E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Gjykata Administrative, të kalojë ligji brenda këtij mandati



Konfindustria kërkon nga deputetët miratimin e ligjit

Komuniteti i biznesit mbështet iniciativën ligjore

Komuniteti i biznesit, duke përfituar nga shtyrja e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë deri në fund të këtij muaji, ka kërkuar dje mbështetjen e deputetëve, për të miratuar ligjin për krijimin e Gjykatës Administrative. Biznesi i prodhimeve industriale i grupuar pranë Konfindustrisë, duke shfrytëzuar shtyrjen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë deri në datën 28 maj 2009, u ka bërë thirrje partive politike dhe gjithë deputetëve dhe veçanërisht përfaqësuesve të pakicës për të treguar pjekuri dhe përgjegjshmëri shtetformuese, për të miratuar projektligjin e Gjykatave Administrative në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe biznesit shqiptar. Konfindustria kërkon mospërdorimin politik në shërbim të zgjedhjeve të afërta të përgjithshme të miratimit të projektligjit të Gjykatave Administrative. “Mënyra më e mirë për të ndalur çdo spekulim zgjedhor dhe me natyrë politike është miratimi i njëzëshëm nga deputetët e të gjitha ngjyrave i projektligjit të Gjykatave Administrative. Domosdoshmëria e 84 votave për të miratuar projektligjin në fjalë e bën, pa përjashtim të gjithë vendimmarrjen politike bashkëpjesëmarrëse në sukses dhe mënjanon çdo përpjekje për përfitime zgjedhore nga cilado parti e veçantë”, - ka deklaruar dje Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë. Sipas tij, kërkesa e vendosur dhe e qartë e gjithë biznesit shqiptar për ndërtimin sa më të shpejtë të Gjykatave Administrative si pjesë e munguar e domosdoshme e sistemit të drejtësisë, si dhe fushata zgjedhore në zhvillim e sipër, japin rastin më të mirë për partitë politike për të treguar se pushtetin nuk e kanë qëllim në vetvete, por e kërkojnë për ndërtimin e shtetit demokratik në shërbim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Sipas përfaqësuesve të biznesit, ky projektligj plotëson një institucion të munguar dhe të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai është një zgjidhje e mirë dhe një nismë që gëzon përkrahjen e komunitetit të biznesit, të përfaqësuar në një shkallë të gjerë nga shoqatat palë në këtë deklaratë. Pak ditë më parë, grupimi i disa bizneseve kërkoi të njëjtën gjë, miratimin e këtij ligji nga Parlamenti. Në këtë iniciativë u bashkuan Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Ndërtuesve, Konfindustria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Grave Afariste dhe Profesioniste, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, si dhe Agjencia Rajonale për Zhvillim. Në mbështetje të miratimit të ligjit, organizatat e biznesit janë përfshirë këto ditë intensivisht në disa tryeza bisedimesh me përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës në nivel politik dhe ekspertësh, ku është vërejtur se përfaqësuesit e pozitës janë treguar të hapur për pranimin e vërejtjeve të opozitës dhe të biznesit. Përfaqësuesit e biznesit ngritën shqetësimin, sepse kanë mbetur tashmë vetëm dy ditë pune para mbylljes përfundimtare të legjislaturës në fuqi dhe me keqardhje kemi vënë re se projektligji për Gjykatën Administrative nuk është përfshirë në kalendarin e punës për seancën e datës 11 maj, duke rrezikuar kështu miratimin e këtij ligji. Përfaqësuesit e biznesit u kanë bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që të tregojnë përgjegjshmëri dhe ta votojnë këtë ligj, duke pritur mbi të gjitha një reagim pozitiv nga opozita.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›