E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur vritet deputeti dhe polici

Nuk di nganjëherë nga ta zësh fillin e shkrimit, cilin fakt të qëmtosh e cilin jo, pasi të duket se asgjë nuk ka mbetur pa u thënë, asnjë lajm nuk është më i ri, të gjitha kanë ndodhur njëherë, tani vetëm sa përsëriten e përsëriten, si në një ritual të pashembullt vdekjeje, ku edhe vrasjet, edhe vetëvrasjet, edhe aksidentet janë po ato të një viti më parë, të dhjetë vjetëve më parë, disa sosh, pse jo dhe të një shekulli më parë!... Prandaj këto që ndodhin sot, këto ditë, këtë verë, ngjajnë vetëm si ca vdekje të radhës! Ndoshta pikërisht ngaqë mendohet kështu, se shoqëria është përshtatur me këtë gjendje si me një fatalitet, ajo dhe nuk ndryshon. "Hë, more, se tri ditë zgjat çudia më e madhe, se pastaj ndodh diçka tjetër". Ky është ngushëllimi ynë folklorik si prej shakaxhinjsh të së keqes. Mendësia kësisoj dhe pazotësia për të vepruar na lë prapë në vend, në një kriminalitet përherë të ricikluar, që gjeneron fort dhe egër mbi trupin e varfër të atdheut tonë. Tri ditë zgjati "çudia" e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Dhe pse kanë kaluar katër muaj, ende nuk ka një version zyrtar të saj. Tri ditë duket se po zgjat dhe "çudia" e masakrës mbi katër efektivat e policisë në plazhin e Durrësit, ku sërish nuk dihet se si ndodhi që një grup policor me përvojë në operacionet speciale të shuhej përnjëherësh, me goditjen e parë, si në një aksident me makinë, a si të ishte shembur skela e një pallati e t‘i kishte zënë poshtë. Ndryshe si mund të kuptohet asgjësimi i beftë i një strukture eprore të Policisë së Shtetit, në një vend tashmë të anëtarësuar në NATO, çka nënkupton jo fasadë më të shndritshme sigurie, por standard real më të lartë të sigurisë së jetës. Krismat dhe të shtënat nuk po kanë të sosur në këtë vend, kurdo dhe mbi këdo, si në rastin kur një kryetar vendor qëllohet me armë, si kur për motive të dobëta kunati vret kunatin, si kur një banor rrëmben automatikun, hap derën e fqinjit dhe shtie mbi të madh e të vogël, por që fatmirësisht ndonjëherë pushka dhe fal! Gjithsesi, ke frikë të dëgjosh buletinet e lajmeve, të shfletosh gazetat, të numërosh të vdekurit e përditshëm të dheut tënd. Ende jeta e njeriut këtu ikën për dhjamë qeni, për një zhurmë muzike, për një grindje të rastit: "Jo ti, jo unë", shkurt, për asgjë!...

Dënimi i dyfishtë: edhe gjyqësi, edhe vetëgjyqësi!...

Është vështirë të përfytyrohet në shoqërinë e sotme, që për të njëjtin faj zbatohet dënim i dyfishtë. Kështu ndodhi para disa ditësh në një fshat të Krujës. Gazeta shkruan se vëllai i një të vrari ka marrë gjakun, duke ekzekutuar babanë e vrasësit të dënuar nga gjykata. Kjo do të thotë se gjakmarrësi nuk e njeh shtetin, ligjin (dënimin e dhënë në sallën e gjyqit), kushtetutën, rendin juridik. Personit që kryen shpagim sot, nuk ia ka dalë t‘i imponohet me forcën e ligjit asnjë lloj njeriu i veshur me pushtet, në radhë të parë polici i lagjes, i fshatit, njeriu me uniformë, ndryshe nga ç‘ndodhte dikur, ku një xhandar i Zogut ia dilte të bënte "zap" një krahinë. Do të mjaftonte një rast si ky, i ndëshkimit të dyfishtë për të njëjtën vrasje (edhe me ligj, edhe me zakon), që nuk është i vetmi i këtij lloji, që rendi juridik në Shqipëri të tronditej në themele, që klasa juridike të ngrihej në këmbë e alarmuar me të gjithë zyrtarët dhe nëpunësit e shtetit, jo duke u hakërryer mbi "Kanunin" si shkaktari i këtij krimi, por mbi dobësinë e shtetit ligjor në këtë vend. Ekziston një problem i madh social, politik dhe juridik dhe nuk është se kështu e kanë ata, njerëzit e zonave të "dominuara" nga Kanuni, nuk rrinë dot pa marrë hak. Në Shqipëri, arena e krimit është e njëjtë si në jug, si në veri, gjithkund dhe për gjithçka ka hakmarrje dhe vetëm diku-diku vihet re ajo ngjyresa e gjakmarrjes, që është një formë e hakmarrjes. Pikërisht këtu lipset të zërë fill debati publik: cili është tipi i sotëm sociologjik i njeriut, që në shoqërinë demokratike, mbret i së cilës është ligji, të drejtat e tij i do në këtë frymë, ndërsa për dikë tjetër kërkon ndëshkim të dyfishtë, edhe me ligj, edhe me zakon! Kjo pozitë e ndërdyztë dëshmon se përgjatë njëzet vjetëve të tranzicionit vërehet një gjendje sociale ndërmjetëse, e turbullt. Padyshim që politika këtu ka hisen e vet të së keqes. Kemi një njeri që i kërkojmë të votojë rregullisht, njëherë në katër vjet, të jetë demokrat, socialist, të jetë kështu e ashtu, po sa i kërkojmë atij të jetë shtetas korrekt, që zbaton ligjet, që nuk mban lidhje me krimin etj. Ky njeri nuk është i formuar me ndërgjegjen juridike, sepse klasa politike që e udhëheq atë nuk është e tillë. Është njeriu me komplekse i fazës kritike të ndryshimit të sistemit, që ende nuk ka dalë nga kriza e vetvetes, nga zgjedhja mes vesit dhe virtytit, nga tundimi për t‘ua hyrë aventurave të rrezikshme të fitimit të pamerituar, pasi kështu ka parë ai dhe ndër prijësit e tij politikë! Ata që zakonisht preferon t‘i marrë për model.

Një vrasje "kanunore" në Tiranë

Një profesor i njohur i Psikologjisë i Universitetit të Tiranës shtjellonte para një auditori rastin e atij babait kuksian që vrau vajzën e vet. Siç dihet, vrasja ndodhi në rrethinat e kryeqytetit dhe opinioni në këto raste është i prirur të gjejë shkakun e krimit. Policia nuk është se merret me psikologjinë e personit vrasës, për të është kryer një krim dhe ajo ka vënë në pranga kriminelin. Gjykata, dhe në u marrtë me analizën e anës sociale, nuk është se e ka për detyrë ta "studiojë" rastin (si fenomen) për t‘ua servirur katedrave, auditorëve etj. Shoqatat përkatëse, qendrat e specializuara japin leksione, por pa mundur të ndikojnë realisht në kategoritë që preken më fort nga krimi në familje, lë pastaj mbi një baba gjithë trazim shpirtëror, ngaqë nuk arrin dot të përshtatet me sjelljen ndryshe të fëmijës së tij. Por përtej rastit vërehet një dukuri e ndjeshme sociale. Fshatari, që një ditë kishte zbritur nga bjeshkët, nuk ishte përgatitur për kryeqytetin, dinte se ç‘po linte pas krahëve, por nuk e dinte se çfarë e priste atë dhe familjen e tij atje ku po vente. Vajza e tij atje kishte parë vetëm dy pëllëmbë qiell dhe braktisjen e madhe të atyre vendeve, kurse në Tiranë vrundullonte një tjetër jetë, jeta urbane, që do ta përfshinte dhe atë në vorbullën e saj. Shkurt, ajo familje ishte e papërgatitur për jetën e re. Por dhe vetë kryeqyteti ishte i papërgatitur për t‘i pritur në gjirin e vet këta banorë të maleve t‘ona, nuk e njihte botën e tyre të brendshme, natyrën emotive, veçanërisht atë mendësinë e rrënjosur mbi nderin. Politika kishte shkuar atje rrallë, thuajse vetëm për një dorë vota, i kishte rrahur shpatullat atij njeriu kur ai kishte qenë mbështetës dhe e kishte lënë në shejtninë e tij kur nuk kishte qenë i tillë. Shteti atje nuk kishte shkuar as me mekanikë bujqësore, as me kreditim të biznesit, as me mundësi punësimi, as me ndonjë shkollim normal. Kështu, asnjëri nuk ishin përgatitur për shoqi-shoqin, as Metropoli, as ajo Shqipëria tjetër, mes të cilëve po krijohej gjithnjë e më tepër hendek social-ekonomiko-kulturor. Njëri nuk ishte përgatitur për të ikur, tjetri nuk ishte përgatitur për të pritur. "Po mua askush nuk më tha se si duhet të sillesha këtu, në vendbanimin e ri", kishte qenë akuza e atij njeriu që nuk i drejtohej askujt, po që u drejtohej të gjithëve. Atje ku kishte qenë, i kishte pasur në sy punët e veta dhe të familjes. Lirinë e jetës urbane nuk mund ta suportonte, jo se nuk donte, por se ishte shpejt për të. Dikush duhej t‘ia "thoshte" atij se në Metropol lypseshin sjellje dhe zakone të tjera. Krimi i bijëvrasjes ndodhi jo për shkak të ndonjë "instinkti" shekullor, porse nuk po dinin si të merreshin vesh jeta urbane me atë rurale. Ndaj ajo vrasje, më parë se kanunore, ishte për shkak të krizës dhe kaosit të tranzicionit. Problemi është të mos ketë qasje të rrejshme, iluzione të kota, alibi, po gjërave t‘u vihet emri që kanë, pasi vetëm kur një shoqëri i kupton plagët e saj, se nga i vijnë, mundet dhe t‘i shërojë ato.

Rebus për politikën

Ndërkohë, ne, në vend që t‘u hyjmë analizave sociale dhe të përpunojmë një opinion mbytës ndaj krimit, atij të vrasjes në veçanti, zgjidhim "rebusin" e përditshëm të politikës... Përtej një kronike të pafundme krimi, e gjitha kjo "xhungël", a ka dhe një sfond politik? Në kuptimin e politikës si veprim dhe si mosveprim. Vini re sa shumë merremi me liderët tanë politikë, deri në mani e deri më marrëzi, me atë se çfarë bën dhe nuk bën Berisha, si ua drodhi Meta të vetëve e si atij i iku pesëshja nga duart, si i bën karshillëk Nano të majtës e si socialistët e thjeshtë ia kanë vënë kufirin te thana, si nuk i bindet Rama statutit të bërë nga ai vetë e si një e treta e kryesisë i ka dalë kundër. 19 vjet i njëjti qerthull, pështjellim, gjiriz politik, nga i cili nuk dalim dot. I bëmë heronj politikanët dhe nuk është se atyre prapa u vete historia, po jemi ne që ua ngjisim me pahir nga mbrapa historinë! Pa dashur ta bëjmë me njollë politikën me patjetër, siç dhe e kemi zakon, një si hije të saj nuk mund të mos e dyshosh. Mbase se kështu u ngjiz ajo në demokraci, shpesh si një zgjatim i së djeshmes. Një ish i dënuar politik, që kishte shkuar të gjente eshtrat e bashkëvuajtësve të tij, në një ish-kamp, tha se dikush nga ata që pati dirigjuar procesin e ridënimit me vdekje të dy të dënuarve në vitet tetëdhjetë, ishte bërë deputet në fillim të viteve nëntëdhjetë, pra kishte ndërruar "këmbën" dhe kishte hyrë në kohën e re me tjetrën. Ashtu si dikush tjetër më pas nga "sipër tankeve" do të kërcente drejt e në zyrat e shtetit. Si të ishim të nëmur të mbeteshim për shumë vite mbërthyer në "Vdekjen e kalit", paçka se kush e mbarështronte kalin... e politikës!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›