E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, qeveria nxjerr gjithçka në shitje

Prifti: Këtë vit synojmë të arkëtojmë 100 milionë euro nga privatizimet

Qeveria shqiptare deklaroi dje se ka në plan të nxjerrë në shitje gjithçka që ka mbetur nga pronat publike, përfshirë edhe repartet ushtarake të papërdorura, me synimin për të arkëtuar brenda këtij viti së paku 100 milionë euro. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi dje se ka marrë një direktivë nga Kryeministri Sali Berisha për të intensifikuar punën për identifikimin dhe shitjen e aseteve publike.

"Direktiva është për të privatizuar pothuajse çdo gjë, me përjashtim të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, të cilat nuk do të jenë në proces privatizimi. Pastaj çdo gjë tjetër është që çdo pronë e shtetit, ndërmarrje shtetërore, apo asete dhe prona kudo që të jenë ato, të vihen në proces privatizimi që të kemi mundësi që shteti dhe qeveria të kursejë më shumë nga shpenzimet e veta dhe ndërkohë të ketë një kontribut që parashikojmë të shkojë në 100 milionë euro", tha Prifti. Rreth 100 punonjës të administratës publike janë angazhuar në këtë proces. 
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar disa herë përshpejtimin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, por gjithsesi nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë ka ndërmend të shesë.

çfarë ka mbetur

Në duart e qeverisë sot kanë mbetur shumë pak asete për t’u privatizuar. Të gjitha kompanitë e rëndësishme, me përjashtim të “Albpetrol” janë shitur sakaq. Në duart e qeverisë kanë mbetur paketat minoritare prej 24 përqindësh të aksioneve të “Albtelecom”, tek ARMO si dhe tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Vetëm kompania e sigurimeve INSIG, të cilën nuk e ka blerë askush, pavarësisht se është nxjerrë në shitje disa herë, vijon të kontrollohet 100 për qind nga shteti. Kompania e naftës “Albpetrol” vlerësohet si e parëndësishme nga investitorët për shkak se vendburimet më të mira të naftës u janë transferuar tashmë investitorëve privatë. Ministri Prifti i shtoi se në privatizim do të nxirren edhe “hidrocentralet e vegjël”, por nuk përmendi se cilat prej tyre. Të gjitha hidrocentralet që nuk kishin funksion strategjik në sistemin energjetik shqiptar janë privatizuar sakaq nga qeveritë paraardhëse.

Ministri informoi se ka filluar procesi i privatizimit të aksioneve të shtetit në “Albtelecom” dhe ARMO, me përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar për privatizimin e “Albpetrol”, ndërsa është ngritur grup pune ndërministror për privatizimin e INSIG-ut. Sipas tij janë mbi 200 fabrika, ndërmarrje apo uzina që dikur kanë qenë pronë shtetërore aktive, tashmë në proces likuidimi apo të dhëna me qira që do të futen në proces privatizimi. Prifti thotë se këto ndërmarrje kanë aktualisht kosto për buxhetin e shtetit. Pavarësisht se shumë ish-ndërmarrje shtetërore kanë falimentuar dhe nuk kanë aktivitet prej vitesh, ato sërish kanë drejtorë e punonjës të tjerë që vijojnë të marrin rroga, pavarësisht se nuk kryejnë asnjë punë.

Repartet ushtarake

"Para pak ditësh na ka mbërritur lista e plotë nga Ministria e Mbrojtjes me rreth 450 reparte ushtarake që do të futen në procesin e vlerësimit dhe pastaj privatizimit të plotë. Ka prona shumë të vyera, duke nisur nga Tirana, në zonat bregdetare dhe ato malore. Parashikojmë që të kemi një kontribut prej 100 milionë eurosh për buxhetin e shtetit nga procesi i privatizimit", u shpreh Prifti. Një pjesë e këtyre bazave ushtarake janë në zona turistike atraktive, veçanërisht në bregdetin e Jugut, i cili në kohën e komunizmit ishte konsideruar zonë kufitare e për rrjedhojë qe mbjellë me baza ushtarake. Para viteve ‘90, Shqipëria ka pasur rreth 5 mijë baza ushtarake të përhapura në të gjithë vendin. Të gjitha këto, vështirë se do të mund t’i japin buxhetit 100 milionë euro.

Të uritur për para

Financat publike në Shqipëri po përballen me probleme të shumëfishta këtë vit. Në shumë institucione publike pagat po shpërndahen me disa ditë vonesë, ndërsa kompanitë që qenë kontraktuar për ndërtime rrugësh e infrastrukture, nuk kanë marrë paratë për punët e kryera gjatë vitit 2009. Duke e parë këtë situatë, Ministria e Financave i propozoi qeverisë uljen e shpenzimeve publike me 10 për qind të totalit të programuar këtë vit, ose 40 miliardë lekë. Kryeministri Sali Berisha pranoi vetëm një ulje prej 25 miliardë lekësh, gjë që konsiderohet e pamjaftueshme për të shpëtuar financat publike nga problemet serioze. Ministria e Financave mori kredi direkte nga Banka e Shqipërisë në muajin janar, një masë kjo e konsideruar ekstreme e që mund të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Vështirësitë vijuan edhe në muajin shkurt. Tani qeveria shpreson se do të zgjidhë problemin, duke marrë 350 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar, ndërsa po nxiton të nxjerrë në shitje çdo gjë që ka mbetur shtetërore me synimin për të fituar ca para.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›