Nënë Jovanka, e shqetësuar për “RUDNAP”
Antena brenda familjes
I dashur Damir. Lajmet nga Tirana po bëhen përditë e më të këqija. I janë qepur me gurë Lulzimit tonë të dashur. Ajo prokuroria e Tiranës qenka me të vërtetë e luajtur mendsh. Por halli që kam s’ka të bëjë me Lulzimin. Më mori në telefon Lazareviçi. Nuk të gjente dot ty në telefon, se ti i ndërron vazhdimisht numrat dhe ishte i shqetësuar, se prokuroria paska shkuar sot në zyrat e KESH në Tiranë dhe paska marrë dosjet e “RUDNAP”. Ai më tha të të them se nuk është i qartë se çfarë ke thënë ti në Tiranë në intervistën që ke bërë tek ai miku jonë në TV “Klan”. Lazareviç thotë se ti ke thënë që kompania “Altaria” në Qipro është e jotja. Ai ishte i nxehur, se nuk e kupton pse duhet ta thoshe këtë. Unë e di që kishe atë hallin e taksave që s’ke paguar në Tiranë, por ai nuk e kupton. Më tha që “mi ka ngatërruar punët me atë deklaratë, se nuk ka qenë nevoja ta bënte”. Tani, meqë dhe “RUDNAP” në Kroaci ka pronare “Altaria”-n e Qipros, i bie që ti je fituesi i tenderave të energjisë në Shqipëri.
I dashur Damir.
Vojini ishte i shqetësuar, se më tha që gjithë tenderat e vitit 2007 nuk janë bërë me tender të hapur, por me mbledhje ofertash nga KESH. Ai dyshon se kjo do t’i krijojë probleme mikut tonë kryeministër, pasi ai është nxituar dhe ka thënë, “nëse më gjeni një tender që ka fituar Fazlliçi, atëherë ka fituar miliona”. Tani ti e ke ngatërruar këtë punë me ato deklarata. Vojini më tha se drejtori i KESH ishte njeri korrekt, dhe nuk iu ka hapur telashe. Njëherë e ka marrë vetëm ai miku jonë kryeministër, i ka thënë “prite pak Fazlliçin, seç ka ca energji për të shitur” dhe pastaj ai është treguar korrekt. Çdo gjë është bërë sipas ligjit dhe s’ka asnjë shkelje. I vetmi problem është se ai miku jonë kryeministër ka thënë që ti s’ke fituar asnjë tender. Kjo e ngatërron pak punën. “Për të tjerat, - tha dhe Lazareviçi, - nuk ka problem, se i kemi letrat në rregull”. Dhe një herë që desh e fitoi një tjetër, ai kishte çuar një e-mail, me 5 cent më poshtë dhe ishte anuluar fituesi, duke thënë që paska ardhur më shpejt ky e-mail-i i Lazareviçit. Ndaj ata nuk kanë ku të kapen ligjërisht. Vetëm politikisht do të godasin atë mikun tonë kryeministër. Por për këtë mos ki shumë merak, se dhe ai po i lufton politikisht. Po i akuzon se ata po bëjnë politikë me prokurorinë dhe, çfarëdo që të bëjë prokuroria, do quhet politike. Këtë punë mirë e ka bërë.
E vetmja gjë për të cilën ishte shqetësuar Lazareviçi ishte se pse kanë shkuar deri te dosjet e tij të “RUDNAP”. Sipas tij, ka dyshime se ata mund të jenë futur thellë në hetime dhe kjo mund të të hapë telashe. Të keqen nëna, kam hallin e atyre parave që i çoje e bije me banka nga Shqipëria. Se të thashë, bë pak kujdes kur i çon. Ti i paske çuar lekët në llogarinë tënde në Tiranë dhe andej i paska tërhequr Flutura Kola. Kanë të drejtë pastaj të thonë që i ka marrë vajza në studio ato. Se je pak i pakujdesshëm në këto punë. Ke qenë i rrëmbyer që i vogël.
Nejse, ti i di më mirë punët, por, kur të marrësh letrën, lidhu pak me Lazareviçin, se ishte i shqetësuar. Ka frikë se shumë nga tenderat e 2007 mund t’i hapin telashe. Më 2008 është më mirë puna, se kanë qenë tendera të hapur, edhe pse i keni fituar ju. Lazareviçi më tha se në të tre lotet për vitin 2008, “RUDNAP” ofron shifrat më të larta të furnizimeve si sasi: 9,2 milionë euro (nga 30 milionë të paraqitura) për lotin e parë, 9,7 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e dytë dhe 10 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e tretë. Ah, se harrova. Më tha që “ata rivalët e tij në tendera në Tiranë i kanë bërë foto Damirit në zyrat e KESH, sa herë janë bërë tendera”. Dhe ia kanë dhënë asaj gazetës së poshtër që të shan ty. Madje, të kanë fotografuar dhe atë ditë që shkove në Tiranë te “Zogu i Zi” në një kafe me drejtorin e KESH. Në gjithë atë qamet që hoqe atë ditë, ç’deshe që e nise vizitën në Tiranë me drejtorin e KESH. Se aq duan gojët e liga dhe flasin. Ishallah s’janë të vërteta që i ka fotot ajo gazeta, se i krijon telashe atij mikut tonë kryeministër. Na ka bërë nder, s’kemi pse i bëjmë qeder.
Të puth me mall,
Nënë Jovanka