Biznesi: “Parlamenti të votojë Gjykatën Administrative”
07/03/2010 Miratimi i Projektligjit të Gjykatës Administrative vazhdon të qëndrojë pezull për shkak të mungesës së kartonëve në Parlament, pavarësisht se mbetet një ndër kërkesat kryesore të komunitetit të biznesit. Gjatë seancës së fundit plenare, opozita ka braktisur sërish votimin për këtë ligj duke sjellë dhe reagimin e përfaqësuesve të biznesit. Për Ilir Zhillën, kreun e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Gjykatë Administrative “është kutia që opozita duhet të hapë sa më parë”. Edhe ekspertë të ekonomisë mendojnë se opozita nëpërmjet kësaj zgjidhjeje politike po vijon të penalizojë jo vetëm biznesin, por edhe qytetarët për mosmarrëveshjet që kanë me administratën. Prej më se një viti, gati 30 shoqata biznesi po lobojnë për miratimin e ligjit të Gjykatës Administrative, duke ia kërkuar këtë opozitës, që e refuzoi edhe në legjislaturën e shkuar. Ngritja e Gjykatës Administrative do të mundësojë shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative, duke lënë pas afatet e tejzgjatura dhe mungesën e specializimit në trajtimin e tyre, probleme, me të cilat bizneset ndeshen shpesh. Aktualisht, ky projektligj është miratuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve më të gjitha ndryshimet e paraqitura. Pritet vetëm miratimi i tij në Kuvend. Por ligji për Gjykatën Administrative në Shqipëri hyn tek ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsej Parlamenti, ndaj dhe biznesi i ka bërë thirrje opozitës që ta votojë këtë projektligj. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, ka qenë nismëtare dhe bashkëpunuese për të projektuar saktë ngritjen e kësaj gjykate.