E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’po merren vesh


Bisedimet për ndërtimin e autostradës kanë hasur në gozhdë. As kompania e përzgjedhur, Bechtel-Enka e as Ministria e Transportit nuk po lëshojnë pe për projektin e rrugës së kombit Vërmicë-Besi.

Express mëson se Bechtel-Enka po insiston që një pjesë prej 28 kilometrash nga pritet të devijohet autostrada të vazhdojë pa projekt. Këtu ende nuk është vendosur se sa do të jetë kostoja e këtij segmenti dhe si do të ndërtohet. E pjesa tjetër do të kushtojë rreth 650 milionë euro. Burime të gazetës thonë se përfundimisht javën e ardhshme do t`i jepet fund kësaj maratone dhe në mbledhjen e radhës së qeverisë do të nxirren detajet për marrëveshjen e arritur.
“Kanë mbetur edhe tri takime të rëndësishme mes qeverisë dhe kompanisë. Aty do të vendoset gjithçka”, thotë ky burim.

Megjithatë, propozimi i kosorciumit turko-amerikan për evitimin e tuneleve në segmentin Shtime-Suharekë, me devijim të trasesë që fillimisht është parë si mundësi për reduktimin e kostos për rreth 400 milionë euro, ende nuk ka marrë miratimin e qeverisë.

Të njëjtat burime thonë se kompania propozuese kërkon që në këtë segment të aplikohet metoda planifiko dhe ndërto, ashtu siç ka vepruar gjatë ndërtimit të autostradës në pjesën e Shqipërisë.

“Kjo metodë për Qeverinë e Kosovës nuk është shumë e sigurt, pasi që mund të rrisë koston deri në 200 milionë euro”, thonë persona të përfshirë në këto bisedime.

Ndërkaq, zëdhënësi i MTPT`së, Xhevdet Pozhari, thotë se janë duke u shikuar të gjitha variantet e propozuara dhe do të merret vendimi për variantin më të mirë në favor të Kosovës.

“Jemi të interesuar të kemi një kontratë sa më të leverdishme”, thekson Pozhari.

Sipas tij, çështja e datës së arritjes së kësaj marrëveshjeje, kur bëhet fjalë për projekt kaq të madh, nuk dihet saktë. Ai pranon se bisedimet janë në fazën përfundimtare, por ende nuk mund të thuhet se çfarë ka mbetur për t`u shqyrtuar në ditët në vijim.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar propozimin e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, për të filluar negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ka ofruar që ta ndërtojë autostradën që parashihet të jetë rreth 103 kilometra e gjatë me 7.5 - 8 milionë euro për kilometër.
Në garë për këtë projekt ishte edhe kompania austriake Strabag, e cila në ofertën për ndërtimin e autostradës ishte bazuar sipas projektit i cili ekzistonte më herët, që traseja të kalonte nga Merdarja, Prishtina, Lipjani, Suhareka, Prizreni, Vërmica dhe kostoja e tërë kësaj, me tunele, do të kushtonte 1.3 miliardë euro. Ndërkaq, konzorciumi Bechtel & Enka në ofertën e vet kishte propozuar që të eliminoheshin tunelet dhe traseja të kalonte nga Merdarja, Prishtina, Sllatina, që lidhte aeroportin dhe kalonte nga rruga ekzistuese në Komoran, Arllat, ku më pastaj vazhdon drejtë Malishevës, Suharekës dhe Prizrenit.
Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, pati shpjeguar se, sipas propozimit të kompanisë, për 36 muaj pritet përfundimi i gjithë autostradës nga Besia në Sllatinë – Orllat dhe pastaj nga Orllati në Vermicë.

Propozimi i “Bechtel & Enka” përfshin ndërtimin e dy fazave të segmenteve të autostradës. Faza e parë përfshin ndërtimin e segmentit A1, A2, plus B3 nga Vërmica – Prizren – Therandë - Arllat në gjatësi prej 60.7 km, e cila pritet të përfundojë brenda 24 muajve nga dita e fillimit të punimeve, në një kosto përafërsisht 7.5 deri në 8 milionë euro për kilometër rrugor. Ndërsa faza e dytë përfshin ndërtimet e segmentit Sllatinë - Besi në gjatësi prej 27 kilometrash dhe pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga nënshkrimi i kontratës dhe kostoja është përafërsisht e njëjtë.

Kompania ka rekomanduar që nga Vërmica deri në Therandë të shfrytëzohet traseja ekzistuese e autostradës prej 37.7 kilometrash, por edhe një pjesë e segmentit C dhe D të autostradës do të shfrytëzohet traseja ekzistuese sipas projektit të mëhershëm Prishtinë – Besi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›