Kuvend, prioritet dosjeve dhe Kodit Zgjedhor
Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare e mbledhur dje i ka hapur rrugë fillimit të punimeve të Kuvendit në datën 1 Shtator. Komisionet parlamentare pritet të fillojnë punën në fillim të javës që vjen me projektet më të rëndësishme të lëna pezull sesionin e kaluar parlamentar. Miratimi i Kodit Zgjedhor, drafti për spiunët dhe ligji për prokurorinë pritet të jenë sfidat kryesore të partive politike parlamentare, ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, ka kërkuar konsensusin për çështjet në fjalë.“Kodi Zgjedhor është një punë në proces e cila nuk ka ndalur edhe gjatë muajit Gusht pasi kanë vijuar kontaktet dhe komunikimi në nivel ekspertësh, por sigurisht ai që do ta thotë fjalën e tij është komisioni i posaçëm i cili do të nisë menjëherë axhendën e tij me miratimin e Kodit Zgjedhor. Unë shpresoj që ekspertët të kenë bërë punën e duhur në mënyrë që të lehtësojnë misionin e komisionit të posaçëm”,- tha dje Patozi pas përfundimit të konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare. Në të njëjtën frymë, Patozi ka folur edhe për draftin e “Verifikimit të pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë”, përmbajtja e të cilit, sipas tij, duhet të kalojë po me konsensusin e opozitës. Megjithatë, duke pasur parasysh zvarritjen e këtij drafti prej vitesh tashmë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, ka deklaruar se ky projekt mund të kalojë edhe nëse opozita do të jetë kundër. “Ne kemi prirje absolute që ky ligj të shkojë në Kuvend me konsensusin edhe të opozitës, pasi kjo është në dobi të vendit”,- tha Patozi, duke shpresuar kalimin e këtij drafti bashkarish. Në të kundërt, ai pohoi se shumica do të votojë. Projektligji për prokurorinë, përmbajtja e të cilit është kontestuar paraprakisht edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, por që ende nuk është bërë publike zyrtarisht, është një tjetër draft i rëndësishëm, për të cilën demokratët duhet të punojnë fort, pasi kalimi i këtij ligji kërkon plot 84 vota.Ky projektligj, për nga vetë rëndësia që do të ketë, pritet të sjellë debate të forta mes dy kampeve politike, ndërkohe që gjithçka do të qartësohet vetëm në muajin Shtator. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj ka deklaruar se ndryshimet e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” janë nevojë e kryerjes së reformës në këtë institucion dhe janë hartuar nga një grup i gjerë pune, në përbërje të të cilit kanë qenë edhe përfaqësues të institucionit të prokurorisë, avokatë, përfaqësues të jetës akademike, si dhe ka marrë pjesë misioni “EURALIUS” dhe “OPDAT”. Ndërsa nuk ka pasur asnjë reagim publik për këtë draft nga ana e Prokurorisë.