E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozicionimi politik i drejtësisë ndaj dosjes “Basha”

Nga Mero Baze

Beteja e shumicës kundër institucioneve të drejtësisë për t’i paragjykuar ato në opinionin publik ka dhënë frytet e para. Nëse deri më dje kishim konflikt mes prokurorisë dhe gjykatave kundër qeverisë, tashmë palët nisën të pozicionohen dhe prej dje mund të flasim për betejë mes qeverisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë kundër prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë. Për shumë qytetarë është një labirinth i vërtetë mozaiku i kësaj përplasjeje, por me pak fjalë është kështu. Gjykata ka vendosur gati një muaj më parë për moszgjatjen e hetimit të çështjes së rrugës Durrës- Kukës, se kanë kaluar afatet. Moszgjatja e çështjes i përfshin gjithë personat e akuzuar, përfshi dhe zotin Basha. Dy prej të akuzuarve, Armand Teliti dhe Lejla Saraçi, ndërkohë u konsideruan të pafajshëm dhe prokuroria tërhoqi hetimin gjyqësor ndaj tyre. Mbyllja e hetimit e urdhëruar nga gjykata ndërkohë nuk ndalon vazhdimin e veprimeve procedurale, siç është fletëthirrja apo komunikimi i akuzës. Në këtë prizëm, prokuroria i ka nisur një fletëthirrje për t’u paraqitur në prokurori zotit Basha thjesht për t’i komunikuar akuzën. Ai premtoi publikisht se do të shkonte, por pas konsultimeve me kryeministrin e ka refuzuar prokurorinë. Ndërkohë, vetë zoti Basha kishte një vit rresht që deklaronte se “mezi pres të shkoj në prokurori dhe të hetohem” dhe në rastin e parë që iu dha ky shans, jo vetëm që nuk shkoi, por një ditë më pas paditi prokurorinë në gjykatën e Tiranës për shkelje të procedurave të hetimit. Pas këtij veprimi, prokuroria, në të drejtën e saj si palë për t’u shprehur, paraprakisht ka kërkuar shpallje moskompetencë të gjykatës së Tiranës, pasi deputetët gjykohen në Gjykatë të Lartë dhe çështja “Basha” është e adresuar për në Gjykatë të Lartë. Kjo kërkesë u hodh poshtë dje nga një gjykatëse e gjykatës së Tiranës, e cila vendosi që padinë e Bashës kundër prokurorisë do ta gjykojë vetë.

I gjithë ky mishmash procedural në të vërtetë dëshmon qartë vetëm një gjë, që presioni politik i qeverisë mbi drejtësinë çau institucionet e saj dhe kriza u transferua brenda sistemit. Tashmë kemi nga një anë qeverinë dhe Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe përballë tyre prokurorinë dhe Gjykatën e Lartë. Kjo çarje institucionale brenda drejtësisë, natyrisht që është fryti i parë pozitiv që po korr fushata për paragjykimin dhe politizimin e institucioneve të drejtësisë prej kryeministrit Berisha. I ndodhur mes tri çështjesh të sikletshme, Gërdeci, Fazlliçi dhe dosja Rrëshen- Kalimash, që i kërkojnë në hetim djalin, vajzën dhe Lulzim Bashën, kryeministri e kishte të nevojshme këtë betejë për të pozicionuar palët dhe brenda drejtësisë. Fryti i parë i hidhur i kësaj fushate të paprinciptë është vendimi i djeshëm i gjykatës së Tiranës. Me shumë vullnet dhe revansh politik, Berisha arriti ta eksportojë krizën e tij brenda drejtësisë dhe të vendosë palët në pozicione pro dhe kundër tij.

Natyrisht, kjo fitore e Berishës ka patur koston e saj, të cilën sërish e ka marrë përsipër Lulzim Basha. Ai u keqpërdor aq shumë në këtë histori, sa tashmë është njeriu më qesharak në politikën shqiptare, që ka gënjyer publikisht për çdo gjë që ka thënë që kur i është hequr imuniteti. Ky ministër, që lutej në çdo ekran ta thërriste një ditë prokuroria, ia mbathi me vrap ditën e parë që e thirri. Ky ministër, që nuk bën dot asgjë pa leje, u bë qesharak duke i thënë prokurorisë të martën që do të jem aty dhe të mërkurën i dërgon padi pse e ka thirrur. Është bërë qesharak në mënyrën se si përpiqet të mbrohet ndaj akuzave konkrete duke menduar se maska e patriotit mund t’i mbulojë kapuçin e hajdutit. Është bërë qesharak, duke folur kafeneve të kundërtën e atyre që thotë publikisht. Dhe, së fundi, është bërë qesharak duke përdorur si mundësi të vetme të shpëtimit të tij nga drejtësia mundësinë e arkivimit të dosjes së shekullit për korrupsion dhe abuzim. Deklaratat e tij dhe avokatit të tij ditën e djeshme duket se shikojnë si shpresë të vetme shansin që prokuroria ta arkivojë dosjen dhe të mos e çojë në gjykatë. Kjo i ngjan fabulës së gomarit dhe ujkut, ku ky i pari (gomari), shpresonte se ishte në ëndërr, ndërkohë që ishte duke u copëtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›