E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Mos na çoni me detyrim te bankat

Përfaqësues të organizatave të biznesit kërkuan dje zyrtarisht që qeveria të heqë detyrimet ligjore që i çojnë kompanitë detyrimisht në dyert e bankave për të marrë shërbime, të cilat shpesh janë jo vetëm të panevojshme, por edhe të kushtueshme. Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thotë se biznesi duhet të çlirohet nga një udhëzim i Ministrisë së Financave, i cili sanksionon qarkullimin e shumicës dërrmuese të flukseve financiare përmes sistemit bankar, duke përfshirë edhe pagesa të vogla, si pagat, gjë që i ka shtrenjtuar gjithnjë e më shumë shërbimet bankare në Shqipëri.

Gjatë ditëve të fundit, media dhe publiku i gjerë ka filluar të ndiejë një valë të re shtrenjtimi të shërbimeve bankare, përfshi rritje deri në dyfishim të komisioneve mujore për mirëmbajtjet e llogarive, ndërsa disa banka kanë filluar të zbatojnë masivisht komisione për tërheqjen e parave nga bankomatet apo sportelet.

"Konfindustria zyrtarisht do t‘i kërkojë qeverisë shqiptare që në një kohë sa më të shpejtë të shfuqizojë detyrimin ligjor, të marrë në vitin 2007 për kalimin e jo më pak se 90% të pagesave vjetore të bizneseve nëpërmjet sistemit bankar.

Kërkesa e mësipërme vjen si pasojë e rritjes së ditëve të fundit të kostos së komisioneve të transaksioneve për biznesin, nga një numër bankash të nivelit të dytë", deklaroi dje Buxhuku i Konfindustrisë.

Qëndrim pasiv nga Banka e Shqipërisë

Sipas Konfindustrisë, sistemi bankar shqiptar karakterizohet nga sjellje oligopoliste në treg dhe Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë në mbrojtje të konsumatorëve. "Tregu bankar shqiptar vepron në kushtet e një sistemi oligopol dhe ka nevojë për rregullime rrënjësore, ku Banka e Shqipërisë duhet domosdoshmërisht të luajë rolin e saj", deklaroi Buxhuku.

Autoritetet mbikëqyrëse në SHBA miratojnë vazhdimisht rregullore të ndryshme në mbrojtje të konsumatorëve nga situatat e asimetrisë së informacionit. Vetëm një javë më parë, bordi i Rezervave Federale miratoi një set të ri rregullash, duke detyruar bankat të paralajmërojnë në një kohë të përshtatshme klientët e vet mbajtës kartash krediti për ndryshimet kontraktuale që kryejnë, si edhe t‘i japin të drejtë të refuzojë kushtet e ndryshuara. Detyrime të tilla për bankat në Shqipëri sot për sot nuk ekzistojnë. Qytetarët shpesh nuk arrijnë të informohen as se sa kanë qenë tarifat për shërbimet që marrin dhe as se sa janë bërë.

Abuzim me konkurrencën

Mungesa e transparencës me kushtet dhe informacioni keqorientues për klientët, është njëra anë e problemit. Problemi tjetër, sipas ekspertëve, qëndron në shkallën e lartë të segmentimit të tregut të shërbimeve bankare në Shqipëri. Ndonëse në vend ka 16 banka, numër ky i konsideruar jo i vogël, bankat kanë arritur një shkallë të lartë segmentimi tregu dhe shumë produkte të rëndësishme bankare nuk ofrohen nga të gjitha bankat njëherësh. Për më tepër, edhe kur shërbimet janë të krahasueshme, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e ka luksin të zgjedhë bankën. Për njerëzit që punojnë në administratën publike, bankën ku do të tërheqë pagën mujore apo ku do të mund të marrë shërbimet e tjera bankare si kredi, nuk e zgjedh dot vetë, por e zgjedh drejtori i institucionit. Edhe për kompanitë private, bankën nuk e zgjedh i punësuari, por punësuesi. Në këto kushte, konkurrenca me komisionet e shërbimit apo me cilësitë shtesë të produkteve më të thjeshta bankare si xhirollogaria, duket se nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe.

Si u bë banka e detyrueshme

Në vitin 2003, Banka e Shqipërisë filloi një program për reduktimin e qarkullimit të parasë kesh në ekonominë shqiptare. Duke dhënë vetë shembullin e para, BSH-ja hapi një garë mes bankave të nivelit të dytë se kush do të merrte likuidimin e pagave dhe zgjodhi njërën prej tyre, duke marrë parasysh koston e shërbimit dhe elemente të tjera. Pas kësaj, Ministria e Financave filloi programin e transferimit të pagave të administratës publike nga zyrat e financave pranë institucioneve, nëpër sportelet e bankave. Vetëm se në këtë rast, konceptet garë, kosto dhe detyrim kontraktual, nuk ekzistuan më. Bankat filluan të ofrojnë shërbimin e transferimit të pagës fillimisht falas, pastaj imponuan komisione, (në shumicën dërrmuese të rasteve pa paralajmërim) dhe në fund filluan të detyrojnë klientët të marrin shërbime shtesë, të cilat, përveç kostos, nuk dihet a i hyjnë në punë klientëve apo jo. Edhe kur konsumatorët e dallonin rritjen e kostove, nuk e kishin shansin të ndryshonin bankë dhe vijojnë të mos e kenë. Disa banka filluan të japin automatikisht edhe opsionin e kredisë overdraft për të punësuarit në administratën publike, ndërkohë që konsumatorëve u ra në dorë rrallë ose asnjëherë kontrata me kushtet e këtyre shërbimeve.

Situata u përkeqësua edhe më shumë, kur në vitin 2007, pas një fushate lobingu nga bankat, qeveria miratoi një rregullore për t‘i detyruar të gjitha kompanitë private të kryenin pagesat e tyre të punës përmes bankave. Vendimi u justifikua si "luftë kundër evazionit", por ekspertët thonë se në realitet nuk kishte asgjë të tillë. Bankat filluan pas kësaj të aplikojnë komisione shpesh të rënda për transferimin e parave mes njëra-tjetrës dhe shpesh, edhe për transferimin e parave brenda bankës. Kulmi duket se arriti kur për konsumatorët filluan të aplikohen komisione për tërheqjen e parave nga llogaritë.

"Në kushtet e mësipërme, Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që si hap i parë i rregullimit të gjendjes së pakënaqshme në sistemin bankar shqiptar të shfuqizojë vendimin vazhdimisht të kundërshtueshëm, që me ligj i detyron bizneset të drejtohen në sistemin bankar, duke paguar me detyrim kosto krejtësisht të paarsyeshme financiare", deklaroi dje Gjergj Buxhuku nga Konfindustria.

Sjellja e bankave me konsumatorët në Shqipëri i ngjan kryekëput një loje monopoli dhe shqiptarët sot kanë filluar të ndihen si në kurth. Pa mundësi praktike të zgjedhin një shërbim më të mirë dhe pa mundësi ligjore të refuzojnë shërbimin bankar, shqiptarët duket se janë destinuar të pranojnë pa bërë zë kostot e shërbimeve bankare sipas dëshirës së bankave.

Shembulli amerikan

Vendimi i Rezervës Federale për kartat e kreditit

Bordi i Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara (banka qendrore), miratoi më 15 korrik të këtij viti një amendim të ri të rregullores Z (e vërteta në kredidhënie), duke i kërkuar kreditorëve për të rritur sasinë e paralajmërimeve që konsumatorët marrin para se një normë interesi apo një tarifë rritet mbi një llogari karte krediti, apo kur kushte të tjera të rëndësishme ndryshojnë.

Amendimet u lejojnë gjithashtu konsumatorëve të refuzojnë një rritje të tillë përmes informimit të kredidhënësit para se rritja e interesit të hyjë në fuqi. Këto kufizime janë hapi i parë në zbatimin e aktit të përgjegjësisë, ndershmërisë dhe transparencës mbi kartat e kreditit, të cilin Rezervat Federale e miratuan këtë vit. Banka qendrore në SHBA gjendet në një luftë të vazhdueshme me bankat për t‘i detyruar këto të fundit të informojnë klientët në mënyrë të ndershme për produktet e veta bankare, pasi kredimarrja konsiderohet gjerësisht edhe si një rrugë që të shpie në robëri dhe skllavërim.

Që tani, bankat amerikane do të kenë detyrimet e mëposhtme:

*Kredidhënësit duhet të lajmërojnë me shkrim konsumatorët 45 ditë më parë për rritjen e interesit vjetor të kredisë që tërhiqet me anë të kartës së kreditit (në Shqipëri njihet më shumë si overdraft).

*Kredidhënësit duhet të informojnë konsumatorët në të njëjtin njoftim mbi të drejtën e tyre për të mbyllur llogarinë e kartës së kreditit para se ndryshim i interesit të hyjë në fuqi.

*Kredidhënësit duhet që në përgjithësi të dërgojnë një pasqyrë të veprimeve të llogarisë me kartë krediti te konsumatorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›