E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Vendimi për ALUIZNI-n, jo kushtetues

Qeveria merr një vendim që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa miratimin e të gjithë pjesëtarëve të kabinetit

Ministri shpjegon arsyet se pse VKM-ja që i kalon ALUZNI-t përgjegjësitë për legalizimet, nuk është në përputhje me Kushtetutën


TIRANË- Një nga vendimet e qeverisë të miratuara ditën e mërkurë, sipas të dhënave, rezulton të jetë jo në përputhje me Kushtetutën.


Fakti zbulohet nga korrespondenca që disa ministra të kabinetit qeveritar kanë shkëmbyer me njeri-tjetrin në lidhje me sugjerimet që mund të kishin për projektvendimin e qeverisë, mbi bazën e të cilit i ngarkoheshin zyrës së ALUIZNI-t të gjitha përgjegjësitë për kryerjen e procedurave të nevojshme në terren, në lidhje me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.


Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, projektvendimi është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit. Në përgjigjen që ky i fundit i ka kthyer Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Bode thekson se projektvendimi i qeverisë është bazuar mbi disa pika të ligjit, të cilat, realisht janë shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese që më datë 2 shkurt 2009.


"Baza ligjore e projektvendimit të paraqitur, si dhe referencat e parashikuara ne relacionin shpjegues, u referohen dispozitave ligjore, të cilat janë shfuqizuar me Vendimin nr. 3, datë 02.02.2009 të Gjykatës Kushtetuese", - thekson Bode në letërpërgjigjen e tij ndaj ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, duke theksuar se Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese dhe janë përfundimtare.


Nisur nga këto, në përgjigjën e tij, Bode citon se, mungesa e dispozitave ligjore nuk mund të rregullojë afatet, mënyrat dhe kohën në të cilën ALUIZNI do të ushtrojë përgjegjësitë që lidhen me procesin e legalizimeve.


Më datë 2 shkurt 2009, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, mbi bazën e të cilit shfuqizon nenin 10 të ligjit "Për legalizimin e ndërtimeve pa leje".


Kjo është edhe baza ligjore ku ministri i Financave niset për thënë se vendimi për dhënien e të gjitha përgjegjësive për procesin e legalizimeve të ndërtesave pa leje, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.


Vendimi


Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që i gjithë procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në vend, i cili më parë ishte kryer nga pushtetit lokal, të kalojë nën përgjegjësinë e plotë të zyrës së ALUIZNI-t.


Me arsyetimin se pushteti vendor i kishte kaluar të gjitha afatet ligjore për përmbushjen e detyrimeve, qeveria vendosi që t'ia kalojë kësaj zyre përgjegjësinë për përgatitjen e të dhënave, që kanë të bëjnë me shqyrtimin në terren dhe përpilimin e raporteve për ndërtimet pa leje, të cilat janë në proces legalizimi.


Sipas vendimit, kjo zyrë duhet ta përmbyllë këtë proces brenda një afati tre muaj e gjysmë nga data e marrjes së vendimit.


Më të përfunduar shqyrtimin në terren dhe përpilimin e raportit mbi ndërtesat pa leje, drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t duhet që këto të dhëna t'i pasqyrojnë në një hartë kadastrale, ku të pasqyrohet vendndodhja e tyre dhe infrastruktura përreth, sistemi rrugor, studimet urbanistike mbi zonën, etj.

"Në përgjigjen që ministri Bode i kthen Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në vazhdën e korrespondencës midis institucioneve përgjegjëse për funksionimin e ALUIZNI-t, thekson se, projektvendimi i qeverisë është bazuar mbi disa pika të ligjit, të cilat, realisht janë shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese që më datë 2 shkurt 2009"


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›