E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, bankat e nivelit të dytë të detyrohen të ulin interesat e krediveNga TemaUlja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë po shikohet si një masë që nuk do të ketë asnjë efekt në koston e parasë dhe në rritjen e sasisë së kredive që do

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Biznesi, bankat e nivelit të dytë të detyrohen të ulin interesat e krediveNga Tema

Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë po shikohet si një masë që nuk do të ketë asnjë efekt në koston e parasë dhe në rritjen e sasisë së kredive që do të shkojnë për ekonominë. Dhoma e Tregtisë dje tha me shqetësim se bankat e nivelit të dytë duhet me doemos të pasqyrojnë uljen e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë dhe për këtë duhet që Banka e Shqipërisë të mund të luajë një rol. Ka gjasa që ulja e normës së interesit me 0,5 pikë përqindjeje nga Banka Qendrore të shkojë vetëm për të rritur fitimet e bankave të nivelit të dytë, të cilat do të vijojnë të ofrojnë të njëjtin çmim të parasë si edhe më parë duke mos ulur normat e interesave të kredive. Kjo gjë ka ngjarë edhe herë të tjera në të shkuarën, kur Banka e Shqipërisë ka ulur normën e interesit. Pak kohë më parë Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit dhe në fakt norma e interesit të kredive nga bankat e nivelit nuk pati asnjë ndryshim. Banka e Shqipërisë ka pak mundësi për të ndërhyrë, në mënyrë që bankat e nivelit të dytë të pasqyrojnë uljen e normës së interesit. Bankat e nivelit të dytë veprojnë në liri të plotë dhe duhet thënë se konkurrenca në tregun bankar në Shqipëri është thuajse e paqenë. Asnjë bankë nuk ofron çmime të ndryshme nga tjetra. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të biznesit prodhues në vend, Konfindustria, e quajti të vonuar vendimin e Bankës së Shqipërisë për të ulur normën e interesit dhe kërkoi që ajo të nxisë bankat e nivelit të dytë të pasqyrojnë këtë ulje. Konfindustria tha se mundësitë praktike që të ulen normat e interesave të kredive janë thuajse zero. Shumë specialistë të ekonomisë gjithashtu janë shprehur se vendimi i Bankës së Shqipërisë nuk do sjellë asnjë ndryshim në treg dhe bankat e nivelit të dytë do të vijojnë po në të njëjtën mënyrë si deri tani. Qeveria e Shqipërisë në përpjekje për të nxitur bankat të japin kredi më shumë dhe për të krijuar presion tek ato nuk kërkojnë të marrë kredi në tregun shqiptar. Qeveria shqiptare mori rreth 300 milionë euro kredi, por i mori në tregun e huaj, në mënyrë që bankat e nivelit të dytë të kenë më shumë pará për të dhënë si kredi për ekonominë në vend. Kjo në fakt nuk dihet se sa ka ndikuar, por shifrat tregojnë për më pak kredi sesa vjet dhe për norma interesi të niveleve të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›