Arrestohet Bajrami, goditi një shtetas dhe i shkaktoi hematomë në tru
Policia, në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të 43-vjeçarit, Aleksandër Mazniku e Mustafa Korra
Hematomë në tru ka pësuar një shtetas nga rrahja në mënyrë çnjerëzore e një jave më parë. Gëzim Dauti vazhdon të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak, në gjendje kritike për jetën. Për këtë arsye, një 43-vjeçar është arrestuar, dy të tjerë janë në kërkim për rrahjen me pasojë të rëndë të një personi. Policia e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin Fatmir Bajrami, 43 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 18 Durrës. Sipas burimeve zyrtare policore, më datë 08.05.2009, rreth orës 18:00, pas një konflikti për motive të dobëta në vendin e quajtur lagja nr. 18 në Durrës, pranë një lokali, shtetasi Fatmir Bajrami në bashkëpunim me shtetasit Aleksandër Mazniku dhe Mustafa Korra kanë qëlluar me grushte dhe mjete të forta shtetasin Gëzim Dauti, i cili si pasojë e goditjeve të marra ka mbetur i dëmtuar dhe ka shkuar në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore. Por, pasi është mjekuar ditën e ngjarjes, ka dalë nga spitali dhe disa ditë më vonë i dëmtuari ka ndjerë shqetësime në kokë si pasojë e goditjeve të marra më datë 08.05.2009 dhe për këtë arsye është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ende ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Nga ekzaminimet e bëra në këtë spital, sipas burimeve zyrtare policore, rezulton se ky shtetas ka një hematomë gjaku në tru. Nga ana e policisë po vazhdon të punohet për kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje me pasojë, konkretisht shtetasve Mustafa Korra dhe Aleksandër Mazniku. Ndërkohë që të njëjtat burime theksojnë se materialet për tre shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje” të parashikuar nga nenet 88/1 dhe 25 të Kodit Penal.