E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronarët e bregdetit në udhëkryqNga Eglantina Bifsha Ligji 7501, i aprovuar nga dy partitë e mëdha më 19 korrik 1991, i cili mbetet edhe sot e kësaj dite në fuqi, përbën absurdin më të madh në vendin tonë. Te ky ligj një pakicë gjen sigurinë e plotë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pronarët e bregdetit në udhëkryqNga Eglantina Bifsha

Ligji 7501, i aprovuar nga dy partitë e mëdha më 19 korrik 1991, i cili mbetet edhe sot e kësaj dite në fuqi, përbën absurdin më të madh në vendin tonë.

Te ky ligj një pakicë gjen sigurinë e plotë të interesave të saj, kurse shumica e shqiptarëve e kontestojnë si antidemokratik dhe antikushtetues.

Ligji përjashton nga pronësia mbi tokën bujqësore pronarët e ligjshëm të para-kooperativave socialiste, si dhe para Reformës Agrare të diktaturës komuniste.

Njëkohësisht ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me konventat e të drejtave të njeriut.

Po ta shikojmë me kujdes, do të vëmë re se në dhënien e tokave apo të kullotave në pronësi dhe përdorim, personave juridikë dhe fizikë nuk u njihet pronësia e mëparshme, as madhësia, as kufijtë e saj para kolektivizimit, në këtë mënyrë ligji mohon pronësinë e mëparshme mbi tokën, të trashëguar nga të parët tanë.

Mendoj se duhet trajtuar ndryshe problemi i kthimit të tokave në bregdetin e Jonit, në mënyrë që të shkohet te prona e të parëve.

Personalisht më duket krejt e habitshme që në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, edhe pse kërkohet një numër i madh dokumentesh, ajo që ka më tepër peshë dhe njihet nga Kryesia e Këshillit Bashkiak të Himarës nuk merret fare parasysh. Atëherë lind pyetja: Si dhe çfarë dokumentesh duhet të paraqiten në zyrën përkatëse për të vërtetuar pronësinë e të parëve, të cilët për arsye të taksave të larta të asaj kohe nuk i kishin të regjistruara?

Institucionet kompetente duhet sa më parë t’i japin zgjidhje këtij problemi madhor që ekziston në bregdetin Jon.

Vetëm kështu banorët e Himarës dhe jo vetëm do të mund të bëhen pronarët e ligjshëm të tokave të tyre, kështu do të mund të shmangen abuzimet e shumta që mund të bëhen, si nga pushtetarë vendorë, ashtu edhe nga pushtetarët e lartë, të cilët e lakmojnë jo pak atë zonë turistike.

Pra, duhet bërë me përgjegjësi informimi i qytetarëve, të cilët kanë probleme pronësie duke renditur dokumentet përkatëse. Vetëm kështu nuk do të kufizohet e drejta e kthimit të pronësisë te pronari i ligjshëm.

Një problem tjetër madhor që nuk lejon pajisjen e banorëve me certifikatën e pronësisë ose dhe me vërtetim pronësie në atë zonë është dhe mosbërja e hartave të reja të tokës, e kjo ka shtyrë jo pak, por për disa vjet pajisjen e banorëve me dokumentin e certifikatës se pronësisë.

Deri kur pronarët e bregut do të jenë në udhëkryq?!

Përse mbahet peng i institucioneve shtetërore mos-regjistrimi i tokave në mënyrë “fshatçe“ ? Kjo ngre një dyshim të madh te banorët e Himarës. Nëse sot nga qeveria flitet me të madhe për një proces integrimi në strukturat evropiane, proces në të cilin është përfshirë i gjithë rajoni, ky proces do të ishte i mangët pa realizuar më parë integrimin e qytetarëve në shoqërinë demokratike, pasi demokracia është në radhë të parë liria e të drejtave të njeriut, ku përfshihet edhe njohja e trashëgimisë së të parëve.

Kjo njohje është provë e rëndësishme për integrimin e një shoqërie dhe të mbarë vendit në organizmat evropianë.

Përse gjithë kjo vonesë në bërjen e hartave të reja të pasurive të paluajtshme të Himarës?! Çdo pengese apo vonesë, e shkaktuar me dashje ose jo, të kthen një hap mbrapa.

Duhet që qeveritë të shpejtojnë në zbatimin e standardeve ekonomiko-politike dhe juridiko-shoqërore, të cilat janë baza për integrimin e vendit. Po flitet shumë kohët e fundit në medien e shkruar dhe atë vizive për abuzimet e disa personave të veshur me pushtet që bëjnë në bregun e Jonit. Këto abuzime ndryshe quhen vjedhje.

Sa më shpejt të shkojë prona tek i zoti, aq më shpejt do të kufizohen abuzimet me tokat, konfliktet, dhe do të realizohet mbrojtja e të drejtave të njeriut. Kështu ne nuk mund të quhemi Evropë apo të synojmë integrimin në të. Mendoj shpesh shqetësimin e lexuesve të thjeshtë e të shumtë, sidomos banorëve të Himarës, problemi i të cilëve ka një emërues të përbashkët: kthimin e pronave të të parëve dhe pajisjen me certifikatën e pronësisë për t’i dhënë krah zonës turistike në interes të tyre dhe të mbarë vendit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›