E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parvanov: Çdo vend të përcaktojë qartë angazhimet për Korridorin 8

Nga Tema

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha dje në një konferencë për shtyp me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov, i cili ndodhet në vendin tonë për vizitë se, nëse të gjitha vendet janë dakord, duhet të fillohet me ndërtimin e Korridorit 8. “Natyrisht që të ndërtosh projektin për këtë Korridor kaq të rëndësishëm do të thotë të kesh të gjitha pasojat pozitive, në të gjitha këndvështrimet e mundshme, lëvizje njerëzish, lëvizje e mallrave dhe kjo shoqërohet patjetër me të gjithë infrastrukturën e përcjelljes së gazit dhe të naftës dhe me një afrim infrastrukturor të vendeve të rajonit. Ajo që është më e rëndësishme, çfarë kërkojmë ne nga Bashkimi Evropian dhe më afër BE është sot Bullgaria që është sot pjesë e Bashkimit Evropian. E thashë përpara jush që e diskutova me presidentin Parvanov se edhe Bullgaria, edhe Italia, që janë pjesë e këtij Korridori, mund të bëjnë lobingun e nevojshëm, që të ketë më lehtësi për marrjen e vendimeve në Bruksel për projektin dhe financimin, për burimet financiare. Ka një shpjegim shumë të qartë dhe të natyrshëm. Në rajonin ballkanik ka vende, që janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër janë pjesë e aspiratës evropiane, që dëshirojnë dhe janë në rrugën e anëtarësimit. Besoj që është edhe në politikën e Bashkimit Evropian, që me pjesëmarrjen e dy vendeve që janë anëtare të BE të ketë një mbështetje për projekte të tilla dhe në rajonin ballkanik. Është një projekt shumë i rëndësishëm që ne po e bëjmë me mundësitë tona që është degëzim i këtij Korridori, patjetër rruga Durrës-Prishtinë, e cila është pjesë e një Korridori që do të vazhdojë dhe në Evropën Qendrore. Pra, të gjitha korridoret janë shumë të rëndësishme. Vendet ballkanike nuk mund të jenë më vende të izoluara nga njëra-tjetra. Pra, në kuptimin simbolik dhe figurativ të fjalës, është më mirë të bësh një metër rrugë sesa të flasësh dhjetë herë për rrugën. Kemi vite që dëgjojmë për projektin e Korridorit 8. Por, kur të gjithë janë dakord që ky Korridor duhet të ndërtohet, sepse të gjitha riperkursionet janë shumë pozitive, atëherë pse të mos ndërtohet? Pse të mos fillojë? “Korridori 8” duhet të jetë në standardet evropiane”, - tha Topi.

Ndërsa presidenti bullgar tha se çdo vend duhet të ketë të qarta dhe të radhitura mirë angazhimet e tij kombëtare në lidhje me këtë çështje, më pas mund t’i drejtohen BE për zgjidhje. “Parametrat konkretë sigurisht që do t’i diskutojnë ekspertët dhe unë pikërisht edhe për këtë e kam në përbërje të delegacionit edhe ministrin tonë të Transportit, i cili gjithashtu është bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Transportin dhe përgjigjet konkretisht edhe për këtë. Gjithashtu, lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që është me shumë rëndësi që çdo vend të ketë të qartë dhe të ketë radhitur qartazi angazhimet e veta kombëtare, sepse çdo vend ka specifikat e veta në këtë aspekt dhe në këtë bazë pastaj të mund t’i drejtohemi dhe të presim mbështetjen edhe nga ana e Bashkimit Evropian. Presidentët demonstrojnë vullnetin politik, ndërkaq janë ministrat që do t’i japin karakterin tjetër praktik kësaj”, - tha Parvanov.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›