E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrimi i ri i pyjeve kërkon ndryshim strategjish

Autori i këtij shkrimi është një ndër specialistët e vjetër të pyjeve, që në kushte aspak të favorshme, së bashku me kolegët e tjerë të vendit, kanë kontribuar në ruajtjen e masiveve pyjore, kanë krijuar nga pyllëzimet artificiale masive që sot nuk i dallon nga ato natyrale, kanë konsoliduar rrjetin hidrografik erodiv me ndërtimet e sistemimeve malore, pa llogaritur përmirësimet në pyje e kullota, kultivimin e bimëve eterovajore si borzilok, koreandër, rozmarinë etj.

Kjo është edhe panorama e shkurtuar e punimeve që kryheshin në vendin tonë deri në fundin e viteve ‘80 nga ndërmarrjet pyjore ku kam punuar. Në periudhën e tranzicionit nuk ruaj asnjë rezervë për të konkluduar se:

Në masivet pyjore të vendit aktualisht nuk po punohet, që do të thotë se Drejtoritë e Shërbimeve Pyjore në të 36 rrethet e vendit, së paku, as po pyllëzojnë dhe as po merren me ndërtimin e veprave tërthore për të evituar erozionin në thellësi.

Aktiviteti i këtyre ndërmarrjeve buxhetore është i reduktuar, përderisa nuk kanë asnjë plan punimesh konkrete. Madje atyre u është mohuar në mënyrën më të pakuptimtë e drejta për të hartuar projekte studimore. Në këtë mënyrë personeli pyjor i vendit sot ka një shterim profesional dhe funksioni i tyre është vetëm të mbrojnë pyjet nga abuzimet dhe zjarret.

Në pyjet e vendit gjatë kësaj periudhe, shteti e shoqëria ka shpenzuar për disa punime të vakëta në pyllëzime që janë të pallogaritshme. Punimet e projekteve studimore, me e pa vend janë likuiduar financiarisht nga Banka Botërore. Do të ishte në nderin e kësaj banke të na bëjë transparent numrin e projekteve studimore që ka realizuar me tenderime dhe sa janë shpenzimet, në një kohë kur ne kishim një armatë specialistësh buxhetorë që paguheshin për këtë punë. Është e nevojshme të na bëhet e qartë se sa nga këto projekte mbarështimi janë realizuar.

I ndodhur para këtyre fakteve vendosa të risensibilizoj të gjitha instancat e pushtetit për të punuar ndryshe në pyje. Kështu, informova në mars 2007-ën ministrin e Arsimit, drejtoritë Arsimore të qytetit e fshatit për të filluar një nismë "1 fidan pyjor, 1 nxënës", ku në disa shkolla brenda territorit të oborrit të kultivoheshin në një minisipërfaqe të mbjella në qese, fara halorësh, për të ngjallur kështu te nxënësit e shkollave 9-vjeçare dashurinë për gjelbërimin. Po në këtë vit, bashkive të Tiranës, Durrësit, Elbasanit u rekomandova që të angazhoheshin për të hartuar krahas planit të zhvillimit urban dhe atë të gjelbërimit të planifikuar. Me kërkesën e tij, i drejtova Kryeministrit Berisha informacionin me idetë profesionale për të ndryshuar punën e deritanishme në pyje. Për hir të së vërtetës ishte i vetmi që dërgoi në dikasteret e arsimit dhe mjedisit për t‘u parë materiali. Por vetëm kaq, pasi është e vështirë që të merret përsipër realizimi i reformave nga punonjësit e dikastereve në fjalë.

Duke qenë se administrimi i pyjeve ka ndryshuar, rishihet e nevojshme një strategji tjetër, që mendoj se do të ndryshojnë rrënjësisht punën në këtë sektor jetik:

Drejtorisë së Pyjeve e Kullotave, e inkuadruar në Ministrinë e Mjedisit, duhet t‘i kthehen të gjitha kompetencat që ka pasur deri në vitin 2000. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë shtabi drejtues për të gjithë aktivitetin e punimeve në pyje e në rrjetin hidrografik të vendit. Këtë kam bindjen se e realizojnë specialistët aktualë dhe me eksperiencë e bagazh profesional që punojnë në këtë ministri.

Drejtuesit e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në rrethe duhet të jenë të gjithë specialistë pyjesh, pra inxhinierë me stazh pune. Të aplikohet edhe forma e qarkullimit të tyre nga rrethi në rreth.

Të shkrihet policia pyjore, si hallkë e tepërt e paralele me personelin, pasi çdo punonjës i këtij sektori është njëherazi në çdo kohë dhe polic pyjor me të gjitha të drejtat që i jep ligji.

Në kushtet konkrete të administrimit të pyjeve, territori i vendit tonë ka nevojë për sistemime malore dhe pyllëzime. Për këtë, specialistët e pyjeve pranë komunave të paraqesin studimin e thjeshtë e të shpejtë për ndërhyrjet emergjente në vendet ku erozioni në thellësi rrezikon shembjet e masiveve në afërsi të banesave. Pranë çdo komune duhet krijuar një skuadër e specializuar për ndërtimin e veprave tërthore të thjeshta.

Për pyllëzimet e çdo komune të ketë fidanishtet e saj të vogla, ku fidanët e prodhuar të plotësojnë nevojat që kanë vendet e zhveshura apo të djegura. Meqenëse në kushtet e ngrohjes globale, kur temperaturat arrijnë mbi 40°C, bëhet i vështirë realizimi i suksesshëm i pyllëzimeve dhe për këtë kërkohet planifikim për sigurimin e ujit për vaditjen dy vitet e para pas mbjelljes. Këtë kërkesë të domosdoshme e plotëson ndërtimi i veprave hidroteknike të thjeshta për çdo objekt. Në dy vitet e para, për komunat e varfra malore shteti duhet të ndihmojë me investime, ku dora preventivore të jetë e shtrënguar dhe të plotësojë vetëm pagën e punëtorëve dhe blerjen e bazës materiale. Të gjitha preventivat e punimeve të deritanishme duhen riparë.

Për të ngritur nivelin ekonomiko-financiar të komunave duhet të shihet mundësia e krijimit të rezervateve të gjuetisë, çka do të krijojë supermbrojtje të masiveve pyjore nga zjarret, si dhe do të krijojë mundësi punësimi për banorët e zonave të thella dhe gjallërimin e turizmit malor e sportiv aty.

Sa u përket zjarreve, gjatë kësaj vere mund ta konsiderojmë veten fatlumë, pasi ndryshe nga Greqia, Spanja e Portugalia, nuk patëm një sezon "serioz". Mendoj se pakësimi i rasteve të zjarrit në pyje u ndikua nga kalimi i 65 për qind të fondit pyjor nën administratën e pushtetit vendor. Megjithatë, Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve duhet të hartojë dhe zbatojë një program të detajuar për të qenë në gjendje të përballojë emergjenca të tilla. Së pari është e domosdoshme hapja e rrugëve autopyjore, fillimisht në masivët me vlerë të madhe. Gjithashtu, në periudhën e verës duhet të shtohet numri i vrojtuesve nëpër komuna. Nga ana tjetër, kuvendit të ardhshëm i del për detyrë të miratojë një ligj të veçantë, ku të ndëshkohen maksimalisht zjarrvënësit në pyje. Në qoftë se edhe në fundin e vitit 2010 do të kemi zjarre minimale në pyje, ideatorët e kalimit të administrimit të pyjeve te komunat duhen përgëzuar nga e gjithë shoqëria, pasi kjo është një nga arritjet më të mëdha për vendin.

Më pas na mbetet detyra e vetme të ruajmë masive pyjore ekzistues, të pyllëzojmë vendet e zhveshura dhe të konsolidojmë sa të mundim terrenin erodiv. Mundësitë ekzistojnë. Kërkohet vullnet, guxim për t‘u rifutur në rrugën e punimeve konkrete në pyjet tona.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›