E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurosong,Tola në finale (video)

Moskë -Këngëtarja shqiptare Kejsi Tola është kualifikuar për në natën finale të Festivalit Eurovizion. Gjatë natës së mbrëmshme, këngëtarja shqiptare konkurroi në gjysmëfinalen e dytë me "Carry me in your dreams" (Më merr në ëndërr).

Në këtë grup përfshihen shtete, si Azerbajxhani, Kroacia, Qipro, Danimarka, Estonia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Lituania, Moldavia, Norvegjia, Polonia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Ukraina. Këngëtarja shqiptare ka shfaqur një performancë të shkëlqyer duke marrë votat e mjaftueshme për të kaluar në finale.

Tola do të këndojë e 19-ta në finalen që do të zhvillohet ditën e shtunë. “Jam e lumtur dhe krenare që prezantoj Shqipërinë në Eurovision, dhe mendoj se një artiste nuk e bën mosha. Mund të jesh i ri në moshë, por je i mirë ne atë që bën. Atë performancë që unë bëra sot e dija se mund ta bëja dhe me pëlqen kënga”, është shprehur Tola gjatë hedhjes së shortit për natën finale.

Teksti i këngës është shkruar nga Agim Doçi, ndërsa muzika nga Edmond Zhulali. Listën prej dhjetë vendeve finaliste të gjysmëfinales së mbrëmshme e kryesoi Azerbajxhani, ndërsa Shqipëria u rendit e pesta, duke lënë pas edhe Greqinë, e cila u rendit e fundit.

Dhjetë gjysmëfinalistët e tjerë u përzgjodhën në mbrëmjen e së martës. Në gjysmëfinalen e parë u eliminuan Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa Turqia udhëhoqi me më shumë vota. Rusia, Franca, Gjermania, Britani dhe Spanja automatikisht kanë të drejtë të paraqiten në finalen e së shtunës.

Kejsi Tola ishte këngëtarja më e re në këtë festival, vetëm 16 vjeçare. Kënga shqiptare do të mbajë "Kodin 19", dhe të gjithë shqiptarët të cilët ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë mund ta votojnë këngën e Tolës në numrat e vendeve në të cilët ndodhen.

Më poshtë ju ftojmë të ndiqni në video performancën e Kejsi Tolës në gjysmëfinale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›