E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë për peizazhet e Vlorës

Rreth 53 peizazhe të piktorit vlonjat, Petraq Stefani, pjesë e krijimtarisë së tij më se 30-vjeçare, u prezantuan të enjten në mbrëmje në hollin e teatrit "Petro Marko", në ekspozitën e tij personale të titulluar "Peizazh". Në punimet e ekspozuara, Stefani sjell përmes penelit të tij një pjesë të natyrës së qytetit dhe rrethinave të tij, të fiksuara në këndvështrime të ndryshme. Deti si një element frymëzues në krijimtarinë e Stefanit zë një vend të rëndësishëm në këtë ekspozitë, krahas Vlorës së vjetër, apo fshatrave të njohur si Narta, Zvërneci, apo zona të tjera të spikatura, ku krijuesit e artit viziv realizojnë gjetjet e tyre.

Stefani thotë se peizazhi është një gjini e pranishme në krijimtarinë e tij, krahas gjinive të tjera si kompozimi etj. "Natyra i tërheq përherë krijuesit, për dimensionet që ajo mbart dhe që gjenerojnë optimizëm te njerëzit e thjeshtë", thotë piktori vlonjat. Kjo reflektohet edhe në punimet e ekspozuara këtu, ku vizitori percepton një harmoni ngjyrash herë të qeta dhe herë të ndezura, që mbeten brenda impresionit. Kjo është ekspozita e katërt personale që çel piktori Petraq Stefani në 10 vitet e fundit dhe e dyta që vjen për artdashësit vlonjatë, në këtë sezon veror.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›