E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sulmon OSSH: Po bën politikë

Akuza Socialistët kërkojnë hetimin e kompanisë çeke nga prokuroria shqiptare

Partia Socialiste sulmoi dje Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes si një kompani që i koordinon veprimet e veta me partinë në pushtet, si dhe i sugjeroi prokurorisë ta hetojë për vjedhje. Kjo është hera e parë që Partia Socialiste sulmon një biznes privat.

“Monopoli OSSH është përfshirë në politikë që kur pranoi politikisht dhe jo ekonomikisht kërkesën elektorale të Sali Berishës për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike për vitin 2009, me efekt në zgjedhjet e qershorit, duke flakur tej një plan ekonomik me një rritje më të butë e të arsyeshme të çmimit të energjisë në vitet që do të pasonin, duke përfshirë edhe 2010”, deklaroi deputeti socialist Erjon Braçe. OSSH u ble në masën 76 për qind nga gjigandi energjetik i Europës Qendrore CEZ për 102 milionë euro, minus ndryshime në bilanc dhe në rregullore që u kryen nga qeveria në çastet e fundit gjatë negociatave të drejtpërdrejta dhe që patën vlerë të përgjithshme prej së paku 80 milionë eurosh. Një nga kushtet e privatizimit ishte edhe mosrritja e tarifave të energjisë elektrike në vitin 2009, si dhe premtimi i qeverisë se do të kompensonte humbjet gjatë viteve pasuese.

“Grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike – me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk është një gabim njerëzor por një veprim i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm që ka arkëtuar për llogari të OSSH të ardhura të paligjshme, duke konsumuar veprën penale të vjedhjes së afro 1 milion klientëve”, deklaroi Braçe. Prokuroria e ka regjistruar një denoncim kundër OSSH-së, por nuk ka njoftuar deri tani nëse ka nisur apo jo hetime.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›