dukuri janë të pranishme dhe vazhdojnë të përkeqësohen në gjithë vendin. Pyjet janë habitati natyror i faunës së egër dhe florës së shumëllojtë, të cilat janë pasuri më vete. Dëmtimi i pyjeve është edhe dëmtimi i tyre. Lënda drusore është me shumë vlerë dhe pothuajse e pazëvendësueshme për disa degë të ekonomisë. Me gjithë këto vlera, pyjet në vend që të çmohen deri në shkallë sipërore, si një pasuri kombëtare që u takon gjithë shtetasve dhe brezave, ato në fakt janë të rrezikuar. Tre janë rreziqet kryesore që kërcënojnë ekonominë pyjore: zjarret, sëpata dhe keqadministrimi.
Veç pyjeve natyrorë, tashmë po digjen edhe pyjet e kultivuar me pisha të kurorave të qyteteve të ngritura me shumë mund në terrene të thata gurishtore si ajo e Beratit dhe e Lezhës, Krastës së Krujës dhe Elbasanit etj. Në disa orë, zjarri shkatërron atë që natyrës i janë dashur shekuj për ta krijuar. Gjelbërimi kthehet në shkrumb, pasuria në hi!
Si të mos mjaftonin gjithë sa u tha, ministri Xhuveli ka vendosur t’ia zgjidhë plotësisht duart vetes për shkatërrimin e fondit pyjor. Me propozim të tij, Këshilli i Ministrave mori vendimin për tjetërsimin e pyjeve në troje ndërtimi! Zotëria e tij, ministri, ka të drejtë të miratojë sipërfaqet deri në një ha. Sado e vogël në dukje, kjo është një thelë e majme për të kënaqur orekset e shtuara të gjithë shokëve e miqve! Kurse qeveria, nuk ka kufi në veprimet e saj. Me vendimin nr. 1146, datë 05.08.2008, në favor të “Enpower Albania” sh.p.k., u hoqën nga fondi pyjor 95.746 ha pyje e kullota, ose mbi 6 për qind e fondit pyjor ekzistues, të cilat u rrafshuan me një firmë. Ky veprim i kryer në mungesë të plotë transparence, do të ketë pasoja përkeqësuese të pallogaritshme mjedisore për natyrën dhe banorët e atyre zonave dhe rrëfen se ky vendim është i papërgjegjshëm e skandaloz.
Gjithë sa parashtruam, dëshmon se Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave nuk i del dot për zot këtij sektori jetik të ekonomisë. E gjitha kjo ndodh për shkak të paaftësisë dhe mosveprimit të qëllimshëm të këtij dikasteri dhe praktikave korruptive që zbatohen me ndërmarrjet private sipërmarrëse të etura për fitime. Ekonomia pyjore është e rrezikuar dhe pyjet po shkojnë përditë drejt asgjësimit. Duke e gjykuar si tepër të rëndë gjendjen e sektorit pyjor, më lind e drejta të propozoj që: Qeveria të hartojë dhe paraqesë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë një moratorium për ndalimin e prerjeve të lëndës drusore në pyjet shtetërore për një periudhë trevjeçare. Kjo kohë të shërbejë për rivendosjen e raporteve të drejta midis rritjes dhe shfrytëzimit, në dobi të rritjes dhe një rishikimi rrënjësor të legjislacionit për pyjet. Gjatë kësaj periudhe, industria e drurit të punojë me rezervat ekzistuese, me zgjidhje alternative dhe lëndë drusore të importuar.